Çun Lajçi: Sytë kanë nis me m’lanë, smund të operohem pa pare

Sociale

Çun Lajçi: Sytë kanë nis me m’lanë, smund të operohem pa pare

Më: 24 dhjetor 2017 Në ora: 16:22
Çun Lajçi

Se artistët shqiptar nuk vlerësohen sa duhet, kjo gjë tashmë veç është e ditur.

Pak vëmendje u kushtohet atyre, andaj shumë prej tyre qëndrojnë keq financiarisht.

Aktori i njohur, Çun Lajçi derisa ka shkruar një letër për bijën e tij të vdekur ka thënë se shikimi i syve të tij dukshëm është më keq, porse nuk ka para për tu operuar.

“Shpesh po harroj Bubë, e s’di a asht shej pleqnie a kam nisë m’u rrallua, por sytë kanë nisë me m’lanë. Po m’djegin e po m’lotojnë e të mjeku s’po muj me shkua, se e di që pa pare s’operohen, e këto klinkat e hueja shtrejt për mua, e dorën ndermend se kam me shtri. Nëse m’lanë sytë, më dhimsen vetëm letrat që s’do t’muj me i vazhdua, se për që s’shoh s’merzitem fare. Kohë e keqe për mua erdhi e ma mirë hiç mos me pa!
Po habitna edhe çka po dua me thanë. “, ka shkruar ai mes tjera në këtë shkrim.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Deshta me t’kallxua Bubë

Shpesh po harroj Bubë, e s’di a asht shej pleqnie a kam nisë m’u rrallua, por sytë kanë nisë me m’lanë. Po m’djegin e po m’lotojnë e të mjeku s’po muj me shkua, se e di që pa pare s’operohen, e këto klinkat e hueja shtrejt për mua, e dorën ndermend se kam me shtri. Nëse m’lanë sytë, më dhimsen vetëm letrat që s’do t’muj me i vazhdua, se për që s’shoh s’merzitem fare. Kohë e keqe për mua erdhi e ma mirë hiç mos me pa!
Po habitna edhe çka po dua me thanë.

Kur ishe gjallë s’me besojshe, m’thojshe po aktron, e baba yt çdo ditë vorfnohej e plakej. Nejse.
N’letrën që ta çova dje deshta me t’kallxua se
mbramë, mbas katër vitësh, shkuem në nji premierë filmi bashkë me mamin, bile po m’duket se asht hera e parë mbas filmit të Ekremit “ Kodi i jetës” ku ti luejte rolin kryesor të femnës, e ku ishim në qendër të vemendjës, jo për rolet tona jo, po për shkelqimin tand Bubë.
Deshta me t’kallxua se Daorsa Sefaj ka ardhë prej Norvegjisë me na pa për Ty e dolem bashkë me të deri të kinemaja. U ul me neve derisa filloi filmi e pastaj shkoi të nji shoqe. Sa e bukur e sa e mirë. Plot sharm e kulturë. Lum Leli që e ka!
E kisha përshtypjën sikur t’ishe Ti me ne, jo ajo. Bile për hatrin tand e mora Taxinë se ti veç me taxi shkojshe n’qytet. Sa çudi, tri herë u habita dhe e thirra me emnin tand. M’u duk sikur po shkonim bashkë n’premierën e filmit tand të Irlandezët, të Brendoni
“ Sonte gjithçka u prish”
Por jo Bubë, ne kurrë ma s’do t’luajmë bashkë n’filma, as që do t’shkojmë në ndonji premierë. Det i pafund ka hy mes nesh dhe anijët janë fundosë përgjithmonë. Dhe kur filloi filmi “Makbeth” ku luenin Merita e Halil Budakova, këta artistat e mëhallës tonë, trupi mbet pranë mamit tand n’kinemanë ABC e mendja m’iku larg. U treta n’ lumtuninë e asaj nate në Beograd n’premierën e filmit “Muaj mjalti” i prodhimit Shqiptaro Serb. Jo për rolin tim, se ai ishte tepër i vogël, po për ty që t’kisha me vete. Gjithë pasditja të shkoi n’dhomën e hotelit tue i lye sytë e faqet e thojtë. Ishe e lumtun sa s’di me t’thanë.
Nuk di sa herë m’the: nesër po shkojmë babë n’Klinikën Lorien, n’at rrugën e Tetovës m’e vizitua Dragicën, at motrën medicinale që fort të deshti e shumë u kujdes për ty.
Në mbramje të veshun bukur u futem në sallën e madhe Sava Centar të mbushun me qinda e qinda shiques dhe kur rregjizori ma thirri emnin me dalë n’skenë m’u përshendet me publikun, kur u ngrita n’kamë, ti Bubë m’a kape dorën e the mos del babë, ulu!
Dhe vërtetë s’dola. E lash Goran Paskaleviqin,
regjizorin e filmit, tue thanë: ku humbi Çuni more, unë e di se ai asht këtu diku, mes jush.
Kur shkuam në darkë, ne Shqiptarët Yllka nga Tirana e Jozefi nga Shkodra e Ne nga Prishtina, u ulem veçmas nga artistat Serb dhe kur të pyeta pse nuk me le me dal para publikut, ti e ndrojtun me the: u tuta bre babë mos po të fishkëllojnë për shkak të Kosovës.
Eh moj Bubë, mbramë sytë i kisha ngulitë n’ekranin e madh të kinemasë ABC e tretë isha kujtimeve.
Shumë vite mbrapa isha kthye e m’dukej se po flas me Ty në telefon, kur n’mes natë na thërrisje nga dhoma e hotelit në Berlin. Atëbotë kishe shkua me sinkronizua filmin e Irlandezve.
Të betohem se fluturojsha lumtunie e krenarie për ty.
Por jo edhe atëherë kur unë shkova në Festivalin e Berlinalës vite mbas, me “ Faljen e gjakut” të Amerikanët.
Ecja ime me Ilire Vinca e regjizorin Amerikan Joshua Marston nëpër tepihun e kuq, ishte aq i zbrazët dhe i pavlerë sa kurrë s’arrijta të ta them.
Fotografët kot i çkrepnin aparatet. Mua mendja m’rrinte n’Kurriz, n’dhomën tande plot tym dhe i lutesha Zotit që t’forcohësh e t’me presësh derisa të kthehem unë. Kishin fillua ditët e rrenimit për ty, andaj shkelqimi i Berlinalës s’ishte për mua si për të tjerët.
Të nesërmen tue pi kafe me Arben Zharkun, producentin tand të parë, ta kushtova atë poezinë, që u botua të libri ” Nesër fjalës i bëhet vonë”
“Tapetit kuq eci
Tue shiqua djathtas majtas
Të kota thirrjët e gazetarëve
Të zbehta ato shkrepëtima
Aparatësh që bajnë dritë
Mua s’ma heqin mërzinë
Se mendja m’rrin n’dhomën tande
Të tymosun
Atje diku n’platonë e Kurrizit
N’Prishtinë.”
Kur u krye filmi e dolen aktorët m’u përshendet, i ngulfatun mallit, e mora mamin e shkuam në Rings të Ilir Macani. E pritem Daorsën sikur shumëherë Ty dhe prap të vetmuar u zvarritem deri n’Kurriz.
Vonë me thirri Remzi Ejupi e m’tha a të duhet diçka? Mos nguro po ma thuaj. A po mbahet Fata?
O Zot sa bujar asht!
Eh moj e mira ime, s’e din ti sa krenar jam që t’pata 33 vjet!
Tash do t’jetoj edhe po kaq vite tue t’kujtua Ty, se Latin duhet martua e nipat duhet rritë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat