Rrëfimi i nënës nga Ferizaj që pretendon se humbi foshnjën shkaku i barnave të gabuara

Sociale

Rrëfimi i nënës nga Ferizaj që pretendon se humbi foshnjën shkaku i barnave të gabuara

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 21:21
ilustrim

Gyltene Bytyqi ka rrëfyer në Gjykatën e Ferizajt se si për shkak të barnave të gabuara që ia kishte dhënë i akuzuari Shemsi Salihu e kishte humbur foshnjën pak kohë para lindjes.

Ngjarja kishte ndodhur më 20 mars 2009. E dëmtuara tregoi se për shkak të një problemi me lukth (thartirë) kishte shkuar në vizitë te gjinekologu dr. Naim Tërstena, i cili i kishte rekomanduar disa barna që duhej t’i përdorte për problemin që kishte me lukth.

Mirëpo, sipas dëshmisë së Gyltenes, njëra prej 5 llojeve të barnave që kishte përdorur kishte rezultuar fatal për foshnjën që kishte në bark. Kjo për shkak të një gabimi nga pronari i barnatores “Pro Pharm”, tani i akuzuari Shemsi Salihu.

Gjatë fjalës së saj, Gyltene Bytyqi tha se kontrollet mjekësore gjatë shtatzënisë i kishte kryer rregullisht te gjinekologu Naim Tërstena.

Por, në ditën kritike kishte shkuar pa pasur termin pasi i ishin shfaqur disa vështirësi shëndetësore në lukth. Saktësisht kishte ndjerë djegësi.

Gyltenja tha se mjeku i kishte thënë se nuk është diçka serioze. Madje, i kishte bërë edhe një kontroll me ultrazë, ku kishte dëgjuar të rrahurat e zemrës së foshnjës. “Mjeku më tha që nuk ka mbetur edhe shumë kohë për të lindur”, tha e dëmtuara.

Barnat kishte shkuar për t’ia blerë bashkëshorti i saj Ferati.

Gjatë orëve të mbrëmjes, pasi kishte ngrënë darkë, Gyltenja i kishte përdorur barnat dhe një orë pas përdorimit të tyre i janë shfaqur disa probleme në bark, të shoqëruara me të vjella gjatë tërë natës dhe më vonë kishte vërejtur që as foshnja nuk po i  lëvizte më.

Këto barna Gyltenja tha se i kishte përdorur tri herë në intervale të ndryshme: një herë në mbrëmje, një herë të nesërmen në mëngjes dhe një herë nuk ishte e sigurt nëse e kishte pirë në drekë apo jo.

“Të nesërmen në mëngjes përsëri i kam përdorur të njëjtat barna, ku me sa e di edhe në drekë i kam përdorur, por kam pasur shumë dhimbje të barkut dhe të vjella dhe ka pasur disa momente kur kam ndjerë se diçka në bark më është shkëputë. I kam thanë burrit që unë ma nuk po e ndij as foshnjën duke lëvizur”, tha Gyltene Bytyqi gjatë dëshmisë së saj.

Për vdekjen e foshnjës ajo kishte mësuar të nesërmen pas kontrollimit te doktori Tërstena, i cili kur kishte parë barnat që ajo kishte përdorur e kishte mohuar që të njëjtat ia kishte shkruar ky një ditë më parë.

“Doktor Naimi më ka këqyrë në kontroll edhe më ka thanë që këto barna unë nuk t’i kam shkru, se këto janë shumë të dëmshme dhe më ka thanë se ti duhesh mu konë e kënaqtë që ti ke pshtu e fëmija t’ka vdekë dhe më ka dhënë udhëzimin që të shkoj në spitalin e Prishtinës”, tregoi ajo.

Në Spitalin e Prishtinës e njëjta kishte qëndruar 4-5 ditë me foshnjën e vdekur në bark. Tek në ditën e katërt, sipas saj, e kishte lindur fëmijën të vdekur.

Ajo u ankua edhe për trajtimin që kishte marrë atje. Madje përmendi edhe doktor Hajrizin, i cili sipas saj non-stop i kishte thënë që të mos jap ndonjë deklaratë që foshnja i ka vdekur nga barnat e gabuara.

Ndërsa, Ferat Bytyqi, bashkëshorti i Gyltenes, gjatë dëshmisë së tij tha se hera e fundit kur bashkëshortja e tij kishte shkuar në kontroll tek gjinekologu ishte data 20 mars i  vitit 2009. Atëherë gjendja e saj sipas tij ishte në rregull dhe se shtatzënia ishte duke shkuar shumë mirë përpos problemit me lukth që kishte pasur atë ditë dhe se për këtë problem doktori Naim Tërstena ia kishte shkruar në recetë disa barna.

Ai tregoi se këto barna kishte shkuar personalisht për t’i blerë te barnatorja “Pro Pharm”, tek Spitali në Ferizaj, përballë çerdhes së fëmijëve, me pronar Shemsi Salihun tashmë të akuzuarin dhe se pas përdorimit të tyre bashkëshortes së tij i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore.

“Këto barna i ka përdorur bashkëshortja ime dhe pas përdorimit të barit të parë e ka ndjerë veten me mundim dhe me të vjella, duke më thënë se fëmijën nuk po e ndiente duke lëvizur në bark, ku kjo gjendje i kishte vazhduar edhe ditën e nesërme”, tha Ferati.

Të nesërmen Ferat Bytyqi kishte shkuar tek doktori ku edhe kishin kryer kontrollën mjekësore një ditë më parë për t’i treguar për gjendjen e vështirësuar të gruas së tij.

“Kur shkova te doktor Naimi aty i tregova që bashkëshortja nuk po e ndin veten mirë dhe se as nuk pe ndjen foshnjën në bark. Ndërsa pasi doktori i shikoi barnat ai më tha se nuk janë këto barna të cilat unë i kam shkruar por është lloj tjetër dhe më tha  shko sille bashkëshorten sa më shpejtë për ta kontrolluar”, vazhdoi tutje dëshminë.

Ferati tregoi edhe për momentet kur i kishte shkuar të pandehurit në barnatore kur ishte rrugës për të shkuar në Spitalin e Prishtinës, e ku duke qarë i kishte treguar se foshnjën e kishte humbur.

“Unë kam shku në barnatore, kam hyrë duke qajtë. Jam taku me Shemsiun, ku i thash se fëmija na humbi. Shemsiu më tha çka do të bësh dhe ku do ta dërgosh. Më kujtohet se m’i ka dhënë disa të holla, por nuk e di saktë 30 apo 40 euro, duke më thënë se unë kam një person të afërm në Prishtinë dhe ai do të kujdeset më mirë për juve duke më dhënë emrin e Hajriz Dergutit…”, shtoi Ferati.

Gjatë kësaj seance, në fjalën hyrëse i pandehuri Shemsi Salihu u deklarua i pafajshëm për veprën penale të cilën e ngarkon aktakuza.

Sipas aktakuzës, m datë 20.03.2009, rreth orës 18:00 në Ferizaj në rr. “Ramadan Rexhepi”, përkatësisht në barnatoren “Pro Pharm”, pronë e të pandehurit, i pandehuri ka dhënë në mënyrë të gabuar barna dhe me këtë ka rrezikuar shëndetin e personit në atë mënyrë që Ferat Bytyqi-bashkëshorti i  të dëmtuarës Gyltene Bytyqi kishte dorëzuar recetën tek i pandehuri dhe ka kërkuar barin “Rennine”. I pandehuri në pamundësi që ta dëshifrojë recetën, në mënyrë të gabuar i jep barin “Actasolid nimesolid”,  në vend të barit të shënuar në recetë “Rennine”, ku me të cilin rast pas përdorimit të barit të dhënë gabimisht menjëherë të nesërmen ishte përkeqësuar shëndeti i të dëmtuarës Gyltene Bytyqi, e cila ishte shtatzënë dhe si pasojë kishte rezultuar humbja e foshnjës, e me të cilën i  pandehuri kreu veprën penale përgatitja dhe dhënia e pandërgjegjshme e barnave.

Seanca e radhës u caktua për më 31 tetor. Në cilësinë e dëshmitarit është ftuar mjeku gjinekolog Naim Tërstena. /Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat