Sa shpenzojnë shqiptarët për dasmën? Rrëfehet Erisa, nuse e ardhshme

Sociale

Sa shpenzojnë shqiptarët për dasmën? Rrëfehet Erisa, nuse e ardhshme

Më: 13 gusht 2017 Në ora: 14:51
ilustrim

Një dekadë më parë, organizimi i eventit më të rëndësishëm bëhej nga familja, por kohët e fundit çiftet e reja po mbështeten tek agjencitë që merren me organizimin e eventeve. Cilat janë agjencitë më të mëdha në vend dhe si e ndajnë ato tortën e nuseve…

Erisa Gj., martohet në tetor të këtij viti, por prej më shumë se dy muajsh (gjashtë muaj para ceremonisë) ka nisur me përgatitjet e dasmës. Disi e stresuar, ajo thotë se për të organizuar të gjithë ceremoninë ka nevojë për ndihmë.

Duke qenë se dasmat po bëhen më të sofistikuara dhe kërkojnë angazhim më të madh, çiftet gjithnjë e më shumë po u drejtohen agjencive.

Violanta Daku, administratore e agjencisë Class Event, thotë se nuk e kanë pritur që biznesi do të kishte një sukses të tillë në Shqipëri. Viola tregon se puna ka ecur mirë dhe se shpesh çiftet po u drejtohen agjencive për të organizuar eventet e tyre, pa u kufizuar vetëm tek dasmat. Ndërsa për sa u përket shpenzimeve të dasmës ato ndryshojnë në varësi të buxhetit dhe të kërkesave të çiftit, duke u luhatur nga 1000 deri në 100 mijë euro.

Në fillim, agjencitë martesore kishin formën e dyqaneve që jepnin fustanet e nusërisë me qira, por duke parë kërkesën e tregut, sofistikuan aktivitetin, duke shtuar edhe shërbimin e organizimit të dasmave.

Image

Sa shpenzojnë shqiptarët për dasmën

Në pamje të parë, organizimi i dasmës duket një gjë e thjeshtë, rrëfen Erisa, por vetëm kur provon të organizosh një vetë e kupton se sa e ndërlikuar dhe stresuese është, kur ndërkohë dasma supozohet të jetë dita më e lumtur e njeriut.

“Së pari, m’u desh të përzgjidhja fustanet, – tregon ajo. Duke qenë se ceremonia zgjat më tepër se një ditë, më duhen disa dhe në pamundësi për t’i blerë, kam zgjedhur që t’i marr me qira. Çmimi më i ulët për një fustan me qira është rreth 50 mijë lekë, thuajse në të njëjtin nivel në të gjitha agjencitë”. Ajo ka zgjedhur tri fustane dhe përllogarit se kostot do të jenë rreth 150 mijë lekë. E njëjta gjë edhe për kostumin e dhëndrit. Sipas menaxherëve të agjencive, ka dhe nuse që duan ta kenë fustanin e ceremonisë përgjithmonë të tyrin.

Së dyti, duhet të përzgjedhësh ambientin ku do të zhvillohet ceremonia. Sipas saj, çmimet e lokalit ndryshojnë në varësi të menysë që përzgjedh, ku menyja më e lirë fillon nga 6 mijë lekë çifti. Përzgjedhja e ambientit kushtëzohet nga numri i të ftuarve.

Së treti, muzika. Më parë, dasmat bëheshin me orkestër, në përgjithësi dy vokalistë dhe instrumentistët, por me kalimin e kohës çifteve iu ofruan mundësi zgjedhjeje më ekonomike duke e zëvendësuar orkestrën me DJ, ku dyshemeja e çmimeve fillon nga 30 mijë lekë. Erisa thotë se në dasmën e saj muzika do të luhet nga një DJ, por gjithashtu do të ketë të pranishëm edhe një instrumentist.

Së katërti, kameramani dhe fotografi. Momentet më të rëndësishme në jetë sigurisht që duhen kapur nga objektivi i kamerave dhe i aparateve fotografikë. “Nuk ka kuptim të bësh dasmë dhe të mos kesh setin me fotografi”, thotë ajo. Erisa ka vendosur të tregohet disi më e kursyer për këtë zë të shpenzimeve të dasmës. Kameramani dhe fotografi do t’i kushtojnë për tri ditë xhirime dhe fotografime 100 mijë lekë. Fotografët dhe kameramanët, që kanë bërë emër, kushtojnë disi më shtrenjtë.

Së pesti dekori. Pjesa më e madhe e lokaleve kanë dekorin e tyre, por në përgjithësi çiftet kërkojnë diçka më të personalizuar. Dekori më minimalist kushton rreth 20 mijë lekë të reja.

Së gjashti “parukieria, e cila për vetëm tri ditë do të më kushtojë rreth 80 mijë lekë”.

Në total, Erisa ka përllogaritur se kostot e martesës së saj për një dasmë me 120 të ftuar do të shkojnë rreth 860 mijë lekë. Për sa u përket shpenzimeve, ajo thotë se një pjesë të parave e ka nga kursimet, ndërkohë që pjesën tjetër do ta ndihmojë familja.

Nëse të paktën gjysma e shqiptarëve, që u martuan në 2016-n, kanë bërë një dasmë me kostot e dasmës së Erisës, vlera totale që do të shpenzonin do të ishte 9.7 miliardë lekë, apo 70 milionë euro.

Image

Janë rritur kërkesat

Frederika Muço është administratore e një prej kompanive të para në këtë sektor. Fillimisht, ajo e nisi duke dhënë fustanet e nusërisë me qira, më pas do të ofronte dhe shërbimin e dekorit. Sipas Frederikës te nuset e ardhshme janë rritur pretendimet dhe kërkesat.

Vajzat janë më mirë të informuara, tregon ajo, dhe në përgjithësi vijnë me idetë e qarta. Çiftet kërkojnë një event të personalizuar dhe zgjedhin një motiv (apo temë të caktuar) në dasmën e tyre.

Për sa u përket kostove, çdo gjë varet nga buxheti i çiftit. Kostot për të dekoruar një ambient luhaten nga 100 mijë lekë deri në 500 mijë, në varësi të kërkesave.

Dasmat, jo vetëm në gusht

Muaji gusht njihet si muaji i dasmave, por ky trend ka filluar të ndryshojë, tregon Frederika Muço, administratore e agjencisë “Arti Martesor”. Tani kemi një shtrirje të dasmave gjatë gjithë periudhës së vitit, të cilat shpeshtohen nga muaji qershor deri në tetor.

Agjencitë, si e ndanë tortën e nuseve

“Lufta” e nuseve është e ashpër jo vetëm mes tyre, por edhe mes agjencive që tentojnë të marrin pjesën e tyre nga torta e dasmës. Në vite, shumë kanë tentuar të hyjnë në këtë biznes, disa kanë dalë shpejt, ndërsa të tjera janë konsoliduar.

Agjencitë kryesore të organizimit të eventeve kanë njohur rritje në vitin që lamë pas. Sipas pasqyrave financiare të dorëzuara në QKB, tregu në total është zgjeruar me 10%, ndërsa nuk ka qenë një vit i mirë për fitimet, të cilat kanë rënë.

Por, cilat janë agjencitë më të mëdha në vend:

-Më e madhja është Geraldina Sposa, që për vitin 2016 deklaroi të ardhura prej rreth 40 milionë lekësh (gati 300 mijë euro), me një rritje 7.7% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga bilanci zyrtar. Pavarësisht rritjes së të ardhurave, fitimi ka rënë nga 1.1 milionë lekë në 530 milionë lekë, për shkak të shtimit të shpenzimeve (financiare dhe atyre të shfrytëzimit).

Geraldina Sposa kryeson me 45% të tregut. Administratorja e Geraldina Sposa, Marçela Lati, thotë se “tashmë mund të quhemi një biznes i konsoliduar, ku prej 22 vitesh operojmë në treg dhe si të tillë jemi thuajse të pandjeshëm nga luhatjet që mund të ketë tregu i dasmave, ku në rastin tonë mund të them që kemi rritje, rritje të vogla, por gjithmonë rritje.

-Agjencia e dytë më e madhe në vend është AMI. Për vitin 2016 raportoi të ardhura prej 23 milionë lekësh (170 mijë euro), me rritje rreth 3%. Fitimi i kompanisë u pesëfishua në 1.8 milionë lekë.

-Në vend të tretë në vitin 2016 ka kaluar agjencia “Altar” e cila rriti ndjeshëm me 5 herë të ardhurat në 11.8 milionë lekë (rreth 86 mijë euro) dhe nga humbjet kaloi në fitim prej rreth 391 mijë lekë. Në shkurt të vitit 2017, Altar u shit nga Elvana Gjata te Drilona Boçi, për shumën 200 mijë euro, sipas kontratës së shitblerjes së depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

-Pas rënies së të ardhurave me 32%, në 9 milionë lekë (66 mijë euro), Class Event ka kaluar në vend të katërt. Kompania gjithashtu ka raportuar humbje prej 3.5 milionë lekësh.

Martesat në vendnumëro, rriten divorcet

Në përgjithësi, numri i martesave ka qenë konstant ndër vite. Sipas të dhënave nga INSTAT, numri i martesave në vitin 2016 ishte 22,562.

Martesat në moshë të re ende mbizotërojnë te femrat, për çdo pesë martesa të vajzave nën 30 vjeç, martohet një vajzë mbi të tridhjetat.

Sidoqoftë, krahasuar me disa vite më parë, martesat në moshë të re janë në rënie, veçanërisht martesat ndër vajzat që nuk kanë bërë ende 20 vjeç.

Ndryshe nga femrat, raporti i martesave të meshkujve të grupmoshës nën 30 vjeç, me atë mbi tridhjetë është 1 me 1. Në vitin 2016, rreth 52% e djemve të martuar ishin 18-30 vjeç, dhe 47% mbi 30 vjeç, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

E ndërsa numri i martesave ka qenë i qëndrueshëm ndër vite, numri i divorceve ka njohur rritje. Sipas të dhënave që ka raportuar INSTAT në 2016-n në çdo 100 martesa, çereku shkojnë në divorc./Monitor

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat