Durrës, i vdes nipi 1 vjeç: Na e dhuroi Zoti, na e mori doktori

Sociale

Durrës, i vdes nipi 1 vjeç: Na e dhuroi Zoti, na e mori doktori

Më: 1 maj 2017 Në ora: 13:33
Anastas Cuka

Pediatria e Durrësit është kthyer në një makth të vërtetë për prindërit e fëmijëve, pasi në harkun kohor të 15 ditëve kanë humbur jetën dy foshnje nga 15 muajshe.
 
Sipas familjarëve, shkak për vdekjen e vogëlushëve është bërë neglizhenca e mjekëve, të cilët i përcjellin me një rekomandim pa i vizituar fare.
 
Pak ditë më parë, Kujdesi Aga denoncoi publikisht bluzat e bardha për neglizhencë prej të cilës humbi vajzën 15 muajshe.
 
Ndërsa sot vjen një tjetër denoncim ku akuzohen mjekët pediatër të Spitalit të Durrësit. 
 
Me datë 28 mars familja Cuka nga Durrësi humbi foshnjën 15 muajsh E.C dhe sipas familjarëve, vogëlushi ndërroi jetë si pasojë e neglizhencës së mjekëve, të cilët nuk ofruan shërbimin e nevojshëm.
 
Anastas Cuka (gjyshi i vogëlushit) thotë se mjekët e gatshëm Erjon Hoxha dhe Rasim Lusha janë përgjegjës për vdekjen e foshnjës.
 
“Ditën e dielë me datë 26 mars në orën 10 të darkës fëmija ishte shumë mirë. Im bir bashkë me të shoqen e çuan në spital, në atë kohë ishte doktor Erjon Hoxha. E ka çuar djalin dhe i ka thënë doktor: ‘Fëmijën e kemi të sëmurë me bark dhe të vjella’. Me paturpësinë më të madhe, ta marrë vesh gjithë populli, i ka dhënë ilaç për fytin ndërkohë që çuni nuk vuante nga fyti, ai nuk ishte urinuar. Pse nuk i bënë analizat, pse nuk e shtruan në spital? E përcollën si një pulë të ngordhur! E përcollën se thanë është virus, nuk ka gjë. E shtruan te reanimacioni, thërriste o baaaa, kërkonte ndihmë...çfarë ndihme t’i jepja kur aty ishin doktorët që po ma fusnin në dhe me zor! Një djalë të këndshëm na e dhuroi Zoti, na e mori doktori", tha ai.
 
Sipas familjarëve, foshnjat kanë humbur jetën si pasojë e mjekimit të gabuar dhe neglizhencës së mjekëve. Për rastet në fjalë ka reaguar shefi i pediatrisë Fatmir Shahini i cili ka deklaruar se do analizohen me detaje te dyja rastet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat