Mbi 100 persona me nevoja të veçanta përfitojnë karroca

Sociale

Mbi 100 persona me nevoja të veçanta përfitojnë karroca

Më: 30 korrik 2017 Në ora: 13:46
ilustrim

Mbi 100 karroca elektrike, karroca manuale dhe skuterë elektrikë, iu janë shpërndarë sot në Drenas invalidëve të luftës dhe personave me aftësi të kufizuara.

Shpërndarja e 105 karrocave është bërë nga përfaqësuesit e Shoqatës humanitare "T'i ndihmojmë Drenicës" në bashkëpunim me Shoqatën e Veteranëve të Luftës nga Drenasi dhe Skenderaj, donacion ky nga shoqata humanitare "Selam" nga Gjermania.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se janë angazhuar që të përkrahin këtë projekt humanitar, me qëllim që të lehtësojnë lëvizjen e personave me nevoja të veçanta.

Ai vlerësoi lart punën e organizatorëve të Shoqatës “Ta ndihmojmë Drenicën” dhe shoqatat e veteranëve, të cilat kanë sjellur një donacion shumë të dobishëm për njerëzit në nevojë.

Lladrovci: Ne iu kemi ofruar ndihmën tonë organizatorëve

“Ne e kemi dhënë kontributin tonë duke iu krijuar kushte dhe ambiente, si dhe duke iu ndihmuar në rregullimin e dokumentacioneve që iu nevojiten gjatë rrugës, në doganë e të tjera. Kështu që ky është një shoqata “Handikos” nuk mund ta bëjnë sepse një skuter i tillë ka një vlerë bukur të madhe dhe ata nuk mund ta sigurojnë. Ne i falënderojmë shumë organizatorët të cilët na kanë premtuar se do të sjellin ndihma edhe në të ardhmen”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i shoqatës "T'i ndihmojmë Drenicës", Enver Shabani, tha se edhe se në këtë aksion humanitar kanë përfshirë personat me aftësi të kufizuara edhe nga komunat e tjera, me ç' rast kanë përfituar mbi 100 persona.

Shabani: E kemi zgjeruar rrjetin edhe për personat me aftësi të kufizuara

“Prezantimi i sotëm i shpërndarjes së mjeteve për invalidët dhe veteranët e luftës me aftësi të kufizuara, në bashkëpunim me Shoqatën e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës, nga Drenasi dhe Skenderaj, me Shoqatën ‘T’i ndihmojmë Drenicës’ dhe një shoqatë nga Gjermania  të cilët na kanë sjellur një sasi të karrocave elektrike, karroca manuale dhe skuterë elektrikë, të cilët iu dedikohen në pikë të parë invalidëve të luftës, por e kemi zgjeruar rrjetin dhe u kemi dhënë edhe invalidëve me aftësi të kufizuar”, tha ai.

Shabani u shpreh se kanë hasur në pengesa gjatë doganimit, ndërsa, theksoi se në terminalin doganor janë liruar nga pagesa.

Për Hazir Bylykbashin, një karrocë lëvizëse është më së e nevojshme.

Bylykbashi: Sikur mos të na kishin ndihmuar, nuk do të mund të ishim këtu

"E falënderoj kryetarin dhe të gjithë tjerët që na kanë ndihmuar… sepse mos të ishin këta, nuk do të mund të ishim këtu”, tha ai.

Ndryshe, nga ky donacion, për personat me nevoja të veçanta janë dhënë 105 karroca prej të cilave 50 ishin karroca manuale ndërsa, 55 të tjerat karroca elektrike dhe skuterë elektrik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat