Familja që jeton në shtëpi të huaj dhe me fëmijë të sëmurë

Sociale

Familja që jeton në shtëpi të huaj dhe me fëmijë të sëmurë

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 15:13
Familja e Basri Ademit

Në një shtëpi që nuk i plotëson as nevojat elementare, jeton në varfëri të tejskajshme familja e Basri Ademit nga Vushtrria.

Për nëntë  anëtarët e kësaj familje, ushqimi dhe nevojat e tjera bazike sigurohen me të ardhura nga ndihmat sociale.

Kryefamiljari Basri Ademi, mundohet të gjejë punë. Ai del pothuajse çdo ditë që të punojë diçka në mënyrë që të sigurojë ushqim për familjen e vet, nënën, gruan dhe 6 fëmijët. Mirëpo, ai nuk mund të përballojë punë të rënda, pasi që kishte qenë i rrahur rëndë gjatë luftës në Kosovë, gjë që për të është pengesë në kërkim të punës.

Për bashkëshorten e tij, Fatime Ademin, përveç kushteve të rënda, barrë mbi supe është edhe shëndeti i djalit 3 vjeçar, Riadit, i cili vuan nga një sëmundje shumë e rrallë e njëherit ka edhe probleme me zemër.

Ajo tregon sesi djali i tyre tre vjeçar rrezikon të mbetet pa të folur dhe ta humbas edhe të ecurit nëse nuk shërohet me kohë. E për shërimin e tij, ajo thotë se nuk kanë se ku të gjejnë paratë e nevojshme.

Ademi: Djali mund ta humbas të ecurit nëse nuk trajtohet

“Herën e fundit që e kam pasur më kanë thënë me e dërgua me 28 janar 2016 për ta shtrirë në spital, por po më duhet të gjitha privat t’i bëjë. ME CT, me analiza, EKG të zemrës, ultrazë të qafës e të gjitha tjerat privat. Dhe s’kam pasur mundësi e nuk e kam dërgua më. 6’33” Më kanë thënë se ka shërim, veç se duhet t’ia vazhdojë gjithmonë terapinë. Nëse nuk i vazhdojmë mund ta humbas të ecurit dhe të folurit”, tha ajo.

Sikur të mos mjaftonin këto nëna e 6 fëmijëve rrëfen për KosovaPress sesa e vështirë është jeta në një shtëpi të huaj.

Ademi: Ka bërë vakia që kemi ra edhe pa darkë sepse s’kam pasur bukë me iu kthye fëmijëve

“Ne i kemi kushtet e këqija. Për gjithçka kemi nevojë. Por më së shumti kemi nevojë për një shtëpi. Me e pas një dhomë tonën, për shkak të fëmijëve. Se edhe këtu ku jemi, na kanë thënë me dalë prej këtu. Veç këtë dimër me e kalua edhe me dalë. Por ne s’po kemi mundësi sepse s’ka tash shtëpi të lëshuara këtej. Unë vet jam e sëmurë, djali është i sëmurë. Vjehrrën e kam të sëmurë. Burri çka gjen punon, çka nuk gjen vjen në shtëpi. Ka bërë vakia që kemi ra edhe pa darkë sepse s’kam pasur bukë me iu kthye fëmijëve”, tha ajo.

Ajo tregon sesi iu është lejuar qëndrimi në një shtëpi të djegur vetëm deri në  mars, pasi që në atë vend parashihet ndërtim i lartë.

Ndërkaq, derisa më i vogli prej fëmijëve po pinte qumësht në djep, Fatimja tregon sesa të vështirë e kanë sigurimin e ushqimit për të vegjlit e tyre.

E Kadriu dhe Diana, dy fëmijët e mëdhenj të kësaj shtëpie janë nxënës të shkëlqyer. Madje deri sa e ëma po bisedonte me stafin e KosovaPress-it, djali i madh edhe pse vetëm në klasë të 6 po përkujdesej që të gjente dokumentet e mjekut për vëllain e vogël.

Për të ëmën është shumë i vështirë fakti se përkundër zellit të fëmijëve për të mësuar, ata shpeshherë mbesin pa i vijuar mësimet në shkollë për shkak të kushteve të rënda.

Ademi: Edhe që janë nxënës shumë të mirë, herë shkojnë e herë nuk shkojnë

“Boll është e vështirë. Herë shkojnë, herë nuk shkojnë. Edhe që janë nxënës shumë të mirë, herë shkojnë e herë nuk shkojnë. Krejt, po thonë ‘oj mam, po na i zënë sytë nxënësit në shkollë. Po thonë keni hy në shtëpi të një romi, nuk keni’. Keq edhe për fëmijë edhe për krejt”, rrëfen ajo.

Ndër mungesat e shumta në këtë familje janë edhe drunjtë. Ajo tregon sesi bashkëshorti i saj kishte dalë në mal për drunjë pasi që shtëpia është shumë e ftohtë dhe pothuajse kanë mbetur ngrohje.

Ademi: Na u kanë harxhuar drutë

“Bashkëshorti im ka shkua në mal për drunj. Drunj kemi shumë pak. Na u kanë harxhuar drutë. Qysh e patë edhe ju vet, këtu shtëpia është shumë e ftohtë. Shtëpia është e biruar sepse kjo ka qenë e djegur. Është shumë ftohtë. Po duhet me e lënë shporetin ndezur natën e ditën sepse po bëhet shumë ftohtë”, tha ajo.

E për familjen Ademi sigurimi i ushqimit dhe gjërave tjera është mjaft i vështirë pasi që edhe familjarët e tyre nuk kanë kushte aq të mira sa t’i ndihmojnë. Madje sipas nënës Fatime Ademi, situata bëhet edhe më e vështirë kur atë social që e marrin duhet ta ndajnë edhe për barna.

Për të gjithë ata që duan që ta ndihmojnë familjen e e Basri dhe Fatime Ademit, e cila jeton në varfëri të skajshme mund të kontaktojnë në numrin 049 171 726, ose mund të kontribuojnë me çfarëdo shume në llogarinë bankare 1707003033301755 në NLB.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat