Historia e trishtë e Fatbardhës: Jam rrahur edhe me dru, më shqyente rrobat

Sociale

Historia e trishtë e Fatbardhës: Jam rrahur edhe me dru, më shqyente rrobat

Më: 26 tetor 2017 Në ora: 13:17
Nëna e 4 fëmijëve tregoi se prej vitesh ajo bashkë me familjen kanë jetuar në fshatin Brataj, ndërsa bashkëshorti ishte i papunë dhe ajo punonte si pastruese në shkollë.

Fatbardhan Sakaj, nënë e 4 fëmijëve nga një fshat i Vlorës, rrëfen sot kalvarin e vuajtjeve të saj, që nga problemet ekonomike, divorci me burrin, si dhe dhunën e ushtruar nga ky i fundit. E ftuar sot në emisionin ‘Me zemër të hapur’ në “News24”, Fatbardha Sakaj tregon peripecitë që po kalon, ndërsa i bënë thirrje organeve të drejtësisë që ta ndihmojnë.

Nëna e 4 fëmijëve tregoi se prej vitesh ajo bashkë me familjen kanë jetuar në fshatin Brataj, ndërsa bashkëshorti ishte i papunë dhe ajo punonte si pastruese në shkollë. Ajo rrëfeu në studio se për 25 vite burri e kishte rrahur, madje edhe i kishte grisur rrobat.

“Martesa ime u bë me lajmësi. Nuk e kam dashur. Unë isha 17 vjeç dhe ai 32. Ma dhanë me forcë, nuk e doja. Prindërit nuk donin, por lajmësit këmbëngulën me forcë. Kur u martova, nuk shkoja as me vjehrrën dhe as me kunatën. Unë punoja dhe nuk më lija të shkoja në derë të babait. Veç punoja, unë e di sa. Kam pasur grindje gjithë kohës me ta. Ata nuk më donin. Linda fëmijën e parë, doja të ikja. Por s’kisha ku të ndahesha për fëmijën. I shtyva për hatër të fëmijëve këto 25 vite. Jam rrahur edhe me dru. Nuk kam denoncuar. Këto dy vitet e fundit e teproi shumë. Mu martua dhe djali, nuk duroja dot më. Më tha o do dalësh e vdekur nga këto shtëpi, ose asnjë s’do t’i gëzojë. Ai e prishi shtëpinë. Kur vija nga puna, më qëllonte, më fyente. Erdhi puna për një kredi, se nuk i pagova dritat. Kur do ikja në mëngjes për të marrë kredi, më rrahu dhe më grisi rrobat. Na ka ardhur nga pas, djali i dytë i hoqi kaçavidën se donte më të qëllonte. Sa u ula në një lokal, ai erdhi dhe më qëlloi në publik, dhe nisi të më fyente me të gjitha fjalët. Lajmërova policinë, erdhën e morën. Policia më dha një urdhër mbrojtje për 15 ditë, por pas këtij urdhri më fyente dhe qëllonte prapë. Nuk më linte që të vinin njerëzit e mi në shtëpi”, tha Fatbardha Sakaj.

Si nisën problemet në çift

42-vjeçarja thotë se dëshironte të aplikonte për një kredi ne banke pasi nuk kishte mundësi të paguante energjinë elektrike, por familja e të shoqit i doli kundër dhe e bindi atë që të mos e lejonte. Qe nga ky moment filluan konfliktet mes tyre, bashkëshorti e ka dhunuar dhe pas denoncimit që ajo ka bërë në polici ka qenë ai që ka dorëzuar në gjykatë kërkesë padinë për divorc. Fatbardha e ka kundërshtuar fillimisht ndarjen, por edhe pse pa dëshirën e saj për te ndarë familjen, divorci u bë. Edhe pas vendimit të gjykatës dhe përfundimit të procesit vazhdonin të jetonin në të njëjtën shtëpi.

Gjatë kësaj kohe një ngjarje shume e rënde ka ndodhur në banesën e tyre. 42-vjeçarja thotë se njerëz të maskuar dhe të armatosur e kanë dhunuar e terrorizuar atë dhe fëmijët në mesnatë. Ajo tregon se pas kësaj ngjarje të rëndë fshihet ish-bashkëshorti, dhunuesit ishin nipërit e tij. Kane qenë fëmijet e vegjël ata të cilët edhe pse të tronditur kanë lajmëruar policinë. Pas disa ditëve në spital ajo ka denoncuar, por ende nuk ka asnjë përgjigje. Fatbardha Sakaj denoncon faktin se ndaj dhunuesve nuk u mor asnjë masë dhe kërkon të bëhet drejtësi për të dhe për fëmijët e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat