Politico:com: Sulmet e senatorëve kundër George Sorosit. Si i gjeti propaganda ruse, shtigjet brenda Capitol Hill-it

Speciale

Politico:com: Sulmet e senatorëve kundër George Sorosit. Si i gjeti propaganda ruse, shtigjet brenda Capitol Hill-it

Më: 23 mars 2017 Në ora: 23:22
Soros

Një grup republikanësh në Kongres po bashkohet me politikanë të mbështetur nga Rusia në Europën Lindore, me objektivin për të ndalur një armik të përbashkët: financierin miliarder, George Soros.

Të udhëhequr nga republikani Chris Smith i Nju Xhersit dhe Senatori Mike Lee nga Utah, ligjvënësit konservatorë kanë firmosur një sërë letrash, në të cilat akuzojnë Sorosin se ka përdorur shpenzimet e tij filantrope, për të projektuar ndjeshmëritë e veta liberale në politikën europiane. Siç shkruanin Lee dhe senatorë të tjerë në një letër të 14 marsit drejtuar Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, Fondacionet për Shoqërinë e Hapur të George Sorosit po përpiqen “të çojnë përpara një agjendë progresiste dhe rigjallërojnë të majtën liberale”.

Eshtë një akuzë që po ushqehet dhe mbështetet fort nga Moska.

Sorosi, i cili i mbijetoi pushtimit nazist në vendlindjen e tij, Hungari, dhe u largua pas Luftës së Dytë kur ajo ishte nënkontrollin e sovjetikëve, ka qenë prej kohësh një njeri i urryer për Kremlinin, i cili e sheh financimin prej tij të grupeve të shoqërisë civile në ish shtete satelitë të Bashkimit Sovjetik, si pjesë e një komploti për të sjellë në pushtet qeveri properëndimore.

Për shumë vite, këto ankesa kanë rënë kryesisht në veshë të shurdhër në Uashington.

Ndërkohë që republikanët e kanë parë prej një kohe të gjatë Sorosin, si një armik “për vdekje” kur vjen fjala tek politika e brendshme (atje ku ai ka shpenzuar dhjetëra miliona dollarë në mbështetje të kandidatëve demokratë dhe kauzave liberale), politikat e tyre kanë qenë më të bashkërenduara në skenën ndërkombëtare. Përpjekjet e Sorosit për të fuqizuar demokracinë dhe çrrënjosur korrupsionin në vendet e ish Bllokut Lindor, përputheshin me objektivat tradicionale të politikës së jashtme të republikanëve.

Por gjërat mund të kenë filluar të ndryshojnë, pas fitores së befasishme të Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale, pas një fushate ku ai vuri theksin në temat nacionaliste. Politikanë me elektorate nacionaliste në shumë shtete të ish Bllokut Lindor janë bërë gjithnjë e më agresivë në kërkimin e mbështetjes ndërkombëtare, për kryqëzatën e tyre kundër Sorosit, dhe duket se më në fund kanë gjetur disa mbështetës në Uashington.

Fokusi i veçantë i letrave nga Lee, Smith dhe grupi i tyre, janë shpenzimet e kryera nga fondacionet e Sorosit në Maqedoni, një ish republikë socialiste e mbërthyer nga një krizë politike 2-vjeçare, dhe në një masë më të vogël, në fqinjin e saj perëndimor, Shqipërinë. Në ish vendin komunist, i cili ka vuajtur akuzat për korrupsion, një letër shprehte shqetësimin se “organizatat e mbështetura nga Sorosi” po shtyjnë përpara reforma “qëllimi final i të cilave është t’i japin Kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë, kontroll të plotë mbi gjyqësorin”.

Letrat, të cilat i kërkojnë Departamentit të Shtetit dhe Zyrës së Llogaridhënies informacion në lidhje me financime të ndihmës së jashtme të SHBA për grupet e Sorosit në Ballkan, erdhën pas lobimit të partisë së krahut të djathtë që kërkon të mbajë pushtetin në Maqedoni, VMRO-DPMNE.

Chris Stone, president i Fondacioneve për Shoqërinë e Hapur, sugjeroi se regjimet autokrate e shohin ngjitjen e Trumpit si një carte blanche për t’u rezistuar reformave, dhe injoruar ata që i propozojnë ato.

“Autoritarët, që sot janë pagëzuar si ‘joliberalë’ i janë kundërvënë prej kohësh George Sorosit dhe vizionit të një shoqërie të hapur, por ata janë inkurajuar prej fitores së Trumpit për të shkuar edhe më tej”, tha Stone për Politico.

Deri tani, lobimi i republikanëve kundër përpjekjeve të Sorosit në Maqedoni nuk ka arritur shumëçka. Por përfshirja e disa republikanëve me profil të lartë, duke përfshirë Senatorin e Teksasit, Ted Cruz, po shkakton habi në komunitetin amerikan të politikës së jashtme, i cili po vëren influencën e keqe të Moskës, tek gjen shtigje në Capitol Hill.

Rusia po përpiqet të shfrytëzojë krizën në Maqedoni, për të mbjellë mosbesim ndaj SHBA dhe të fusë partinë e djathtë në orbitën e saj, thonë analistët e rajonit. Dhe shqetësimi i ligjvënësve republikanë – se SHBA, sipas letrës së Lee për Tillerson “po shkakton trazira politike, po shfaq mungesë respekti ndaj sovranitetit kombëtar dhe shoqërisë civile” – i jep Moskës një forcë të madhe propagandistike, paralajmërojnë ata.

Faqet ruse në gjuhën angleze të kontrolluara nga shteti, nxituan që t’u bëjnë jehonë letrave të Lee dhe Smith, duke i tundur ato, si provë që SHBA është fajtore, ekzaktësisht për atë gjë për të cilën akuzon se ka bërë Rusia në vitin 2016 – ndërhyrjen në politikën e një shteti tjetër.

“Senatorët i kërkojnë Tillersonit që të hetojë ‘nxitjen e trazirave’ në vende të tjera”, shkruante Russia Today.

Sputnik Neës shkruante për letrën e Lee, nën titullin: “Akuzat e përmbysura: A kanë hacker-uar Obama dhe Sorosi zgjedhjet në vende të tjerë”?

Pretendimet kanë gjetur jehonë dhe në media të djathta në SHBA, që nga faqja konspirative Infowars, deri tek Fox News.

“Akuzë e dalë drejtpërdrejtë nga libri i skenarëve të Rusisë – ideja që disa OJF amerikane po nxisin demonstrata, është njësoj si caktimi CIA-s, i fuqive që nuk i ka”, tha një analist politik me njohuri për Ballkanin. “Rusët kanë përdorur gjithë taktikat në dispozicion, dhe është një mënyrë shumë e pakushtueshme për të trazuar ujërat”.

Politikanët maqedonas dhe një grup i njohur si Ndal Operacionin Soros mohojnë një përfshirje direkte të Rusisë në përpjekjet e tyre. Por ata pranojnë se Moska ka shfaqur interes. Një prej themeluesve të Ndal Operacionin Soros, Cvetin Chilimanov, vuri re një ushtri portalesh që postonin për demonstrata masive kundër Sorosit, të cilat në fakt nuk kanë ndodhur kurrë.

“Unë nuk jam naiv”, tha Chilimanov, i cili ka dhënë disa intervista për Russia Today dhe Sputnik Neës. “E kuptoj që do të ishin të lumtur ta përdornin këtë”.

Maqedonia, një republikë ish socialiste, e vogël dhe me diversitet etnik, që u shkëput nga Jugosllavia në 1991, u shndërrua në një front të ri në lojërat gjeopolitike në Kongres, kur një anëtar i parlamentit nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, i quajtur Vladimir Gjorcev, solli çështjen e Sorosit në vëmendjen e Smithit, sipas Aleksandar Nikoloskit, një zëdhënës i partisë. Gjorcev dhe smith njihen nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, një forum rajonal për sigurinë, dhe ata janë lidhur edhe më prej angazhimit të përbashkët ndaj vlerave tradicionale, si kundërshtimi i martesave të homoseksualëve dhe abortit. Gjorcev takohet shpesh me Smithin kur viziton Uashingtonin, gjë që e ka bërë tre herë në vitin 2017.

Smithi ka qenë një kritik i fortë i përpjekjeve ndërkombëtare për hvillim të administratës Obama, të cilën e ka akuzuar se është përpjekur të përhapë ideologjinë liberale. Akuzat e Gjorcevit kundër Sorosit gjejnë jehonë tek republikanët që e shohin megadonatorin si gogol. Disa prej tyre madje e kanë akuzuar, pa prova, se ka financuar protestat kundër Trumpit.

Historia që “George Sorosi është rrënja e gjithë të këqiave tërheq disa njerëz”, tha një ish ndihmës republikan në Senat.

Smith dhe pesë republikanë të tjerë i dërguan fillimisht një letër më 17 janar, ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni, Jess Baily, duke e akuzuar atë se ka favorizuar partinë e krahut të majtë. Të pakënaqur me përgjigjen e Departamentit të Shtetit më 6 shkurt, deputetët i kërkuan Zyrës së Llogaridhënies të Qeverisë, në 24 shkurt, për të hetuar financimet nga ana e USAID-it, për Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Sorosit. Ligjvënësit thanë se USAID është duke financuar një “agjendë progresive” në Ballkan përmes fondacionit Soros dhe akuzuan ambasadorin e SHBA për “ndërhyrje aktive në politikat partiake të Maqedonisë … duke favorizuar grupet me prirje të majta, në dëm të të tjerëve”.

Këto ankesa duket se kanë dalë prej një dokumenti të përgatitur nga Ndal Operacionin Soros, që iu shpërnda anëtarëve të Kongresit, duke përfshirë edhe Senatorin Lee, në janar. Dosja me 38 faqe përmban një numër pretendimesh të pambështetura, duke përfshirë edhe atë që USAID dhe Sorosi po synojnë një “kontroll të plotë të mediave… me objektiv final, vendosjen e një kontrolli total të në vend, në interes të Sorosit”.

Zyra e Smith nuk iu përgjigj kërkesave për koment, por ai i zgjeroi shqetësimet e tij gjatë një interviste të fundit radiofonike me Tony Perkinsin, e Këshillit të Kërkimeve Familjare, grup presioni konservatorësh të krishterë. “Ne nuk duhet të marrim asnjë anë”, tha Smith. “Duhet të ketë një rishikim nga lartë-poshtë të të gjithë financimeve të Departamentin e Shtetit, për të siguruar që këto lloj lëvizjesh agresive partiake, të mos ndodhin”.

Departamenti i Shtetit mohon çdo lloj favoritizmi të tillë. Baily, një diplomat karriere, tha se roli i tij në vend, që ka përfshirë ndihmën për ndërmjetësimin e krizës politike të Maqedonisë, nuk ishte as i pazakontë e as i njëanshëm.

“Ne u ftuam dhe u mirëpritëm nga partitë për të ndërmjetësuar”, tha Baily në një intervistë për POLITICO. “Krizat politike zakonisht janë zgjidhur me një përfshirje domethënëse nga Europa dhe SHBA”.

Sipas Departamentit të Shtetit, USAID ka dhënë vetëm tre grante për Fondacionin Shoqëria e Hapur-Maqedoni gjatë 15 viteve të fundit, kryesisht për iniciativat e arsimit, që përfshijnë popullsinë etnike rome të vendit. “Financimi për Fondacionin Shoqëria e Hapur-Maqedoni për Projektin e Shoqërisë Civile përbën vetëm 8 për qind të asistencës tonë të përgjithshme, gjatë pesë viteve të fundit,” tha Drejtori i Misionit të USAID-it për Maqedoninë, Jim Stein. “Ka shumë ekzagjerim dhe shtrembërim në atë dokument”.

Në një letër të 9 shkurtit, nga Departamenti i Shtetit për Lee, hidheshin poshtë akuzat me më shumë detaje, duke mbrojtur përpjekjet për ndërmjetësim të SHBA-BE-së dhe duke vënë në dukje shqetësimet në rritje për klimën politike të përkeqësuar të Maqedonisë.

Nga ana e vet, Fondacioni për Shoqërinë e Hapur thotë se ka punuar me organizata të pavarura që mbështesin “qeverisjen e mirë, të drejtat e njeriut dhe llogaridhënien” në Maqedoni, që nga fillimi i viteve 1990, dhe ka punuar në partneritet me qeverinë e SHBA, për të administruar grante për këto grupe, nën presidentë nga të dy palët.

Mosmarrëveshja vjen në mesin e një krize politike të thellë në Maqedoni, pas publikimit të bisedave të përgjuara, që tregonin se zyrtarë të qeverisë abuzonin me pushtetin, ndërkohë që zbulime të tjera tregonin përgjimin e paligjshëm të gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë të qeverisë. Lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, dha dorëheqjen si kryeministër në janar, pas presionit nga SHBA dhe BE, por partia e tij mbetet fraksioni më i madh në parlament. Në dhjetor, Gruevski fajësoi Sorosin për trazirat e vazhdueshme dhe bëri thirrje për një proces të “de-Soroisizimit”.

Zyrtarisht, VMRO-DPMNE është pro-perëndimore, por Gruevski ka mirëpritur mbështetjen ruse, në përgjigje të asaj që ai e percepton si anshmëri të Ambasadës së SHBA me opozitën e majtë. Më 1 shkurt, ai u takua me ambasadorin rus në Maqedoni, i cili përmendi tërthorazi forca (pa emër) që “përhapin jostabilitet dhe pasiguri në vend” – duke iu referuar Sorosit. Ministria e jashtme ruse lëshoi një deklaratë një ditë më vonë, ku paralajmëronte në lidhje me “influencat e vazhdueshme të huaja në Maqedoni, nën slogane pseudo-demokratike”, dhe shprehu mbështetje për VMRO-DPMNE-në. Rusia kohët e fundit e ka shtuar personelin e ambasadës së saj në Maqedoni.

“Strategjia e Gruevskit është që të sjellë Rusinë në anën e vet, duke menduar se amerikanët do të jenë në anën e socialdemokratëve”, thotë Daniel Server, ekspert rajonal në Shkollën “John Hopkins”, për Studime të Avancuara Ndërkombëtare. “Ai (Gruevski) thotë: Ne nuk jemi Rusofilë, por ajo që ai po bën, është që të kërkojë mbështetje, kudo që mund ta gjejë”.

“Eshtë një lloj një treguesi më i gjerë, i një sulmi ndaj think tankeve, organizatave jofitimprurëse dhe shoqërisë civile në Maqedoni”, thotë Sarah Bedenbaugh, drejtore e asociuar e Nismave për Bashkimin Evropian në Këshillin e Atlantikut.

Duke marrë sugjerim nga Gruevski, Chilimanov dhe dy personalitete të tjera të mediave të krahut të djathtë formuan Ndal Operacionin Soros në janar, duke marrë mbulim të gjerë në mediat ruse. Chilimanov ishte një anëtar i VMRO-DPMNE-së deri në vitin 1999, kur u bë një gazetar. Në një moment ai ishte korrespondent në Uashington, por tani është redaktor i lajmeve në anglisht, në Agjencinë Shtetërore të Lajmeve të Maqedonisë.

Chilimanov tha se grupi, të cilin ai e përshkroi si një operacion me mjete të vogla, pa shpenzime të mëdha, si dhe pa financim nga jashtë, nuk ka përkatësi apo koordinim me VMRO-DPMNE. “Unë kam punuar për këtë gjë prej një kohe të gjatë, por unë mendoj se tani është gjithashtu momenti i duhur në SHBA, që njerëzit të angazhohen”, tha ai.

Afërsisht në po të njëjtën kohë që Chilimanov dërgoi dosjen e tij, ministri i mbrojtjes i Maqedonisë, Zoran Jolevski, vizitoi Uashingtonin për inaugurimin e Trumpit dhe u takua me senatorë, duke përfshirë Lee, Cruz dhe Jim Inhofe i Oklahomas, i cili gjithashtu ka firmosur letrën e Lee për Tillerson. (Chilimanov u takua edhe me John McCainin, i cili nuk e ka firmosur letrën.)

Por lëvizja anti-Soros tashmë shtrihet përtej Maqedonisë. Në një fjalim televiziv kombëtar në shkurt, Viktor Orban, lider pro-rus i ekstremit të djathtë në Hungari, fajësoi Sorosin për gjoja ndërhyrje në politikën e brendshme të vendit të tij. “Grabitqarë të mëdhenj po notojnë në ujërat tona. Kjo është perandoria trans-kufitare e George Sorosit, me tonelata parash dhe artileri të rëndë ndërkombëtare”, tha Orban. “Eshtë duke shkaktuar probleme … ata janë duke u përpjekur në mënyrë të fshehtë dhe me para të huaja, për të ndikuar në politikën hungareze”. / bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat