Fëmijët analfabetë; nuk dinë as kryeqytetin e Shqipërisë

Sociale

Fëmijët analfabetë; nuk dinë as kryeqytetin e Shqipërisë

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 22:50
Fiks Fare

Në vitin 2017 në Shqipëri ka ende fëmijë që nuk dinë të lexojnë apo të shkruajnë. Të tillë janë fëmijët e klasës së nëntë në shkollën e fshatit Homezh të Pogradecit.

“Fiks Fare” solli këtë të premte me fakte paditurinë e tyre në leximin dhe shkrimin e gjuhës mëmë. Në redaksinë e emisionit mbërritën disa ankesa nga prindërit, të cilët thanë se në shkollën e fshatit fëmijët bëjnë mësim në klasa të përbashkëta dhe janë pothuajse analfabetë.

Gazetarë të “Fiksit” udhëtuan në fshatin në fjalë. Një vajzë, e cila kishte mbaruar klasën e 9-të të kësaj shkolle, nuk dinte se kush ishte kryeqyteti i Shqipërisë dhe u përgjigj me emrin e fshatit te vetë, Homezhi.

Vajza nuk arrinte të lexonte dhe të njihte shkronjat dhe me vështirësi shkroi emrin e saj në letër. Çudia më e madhe ishte kur kjo vajzë nuk arrinte të lexonte as gërmat e mëdha të shtypit, të shkruara në murin e shkollës.

E njëjta gjendje ishte në shumicën e nxënësve. Kur iu kërkua nga gazetarët e “Fiks Fare” të lexonin një fjali të vetme pa gabime nga librat që kishin mësimin e ditës, vetëm njëri lexoi rrjedhshëm, ndërsa 15 fëmijët e tjerë nuk e përfunduan dot fjalinë pa gabime.

Edhe prindërit, të cilët e pritën grupin e xhirimit në mes të fshatit, pohuan njëzëri se fëmijët e tyre që nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë nuk dijnë as të lexojnë dhe as të shkruajnë.

Ndonëse ndodhemi në vitin 2017, kur pajisjet elektronike mbizotërojnë në jetën tonë, në këtë fshat vetëm 18 km larg Pogradecit analfabetizmi është ulur këmbëkryq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat