Edhe një vepër bamirësie e Fondit Humanitar “Trieshi” në Nju-Jork

Sociale

Edhe një vepër bamirësie e Fondit Humanitar “Trieshi” në Nju-Jork

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 17 maj 2018 Në ora: 06:48
Shtëpia

Familja pesëanëtarëshe  e Nikollë Hasanaj nga Treshi, e cila me vite ka jetuar në lagjen Mali i Kakarriqit në Podgoricë  në gjendje jo të mirë të banimit, nga tani e tutje  do të bëjë një jetë shumë më të mirë  jetese nga që  kësaj familje i është rindërtuar shtëpia e re  funksionale. Ky rindërtim është bërë i mundur falë  kontributit   të konsiderueshëm dhe solidaritetit të madh të  njerëzve vullnetmirë e  bamirës  trieshjanë të tubuar në Fondin Humanitar  “ Trieshi” në  Nju-Jork, të cilin e kryeson me shumë sukses Marash Lucaj.   Kjo vepër   njerëzore  e radhës e  vëllezërve trieshjanë  në Nju-Jork  e  gëzoi shumë  familjen Hasanaj,  së cilës  përherë i bënë të mundur sigurimin  e një jete më  me dinjitet, duke e nxjerrë nga  gjendja e pa lakmueshme e banimit. 

Ky kontribut për familjen  e Nikollë Hasanajt u dha  edhe në nderim  të axhës së  tij, Gjergj Hasanaj, njërit ndër themeluesit dhe ish-drejtor i Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”  të Trieshit, njëherazi edhe autor i librit “ Malësori këndon”.

Kryefamiljari Nikolla  tash njëzet vjet është  krejtësisht i verbër. Është invalid. Jeton me bashkëshorten  Kristinën nga Kosova, djemtë  Robertin ( 10 vjeç) e  Rigonin   ( 3 vjeç) dhe vajzën  Renatën ( 6 vjeç).  Ata jetojnë vetëm nga  pensioni i vogël invalidor prej 108 euro dhe nga asistenca sociale në shumë prej 64 euro.  Të gjithë pjesëtarëve të kësaj familje tashmë iu  është rikthyer buzëqeshja. Ata të përlotur nga gëzimi   nuk kursejnë fjalët më të mira  falënderuese  për   donatorët e Fondit  Humanitar “ Trieshi”.

“Ende e kam të pabesueshme që kjo është shtëpia ime. Falënderoj shumë donatorët e Fondit  Humanitar “ Trieshi”.  Ju  falënderoj me gjithë shpirt, që m’i ndihmuat këta fëmijë të rriten në shtëpinë e tyre, si të gjithë fëmijët e tjerë. Ju falënderoj sinqerisht nga zemra. Gjithçka është falë jush, nuk ka lidhje me shtëpinë që ka qenë. Jeni ju ata që e bëtë këtë shtëpi kështu siç shihet sot. Unë,  derisa të jetoj, do t’ju kujtoj dhe s’do t’ju harroj kurrë.  Vetëm ditën që të mbyllen sytë e mi, atëherë do t’ju harroj”, deklaron  Nikollë Hasanaj.

Image

Edhe  gruas së shtëpisë dhe nënës së fëmijëve i shumëfishohet lumturia kur i sheh fëmijët e vet  të rehatuar me një shtëpi funksionale. Kristina  thotë se kjo është hera e parë  prej se është martuar  që derdh lot gëzimi.

“Nga zemra falënderoj  Fondin Humanitar “ Trieshi “që arriti deri këtu, që ne të kemi këto të mira, se unë nuk e kam parë ndonjëherë shtëpinë time kaq të bukur. Ka ndryshuar tërësisht dhe dua të falënderoj   trieshjanët bujarë  që kanë bërë shumë për ne,  që na mundësuan të  kemi një shtëpi  kaq të mrekullueshme  sa s’më besohet. Ju arritët të plotësoni dëshirën time, që unë të jetoj e kënaqur  me burrin dhe fëmijët e mi.Tani jam e lumtur”, rrëfen  Kristinë Hasanaj.

Kështu, pra, bamirësit trieshjanë  të tubuar në fondin e përmendur humanitar   dëgjuan  fjalët e baballarëve të  vet : “ Bir, kur sheh keq , zgjate dorën dhe ndihmoi” . Edhe pse ata jetojnë dhe punojnë  në   Amerikë, në çdo bisedë,  në çdo vend ku shkojnë  mundohen  ta promovojnë  vendin  e tyre  dhe të kontribuojnë  për të.  Ata vazhdimisht  apelojnë tek njëri-tjetri  në diasporë që t’i ndihmojnë vëllezërit dhe motrat e tyre  që kanë nevojë,  sepse,  siç shprehen ata,  ia kemi borxh vendlindjes  tonë.

Fondi  Humanitar “ Trieshi”,  edhe pse i ri për nga formimi,   vitin e kaluar pati  sukses  jashtëzakonisht të madh në grumbullimin e  pothuaj  1 milion   dollarëve për meremetimin e rrugës  ekzistuese automobilistike  të Trieshit  deri në Koritë në gjatësi prej  24 kilometrash.

Përveç kësaj ky  fond, siç  u njoftuam  nga burime të sigurta,  vitin e  kaluar  ka dhënë  13.700  dollarë për pajisjen  me kompjuterë të   Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të Trieshit, ndonëse   ky donacion i çmuar i trieshjanëve larg vendlindjes  ende  nuk dimë   se  është  publikuar në media  nga autoritetet e shkollës.

Me  kompjuterizimin e shkollës fillore të   Trieshit dhe qasjen në internet,  nga ana e trieshjanëve bamirës në Amerikë, shkollarëve të rinj  nga kjo trevë   ( djem e vajza) do t’u  bëhej i mundur  zhvillimi i mësimit në mënyrë bashkëkohore dhe të suksesshme, të cilën gjë mund t’ua kenë lakmi moshatarët e tyre  në shumë shkolla me mësim  në gjuhën shqipe  në Mal të Zi, dhe jo vetëm.  

Fondi Humanitar” Trieshi” poashtu është i gatshëm të financojë edhe ndërtimin e bustit të  Gjergj Kastriotit – Skënderbeut para shkollës fillore te Trieshit me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së tij dhe 50 vjetorit të emërtimit te kësaj shkollë me emrin e heroit tonë kombëtar. 

Me këto, e vepra tjera  madhështore e fisnike,  trieshjanët bamirës  në Amerikë po  përparojnë vendlindjen  dhe po përmirësojnë kushtet për jetesë dhe për shkollim  bashkëvendësve të vet në vatrat e tyre stërgjyshore.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat