Njërin prej të dashurve të gruas e rrahu, tjetrin e vrau: Ia futa bombën në xhep, iku në punën e vet

Sociale

Njërin prej të dashurve të gruas e rrahu, tjetrin e vrau: Ia futa bombën në xhep, iku në punën e vet

Më: 14 janar 2018 Në ora: 18:38
Nga emisioni Shihemi në gjyq

Dy ish – shokë vijnë nga Bilishti në rubrikën “Shihemi në gjyq” të “E Diela Shqiptare” pasi Xhumai i ka borxh një shumë të konsiderueshme parash Astritit dhe nuk ka mundur t’ia shlyejë prej vitesh.

Xhumai rrëfen jetën e tij të vështirë dhe të gjithë peripecitë me ish – bashkëshorten e tij. Ai tregon se nuk shkonte mirë me bashkëshorten, ndaj në vitin 1990 vendosi të ndahej, por për hir të fëmijëve i dha një shans të dytë. Në vitin 1992 u detyrua të emigrojë në Greqi për të fituar para, të cilat ia dërgonte familjes nëpërmjet shokut të tij të ngushtë, Qirjakos. Por Xhumai zbuloi se bashkëshortja e tradhtonte me shokun e tij të ngushtë, ndaj nga inati dhunoi rëndë këtë të fundit. Ai u arrestua dhe pas 6 vitesh burg u kthye në shtëpi për t’u përballur me të dashurin e ri të bashkëshortes, me të cilin bashkëjetonte. Xhumai vendosi të ndahej përfundimisht dhe ligjërisht, duke menduar që secili të vazhdonte jetën e tij.

“Ajo futi dashnorin të më sulmonte me makinë, ku më gjente më shante se donte që të ikja nga shtëpia. Unë ndërroja rrugën, ai më zinte rrugën. Një ditë rastësisht më ndodhi që të shpëtoja dy fëmijë që kishin dy bomba nëpër duar. I mora, i futa në xhep për t’i hedhur diku. Atë ditë më zuri prej gryke, më nxori nga lokali. Unë nuk u përmbajta më, i futa bombën në xhep se s’kisha çfarë t’i bëja më, ai ishte më i fuqishëm. Plasi bomba, Zoti mua më shpëtoi, atë e mori andej matanë. Unë shkova në spital me policët, ai shkoi në punë të vet … aty ku e kishte marrë Zoti!”

Për shkak të ndodhive që ndodhën në vitin 1997, Xhumai nuk u arrestua, ndaj shkoi në Shkodër te disa të afërm. Në vitin 2000 u rikthye në Bilisht për të marrë pjesën e tij të shtëpisë sepse nuk kishte më asnjë të ardhur ekonomike, por u arrestua dhe qëndroi për rreth 13 vite në burg.

Pasi u lirua, i biri e çoi në një shtëpi me qira në mënyrë që të mos kishte më konflikte. Astriti ndërhyn dhe i thotë: “I kam dhënë 4 milion e 800 mijë lekë dhe ti s’e mohon se të fus të gjallë në dhe. Unë s’kam më besim tek ty”. Xhumai thotë se në vitin 2014 vendosi që të çonte në gjyq bashkëshorten për çështjen e ndarjes së shtëpisë.

Xhumai – Ky i paguante paratë, nuk e mohoj.

Eni Çobani – Ky të ndihmonte për gjyqin?

Astriti – Për gjyqin, për operacionin që bëri, nëpër spitale, nëpër avokatë … Unë i paguaja këto.

Eni Çobani – Në total sa lekë i keni dhënë?

Xhumai – Po të lutem shumë, lërmë rehat t’i shpreh një herë këto e pastaj … Unë të drejtën tënde nuk e mohoj, por s’kam çbëj tani.

Astriti – Ça, nuk të kam dhënë lekë për avokatë?

Xhumai –  Atëherë të var edhe unë veten tani se kështu …

Astriti – Po ik o mbytu! Çfarë të duash bëj!

Xhumai – Faleminderit!

Astriti – Po si, të lej hallin tim e të shikoj tëndin?

Xhumai thotë që priste ndihmë nga tre fëmijët e tij, por ata i kthyen krahët, ndaj i kërkoi para borxh Astritit. Ky i fundit shprehet se nëse do të fitohet gjyqi, ish – shokut të tij i takojnë vetëm 3 milionë e gjysmë lekë.

Astriti – Ku do t’i gjejë ky të m’i japë mua? Ky s’më ka borxh vetëm mua, i ka edhe të tjerëve. Unë kam besim vetëm tek ju zonja Eni. Jam shumë i stresuar se ka vite që s’po mi jep lekët.  

Unë e kam ndihmuar me gjithë zemër se më ka ardhur shumë keq për hallin e rëndë që i ka ndodhur. Por jo të më gënjejë në këtë mënyrë, të më thotë që do t’i jap lekët, kur nuk ka mundësi t’i gjejë.

Xhumai – Unë nuk kam gënjyer njeri dhe nuk gënjej kurrë në jetë!

Astriti – Ore, ku do i gjesh lekët?

Xhumai – Halli më detyroi …

Astriti – Po mir mo, halli. Të gjithë njerëzit me halle janë, pse vetëm ti ke halle? Si do m’i lash lekët ti mua? Më thuaj vetëm një mënyrë!

Xhumai – Do t’i gjej unë, prandaj kam ardhur këtu. Në qoftë se nuk gjej drejtësi do t’i paguaj me gjakun tim! Nuk do të dorëzohem unë!

Astriti – Po ti je pa punë, pa shtëpi, ku do t’i gjesh?

Xhumai – Në qoftë se do të jepet drejtësia të marr atë copë që më takon, do ta jap ty e unë do të rri rrugëve vetë pastaj.

Astriti – Nuk t’i fal njeri lekët sot me këtë kohë që ka ardhur!

Xhumai i është drejtuar rubrikës “Shihemi në gjyq” sepse kërkon drejtësi, pasi të gjithë e hodhën poshtë.

Juristja Eni Çobani shprehet se më 20.07.1998, Lindita Nake, ish – bashkëshortja e Xhumait, e ka paditur këtë të fundit në Gjykatën e Shkallës së Parë Korçë  për “pjesëtim pasurie”. Gjykata ka vendosur që të Xhumai të marri 3 milionë e gjysmë lekë për pjesën e tij të shtëpisë, duke gjykuar që Lindita sëbashku me fëmijët të qëndrojnë në shtëpi.

Por Xhumai thotë se nuk është në dijeni të këtij vendimi, pasi ka qenë në burg dhe shton se as familjarët e tij nuk janë lajmëruar për këtë pjesëtim pasurie. Ai tregon se gjyqtari që ka ndjekur padinë e ish – bashkëshortes, Selaudin Pysqyli, është po i njëjti që ka gjykuar dënimin e tij.

Xhumai i nervozuar thotë se nuk e kupton si mund të  jetë marrë ky vendim mbi këtë çështje kur ai nuk ka qenë prezent dhe as nuk ka firmosur. Të njëjtën pyetje ngre edhe juristja Çobani, pasi i padituri nuk ka patur as përfaqësim ligjor dhe ky vendim është marrë vetëm me palën paditëse.

Ky vendim ka hyrë në fuqi sepse nuk ka patur kush ta ankimojë, por në nenin 122 thuhet se njoftimi është i pavlefshëm kur nuk janë zbatuar dispozitat që kanë lidhje me mënyrën dhe personin, të cilit i duhet dorëzuar kopja e aktit të njoftimit.

Zonja Eni thotë se Xhumai mund të ngrejë një padi në momentin që merr njoftimin se kur është marrë ky vendim. Ajo e përmbyll duke thënë se edhe akt – ekspertimi me vlerën 6 milionë lekë të vjetra sipas saj, nuk mund të jetë i saktë.

Publiku i “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Xhumait në këtë seancë ndërmjetësimi.

Astriti propozon që shtëpinë e Xhumait, të cilën gjykata e ka vlerësuar me 6 milionë lekë, ta blejë me 9 milionë lekë si dhe 3 milionë lekë për Xhumain.

Ardit Gjebrea – Mirë do të ishte zonja Eni ta kishit pritur në zyrë dhe ta kishit mbyllur atje se duke shtuar zoti Astrit mund të përfitojmë edhe ne ndonjë gjë!

Astriti – Megjithatë unë nuk e kam parë hyrjen.

Ardit Gjebrea – Bëj shaka.

Astriti – Ndoshta ke nevojë edhe ti. Shaka nuk është kjo. Me këtë kohën e sotme nuk i dihet, njeriu ngryset pa lekë e gdhihet me lekë!

Kjo seancë ndërmjetësimi mes dy ish – shokëve përfundon me sukses, pasi Astriti pranoi të presë vendimin e gjykatës apo ish-bashkëshortes Lindita.

Video

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat