Jeta në Laç e një 15 vjeçari: Atje isha shqiptari, këtu jam greku

Sociale

Jeta në Laç e një 15 vjeçari: Atje isha shqiptari, këtu jam greku

Më: 7 maj 2017 Në ora: 12:14
Brajani

“Atje isha shqiptari, këtu jam greku”.

Kështu e fillon rrëfimin e tij Brajani. E takuam në Laç.

Po priste të futej në mësim. 15- vjeçari ka lindur në Greqi dhe ka jetuar atje deri para 2 viteve. Kriza ekonomike që kaploi vendin fqinj, frika e humbjes së punës dhe dëshira për të kontibuar në vendin e lindjes e solli familjen e tij në atdhe. Me kursimet e vëna mënjanë, e ëma hapi një parukeri të vogël, ku punon vetë, ndërsa i ati filloi punë në një fabrikë ndërtimi.

Kthimi në atdhe nuk qe i lehtë, veçanërisht për Brajanin dhe 2 vëllezërit.

“Të ishte për mua nuk do ishim kthyer, aq më tepër në Laç”- thotë ai.

“Këtu në Laç, nëse mëson në shkollë të quajnë çun mami, nëse vishesh bukur, dhe respekton gocat të quajnë gej”- thotë Brajani me revoltë. Madje, edhe nga ata të cilët ai ka pritur mbështetje, e kanë lënë shpesh në baltë. Ai kujton se kur shkoi në fillim në shkollë mësuesja e goditi me shkop vetëm se bëri një shaka. “U habita! I thashë: O zysh ca bën? Ku jemi ne këtu? Po fjalën për ça e kemi ne? Rri urtë,s’ke fjalë me mua! – më tha. I hapa rrugë. S’kisha ça bëja”– vazhdon Brajan.

Ai tregon për një vend me njerëz paragjykues. “Këtu njerëzit dëgjojnë vetëm për të kthyer përgjigje, jo për të kuptuar. Nuk lodhen fare të të njohin”- thotë ai. Ajo çfarë e prek atë më së shumti është mungesa e vullnetit për t’i bërë gjërat më mirë.

Në luftën e tij për të gjetur veten në vendin ku i kanë lindur prindërit dhe dëshirën për të mos e urryer atë, ai gjeti në fakt forcën për ta bërë atë më të mirë. Që prej një viti i është bashkuar grupit të të rinjve, Impact Club, të krijuar nga World Vision në qytetin e tij, në Laç.

“Vetëm këtu kam gjetur të rinj si vetja, që besojnë tek një kauzë, tek ajo e të qenit qytetarë i mirë. Ne e dëgjojmë njëri-tjetrin me respekt, ndajmë ide dhe marrim nisma”– thotë Brajan. Ai veçon ditën kur bashkë me grupin morën pjesë në një takim të organizuar në kryeqytet, ku ishte i pranishëm ish Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, zoti Blendi Klosi, asokohe mininisër.

Brajani e kishin përzgjedhur përfaqësues të grupit. “Fola rreth qeverisë sonë ideale, për një qeveri që kur harton ligje për fëmijët dhe të rinjtë i pyet vetë ata, i vë në qendër. Ai na dëgjoi dhe premtoi që kështu do të ishte në vazhdim. Shpresoj që të jetë e vërtetë”- rrëfen Brajan.

Sikurse ai thotë, në Laç, ka pasur mundësi që ndoshta në Athinë nuk do t’i kishte. Së fundmi është bërë edhe prezantues i Pallatit të Kulturës në qytetin e tij. Por, lufta e tij vazhdon. Ai nuk e sheh të ardhmen e tij në Laç, as në Shqipëri. “Kur u kthyem, i thoja babit çdo ditë të na kthente në Greqi. Ai nuk e bëri. Sot jam 15 vjeç dhe do ta gjej vetë rrugën time, të studioj në një shkollë të mirë dhe të gjej një punë të mire. Dua të iki jashtë Shqipërisë”- rrëfen i riu nga Laçi. /Word Vision

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat