Shtatë pikat e errëta të Rezolutës së Parlamentit Evropian ndaj politikanëve dhe qeverisë shqiptare - Bota Sot
Shtatë pikat e errëta të Rezolutës së Parlamentit Evropian ndaj politikanëve dhe qeverisë shqiptare

Speciale

E shtunë, 25 mars 2017

Shtatë pikat e errëta të Rezolutës së Parlamentit Evropian ndaj politikanëve dhe qeverisë shqiptare

Aurenc Bebja Nga Aurenc Bebja Më 17 shkurt 2017 Në ora: 14:08
ilustrim

Rezoluta e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, e datës 15 shkurt 2017, vë në dukje mjaft qartë rrugën e gjatë që duhet të ndjekë vendi ynë me qëllim për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Pasi lexova këtë Rezolutë – të cilën ia kërkova Zyrës së komunikimit të Parlamentit Evropian në versionin francez me qëllim për të kuptuar saktësisht përmbajtjen e saj – dhe pavarësisht interpretimit të saj nga klasa politike shqiptare (si arritje apo dështim), mund të them se në brendësi të dokumentit, të paktën, shtatë pika vënë në shënjestër drejtuesit politikë shqiptarë dhe si arsye na pengojnë (frenojnë) neve si qytetarë shqiptarë hyrjen në BE.

Sigurisht që në Rezolutë ka dhe nota pozitive, por Parlamenti Evropian është mjaft i qartë ndaj politikanëve dhe qeverisë shqiptare. Prandaj, ai :

fton politikanët shqiptarë që të përjashtojnë në zgjedhjet e ardhshme kandidatët me precedentë penalë (Pika 7) ;

inkurajon autoritetet shqiptare që të marrin masa për të lehtësuar mundësinë e votimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit në mënyrë që të votojnë në vendet ku jetojnë (Pika 8) ;

këshillon riforcimin e masava për asgjësimin e kanabisit, të prodhimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri… ; Thekson se policia dhe prokuroria nuk janë në gjendje të identifikojnë rrjetet kriminale përgjegjëse për mbjelljen e drogës (Pika 14) ;

vazhdon të shqetësohet për diskriminimin e grave dhe vajzave që u përkasin shtresave të varfëra, për mungesën e masave të duhura në mbështetjen e tyre, si dhe për frekuencën e dhunës në familje ndaj grave dhe vajzave (Pika 22) ;

ndjen keqardhje ndaj autoriteteve kompetente të cilat deri tani nuk kanë marrë masa për ndekje penale efektive në lidhje me vdekjet që ndodhën gjatë demostratës së 21 janarit 2011 ; u kërkon autoriteteve që të vendoset drejtësia, pa u vonuar, për viktimat e ngjarjeve të asaj dite (Pika 26) ; 

tregon se është thelbësore që të hidhet dritë mbi periudhën komuniste dhe të zbardhen shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera në atë kohë, në mënyrë që të shpallet e vërteta dhe drejtësia për viktimat (Pika 35) ;

vëren me shqetësim se numri i kërkesave për azil të paraqitura nga shtetas shqiptarë në Shtetet anëtare të Bashkimit dhë të gjykuara të pabaza është rritur akoma ; kërkon që qeveria të marrë masa të menjëhershme me qëllim për të trajtuar këtë fenomen dhe të intensifikojë përpjekjet sensibilizuese, sociale dhe ekonomike dhe parandaluese të këtij lloj emigrimi... (Pika 38) ;

Duke iu referuar elementëve të mësipërm, është e qartë se – dhe pa marrë parasysh euroskepticizmin dhe rritjen e nacionalizmit në Perëndim si pengues të hyrjes së Shqipërisë në BE – qeveria shqiptare (e tanishme dhe e ardhshme) është dhe do të jetë përgjegjëse kryesore për zgjidhjen e të gjitha pikave të ngritura nga institucionet evropiane, në mënyrë që të mos shuhet shpresa për tu bërë një ditë pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjithsesi, gjendemi ende shumë larg kësaj dite, dhe në qoftë se politikanët shqiptarë ju premtojnë gjatë fushatës së ardhshme elektorale se Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së gjatë katër vjeçarit të ardhshëm, ju siguroj se do të jetë thjeshtë një premtim dhe asgjë më shumë. Kjo rezolutë e Parlamentit Evropian është mjaft e qartë për ata/ato politikanë e qeveritarë që duan ta kuptojnë.

Komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Organizata “Syri i Popullit”, ka për synim:

    Destabilzimin e Kosovës

    Pengimin e Gjykatës Speciale

    Vrasjen e “tradhtarëve”

    Pengimin e votimit të demarkacionit

    Shiko rezultatet
    test