Aleanca e Natos dhe Rusia

Speciale

Aleanca e Natos dhe Rusia

Më: 6 janar 2017 Në ora: 23:06
ilustrim

Që nga marrja me forcë e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, si Moska ashtu edhe aleanca e NATO-s kanë vendosur trupa dhe armë përgjatë vijave të vjetra të frontit, ndërsa tensionet janë rritur në shkallën më të lartë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Analistët thonë se rreziqet e një konfrontimi ushtarak janë në nivelin më të lartë në dekada. Ndryshimi i ardhshëm i administratës në Uashington ka të ngjarë të ketë një ndikim të madh në marrëdhëniet mes NATO-s dhe Kremlinit - megjithëse, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, analistët thonë se ka pasiguri të madhe rreth asaj se si do të shpaloset në vitin 2017 epoka e re e tensioneve Lindje-Perëndim.

Raketat Iskander me aftësi bërthamore, u dislokuan nga Moska në tetor të vitit të kaluar në Kaliningrad, në kufi me vendet anëtare të Natos, Poloninë dhe Lituaninë. Rusia ka kryer gjithashtu një seri manovrash ushtarake përgjatë kufirit të saj me perëndimin.

Aleanca e Natos ka vendosur 300 mijë trupa në gadishmëri si dhe ka bërë dislokime të herëpashershme në shtetet në kufi me Rusinë.

Ekziston një rrezik në rritje për përshkallëzim aksidental, paralajmëron ish zyrtari i NATO-s, për informimin në Moskë, John Lough, tani ekspert me organizatën Chatam House në Londër.

“E shoh shumë të rëndësishme të ketë mekanizma që lejojnë instalimet ushtarake të komunikojnë kur është e nevojshme. Të dyja palët duhet të shohin se këtu ka mundësi për përplasje aksidentale.”

NATO po dislokon 4 mijë trupa të tjera në shtetet e Balltikut dhe Poloni gjatë muajve të ardhshme. Parimi themelor i Natos, i mbrojtjes kolektive, po rigjallërohet, thotë zoti Lough.

“NATO-ja po fillon si të thuash nga një nivel i ulët, përsa i takon rindërtimit të kapacitetit të saj mbrojtes. Është një proces që nuk mund të ndodh gjatë natës. Por do të argumentoja se prania e vullnetit politik këtu është në fakt më e rëndësishme.”

Por fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet amerikane ka nxitur pasiguri rreth angazhimit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj forcës kryesore të Nato-s.

Shtetet e Bashkuara shpenzuan 66 miliardë dollarë për mbrojtjen në vitin 2016. Britania, në vendin e dytë, shpenzoi një të dhjetën e kësaj shifre. Presidenti i zgjedhur Trump ka ngritur pikëpyetje rreth barrës financiare të Shteteve të Bashkuara dhe analistët thonë se Moska po vëzhgon me interes.

“Mbrojtja kolektive ka qënë në fakt, të paktën psikologjikisht, shumë frenuese për Rusinë. Trump mund ta ndryshoj këtë llogaritje nëse premton të mos u vijë në ndihmë aleatëve të Natos në situata të nevojshme, nëse ato nuk kanë paguar 2 përqindshin e shpenzimeve të mbrojtjes”, thotë Sarah Lain me Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore.

Lavdërimi që presidenti i zgjedhur Trump i ka bërë udhëheqësit rus Vladimir Putin ka tronditur Ukrainën e cila po Lufton me rebelët pro-Kremlinit në lindje.

“Kjo do ta lejojë ose do t’i japë guximin Rusisë që ndoshta të testojë kufijtë e Natos dhe më tej unitetin e aleancës.”

Është e parakohshme të mendosh se fillimi i marrëdhënieve të Donald Trumpit me Moskën, do të përkthehet në uljen e tensioneve mes dy vendeve, argumenton zoti Lough.

“Do të ketë fusha ku nuk do të jenë dakort. Perceptimi për Iranin për shembull, është një prej tyre dhe mendoj se kjo përballje do të vijë së shpejti.”

Donald Trump përballet gjithashtu me ndasi në vend. Senatorët amerikanë vizituan aleatët e Natos këtë muaj për t’i siguruar për mbështetjen amerikane.

Riarmatimi ka ngritur tensione.. Administrata e re amerikane ka të ngjarë t’i shtojë më shumë pasiguritë në këtë mjedis gjithnjë e më të tensionuar./voa

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat