25-vjetori i Traktatit të Mastrihtit

Speciale

25-vjetori i Traktatit të Mastrihtit

Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 18:39
25-vjetori i Traktatit të Mastrihtit

Sot mbushen 25 vjet nga nënshkrimi i Traktatit të Mastrihtit, i cili mundësoi financimin e Bashkimit Evropian.

Më 7 shkurt të vitit 1992, udhëheqësit evropianë u mblodhën në qytetin Mastriht, të Hollandës për të nënshkruar traktatin që krijoi bashkimin politik.

Traktati shënoi transformimin nga një bashkim ekonomik, i quajtur deri atëherë Komuniteti Ekonomik Evropian, drejt një bashkimi politik të emërtuar Bashkimi Evropian, i cili adoptoi një monedhë të përbashkët dhe idenë e një nënshtetësie evropiane.

Me krijimin e Bashkimi Ekonomik dhe Monetar që konsolidoi përdorimin e një monedhe të përbashkët për të gjitha vendet anëtare, me përjashtim të Danimarkës dhe Britanisë, vendet anëtare duhet të përmbushnin kriteret ekonomike për të shkëmbyer monedhat e tyre, lira, franga etj., me monedhën e re Euro. Rregullat buxhetore të BE-së rezultuan të vështira për t’u ndjekur nga disa vende, në veçanti pas krizës së eurozonës të vitit 2009, që u pasua nga paketa financiare shpëtimi për Greqinë dhe Spanjën.

Traktati u nënshkrua pas muajsh negocimi, për të arritur balancën ndërmjet vendeve që dëshironin një bashkim të plotë dhe atyre që dëshironin një marrëdhënie më të lirshme.

Pasi arriti disa koncensione të rëndësishme, përfshirë të drejtën për të mos marrë pjesë në monedhën e përbashkët, Sekretari i Jashtëm britanik, Douglas Hurd, vendosi firmën në praninë e Presidentit të atëhershëm të Komisionit Evropian, Jacques Delors.

Kur u nënshkrua marrëveshja në vitin 1992, blloku kishte vetëm 12 vende anëtare. Që nga ajo kohë, vendet anëtare të BE-së janë bërë 28, prej të cilave 19 përdorin Euron.

Vitet pas nënshkrimit të marrëveshjes u mbizotëruan nga debate të zgjatura për çështjen se cilat vende duhet të jenë pjesë e saj dhe cilat jo, se si duhej emërtuar monedha e përbashkët, dhe se si duheshin ulur defiçitet për të përmbushur rregullat strikte të anëtarësimit.

Monedha e përbashkët lindi më 1 janar 1999, kur 11 vende anëtare lidhën e nivelit të shkëmbimit të monedhave të tyre me Euron, megjithëse kartëmonedhat e tyre vazhduan të qarkullonin edhe për tre vitet që pasuan.

25-vjetori i Traktatit të Mastrihtit e gjen Bashkimin Evropian në situata të vështira, ndërsa përballet me probleme si pasojat e krizës financiare greke, nivelin e paprecedentë të emigracionit drejt kontinentit evropian, si dhe vendimin e marrë nëpërmjet referendumit britanik për daljen nga BE-ja./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat