Familja që kërkon ndihmë vetëm për kafshatën e gojës

Sociale

Familja që kërkon ndihmë vetëm për kafshatën e gojës

Më: 3 dhjetor 2017 Në ora: 12:19
Pamje nga shtëpia e Milaim Xhaferi

Varfëria dhe mjerimi i ka futur nën kthetrat e saj të pa mëshirshme familjen nëntë anëtareshe nga Hajvalia, e cila jeton vetëm me 25 kilogramë mill dhe nuk kërkon asgjë tjetër përveç ushqimit dhe barnave.

Në shtëpinë tre dhomëshe e cila është kapluar në të gjitha anët nga myku dhe lagështia po i kalojnë ditët me barkun e uritur e pa veshmbathje nëntë anëtarët e familjes Xhaferi.    

Posa hynë në derën e kësaj familje sheh fëmijët këmbë zbathur e me rroba të leckosura, ndërsa pesha edhe lëkura e trupit të tyre tregon që barku i tyre jo shpesh herë ngopet me ushqim.

Kryefamiljari i familjes nëntë anëtarëshe, Milaim Xhaferi duke iu dridhur zëri ka treguar për gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, e cila po ia pamundëson të punojë dhe të sigurojë kafshatën e gojës për shtatë fëmijët dhe bashkëshorten e tij.

Ai për KosovaPress ka treguar se iu është nënshtruar tri ndërhyrjeve kirurgjike pas dy infarkteve që kishte pësuar si pasojë e gjendjes jo të mirë ekonomike.

Për vënien e pompës në zemër dhe dy stendave, Xhaferi tha se 50 për qind të shpenzimeve ia kanë paguar institucionet shtetërore, ndërsa pjesën tjetër e ka siguruar fal donatorëve që kanë shprehur dëshirën për t'i ndihmuar atij.

Ndërsa për operacionin e fundit në mushkëri, ai thotë se të gjitha të hollat që i kishte siguruar duke punuar së bashku me djalin e tij, Skenderin, 17 vjeçar gjatë sezonit veror i ka shpenzuar për këtë ndërhyrje. Kurse, tani përveç brengës që kishte për të mbijetuar me fëmijët dhe bashkëshorten e tij, i është shtuar edhe një bregë tjetër, pasi që duhet t'i blej barnat e tij të cilat kushtojnë 13 euro e 16 cent për një ditë.

Image

Xhaferi: Kam pompë në zemër dhe dy stenda

"I kom qit niher për pension se jam i pa aftë për punë edhe prej doktorëve mi kanë refuzu, me kanë shti me ngjit pompën në zemër, e kam edhe në dokumente, i kam edhe plus dy stenda tjera, më ka shti shteti jonë, nuk mundem këtij mi than shtet, 50 përqind mi ka heq ai, 50 për qind i kom heq vetë...Po mos të ishin kanë donatorët që me morren mem pshtu, sot unë nuk isha as me fëmijët e mi se unë jam kanë në gjendje shumë të keqe...Kam punu tonë verën, jam mundu se nuk mundem me punu më qysh kam punu më herët... çka të mujshum diçka me ndonjë dru, me diçka tjetër po unë i sëmut isha shku e se kisha ditë që jam qashtu edhe kështu që ma s'jam kah mundem as fëmijë e mi mi bo idare as sen të Zotit, çka punova me djalë mi hongrën në spital motra jem, blej ineksia, blej këta, blej ata", tha ai.

Ai ka treguar që ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se nuk e gëzon nderin e veterinarit të luftës, pasi që ia kanë refuzuar kërkesën e tij për pension invalidor.

Milaim Xhaferi, babi i shtatë fëmijëve thotë se kafshën e gojës ua siguron disi me të hollat e asistencës sociale që i merr bashkëshortja e tij që kapin shumën 130 euro.

E për shtëpinë në të cilin jeton thotë se e ka ndërtuar sa ishte shëndosh me qëllim që të krijojë një strehë për fëmijën tij.

Sipas tij, lagështia do që ta kalbë këtë ambient të mjerueshëm jetese për ta, pasi që të gjitha muret e shtëpisë po rrjedhin ujë, ndërsa edhe toka brenda saj ka filluar të rrëshqas.

Image

Xhaferi: Lagështia më kalbi

"Kjo shpi është e  imja, sa jam kanë shënosh e kam ndërtuar vetë sa kam mundur, sa mos t’i lë fëmijët në rrugë po nuk e di lagështia në tana anët me kalbi atje po e qon ujtë, këtu po e rrjedhë ujtë, këtu me bo me dhezë zjermë t’i kur të qohesh mas 2 orëve veç pikë plloqa qaq vllag të madhe si ka munesh me kqyr edhe vetë ka krisë toka në atë pjesë anena, në koridor po më hinë ujët prej naltit, aty po hynë ujtë prej naltit këtu u myk krejtë, këtu përmas u myk krejtë në dhomë atje siç e pe edhe vetë është tmerr i zotit " tha ai.

Kryefamiljari i kësaj familje nëntë anëtarëshe ka treguar se si pasojë e mykut dhe lagështisë që e kanë ngulfatur shtëpinë, në gjendje të rëndë shëndetësore e ka pasur edhe vajzën e vogël për të cilën tha se më shumë pinë çaj sesa qumësht, pasi që nuk ka mundësi që t'ia sigurojë.

Po ashtu, ai tha se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike është dashur që dy fëmijët e mëdhenj t’iu ndërprej shkollimin.

Ndryshe, familja Xhaferi e rënduar nga varfëria që e ka kapluar planifikon që këtë dimër ta kalojë me 4 metra dru dhe 25 kilogram miell të cilat edhe ato nuk i kanë siguruar vetë por iu kanë ndihmuar, pasi e kanë parë gjendjen e rëndë të tyre.

Image

Me qëllim që shtatë fëmijët e tij ta kalojnë dimrin sa më lehtë, Milaim Xhaferi ka kërkuar që t'i ndihmojnë që të sigurojë ushqim dhe veshmbathje për familjen e tij.

Po ashtu, ai kërkoi që kushdo që ka mundësi ta ndihmojnë edhe në sigurimin e barnave të tij për të cilat ai ka nevojë.

Xhaferi: Kisha dashtë mem nimu për me hanger e me pi

"Mas pari kisha dashtë me iu thanë që për qita fëmijë tum kishin nimu me iu marrë veshmbathje, për me hanger e me pi edhe kush të kish pas mundësi edhe mem nimu për qeto ilaqe mi ble për ma shumë spo flas, sen spo du, shtek që iu thom maromni shpi se kom njet, se e kom qitfar kolibe me shpirtë tem jom munu e kom maru po më shumë s'du me e lodh kërkon", shtoi tutje ai.

Fëmijët po jetojnë me shpresën që një ditë edhe ata do të kenë ushqim dhe veshmbathje të mjaftueshme.

Për të gjithë ata që duan që ta ndihmojnë familjen e Milaim Xhaferit, i cili jeton në varfëri të skajshme mund të kontaktojnë në numrin 045 654 658, ose mund ta vizitojnë atë në fshatin Hajvali komunë e Prishtinës, afër inspektoratit të policisë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat