Pandehëm se Evropa e vjetër “po vdiste”. Nuk duket aspak kështu sot

Speciale

Pandehëm se Evropa e vjetër “po vdiste”. Nuk duket aspak kështu sot

Nga: Anne Applebaum Më: 20 qershor 2017 Në ora: 06:57
Macron dhe rinia franceze

Kontrasti nuk mund të jetë më i fortë. Theresa May, kryeministrja britanike, kryeson mbi një parlament të varur në fije të perit dhe një vend të ndarë. Donald Trump, presidenti amerikan, udhëheq përkrah një Kongresi pothuajse të paralizuar për të nxjerrë ligje. Në të dy vendet, lëvizjet dhe idetë e ekstremit të majtë dhe të ekstremit të djathtë kanë më shumë përkrahës se kurrë. Debati politik është i mbushur me zemërim dhe me urrejtje – si dhe i dhunshëm. Njerëz të armatosur kanë qëlluar tashmë ligjvënës në Uashington, majtas dhe djathtas. Në Britani vitin e kaluar, një deputet u vra në atentat.

Ndërkohë, Emmanuel Macron, presidenti i ri francez, po arrin diçka të jashtëzakonshme: Partia e tij e re e qendrës, “Republika në lëvizje”, është në rrugë të mbarë për të fituar një shumicë të gjerë dhe të paparë në parlamentin francez. Angela Merkel, kancelarja gjermane, ndoshta do të rizgjidhet për një mandat të tretë në shtator, nga votues të cilët ende favorizojnë në shumicë partitë e qendrës. Edhe në Itali, ku zërat  për një rritje të populizmit, kohët e fundit janë bërë më të fortë, votuesit e refuzuan atë parti në numër të madh, në zgjedhjet lokale.

E mbani mend Evropën e Vjetër? Thuhej se po vdiste, po bëhej e parëndësishme, ishte një “kufomë” në të cilën britanikët nuk donin të kalbeshin – dhe tani, papritmas, nuk është më. Papritmas duket më e qëndrueshme, më shpresëdhënëse, dhe sidomos më shumë konsensuale. Diskutohet për reforma dhe rinovim, jo ??revolucion. Rritja ekonomike është rritur. Parashikimet për rritje të ekstremit të djathtë nuk kanë arritur të materializohen.

Parisi dhe Berlini janë të bashkuar dhe të sigurt, ndërsa Uashingtoni dhe Londra janë të ndara dhe jofunksionale. Diçka është e kalbur në botën anglo-saksone, ose së paku në boshtin e saj SHBA-Mbretëri e Bashkuar. Megjithëse është shumë herët për të qenë definitivë, më poshtë po parashtroj disa supozime përse ka ndodhur kjo:

Pabarazia: Në terma relative, Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë pabarazi më të larta se sa pjesa tjetër e botës së zhvilluar – sigurisht më shumë se Gjermania dhe Franca. Megjithëse është e vështirë të vërtetohet se ajo është rritur – disa tregues thonë se pabarazia në fakt ka rënë që nga viti 2008 – në të dy vendet, perceptimi i pabarazisë është i fortë. Kjo mund të ndodhë sepse secili prej tyre ka toleruar lindjen e një oligarkie: Rrogat e larta për drejtuesit e korporatave, përhapja e pasurive të paluajtshme luksoze dhe miliarderët e kudondodhur, në media dhe politikë, mund të ndikojnë në mënyrën se si votojnë njerëzit.

Shpenzime të ulëta sociale: Në terma relative, Britania dhe Shtetet e Bashkuara e bëjnë më pak këtë. Shtetet e Bashkuara janë në pjesën e poshtme të spektrit, dhe Britania është më afër mesit, shumë më poshtë Gjermanisë dhe Francës. Edhe këtu perceptimet mund të jenë të rëndësishme. Në Shtetet e Bashkuara, debati për kujdesin shëndetësor e kanë radikalizuar këtë çështje. Në Britani, buxhetet e kursimit (që nuk arritën t’i jepnin fund defiçiteve) ulnin shpenzimet sociale, në mënyra që njerëzit i vinin re. Zjarri i tmerrshëm i rrokaqiellit në Londër këtë javë, ka bërë që të ngrihen pyetje rreth shkurtimeve të kohëve të fundit, në buxhetet e departamenteve të zjarrfikësve.

Gjuha angleze: Duket e çuditshme, por mendojeni pak – përdorimi i gjuhës angleze si gjuhë e tregtisë botërore ka qenë avantazh për tregtinë në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, por gjithashtu ka bërë që ekonomia dhe politika e të dy vendeve, të jenë më të hapura për ndikimet e jashtme, më të vështirë për t’u rregulluar e si pasojë, më të paqëndrueshme. Anglishtja gjithashtu është bërë gjuha e revolucionit dixhital dhe e internetit. Teknologjitë e reja përdoren së pari në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani, dhe eksperimentimi është i shëndetshëm, por gjithashtu mund të krijojë pengesa dhe pakënaqësi. Thirrja e jashtëzakonshme dhe e papritur e nostalgjisë politike në të dy vendet – për vitet ’50, për një “kohë më të thjeshtë” – mund të pasqyrojë faktin që secili ka patur kaq shumë “turbulenca” kohët e fundit.

Efekti Brexit / Trump: Në kundërshtim me pritshmëritë, referendumi i Brexit dhe spektakli i rrëmujës politike britanike kanë çuar në një rritje të mbështetjes për Bashkimin Evropian dhe për politikën e qendrës, në të gjithë kontinentin. Presidenti Trump dhe kaosi në Shtëpinë e Bardhë kanë dëmtuar gjithashtu mbështetjen për partitë që perceptohen si aleate të tij. Norbert Hofer në Austri, Geert Vilders në Holandë dhe Marine Le Pen në Francë dolën shumë më keq se sa pritej në zgjedhjet e fundit. E djathta ekstreme po tkurret edhe në Gjermani. Lidhjet e Trumpit me Theresa Mayn e Britanisë mundet që ta dëmtojnë kryeministren.

Votimi: Në një epokë ndryshimesh politike, përfaqësimi proporcional dhe sistemet e përziera prodhojnë një gamë më të gjerë dhe më fleksibël të partive politike, sesa sistemet binare anglo-saksone. Partitë e mëdha, të cilat në fakt janë koalicione – republikanët, demokratët, konservatorët dhe laburistët – janë më të vështira për t’u menaxhuar dhe për t’u reformuar në një epokë ndryshimi. Në pamundësi për të gjetur ndonjë gjë që u pëlqen nga ajo që ofrohet në një sistem politik “të ndenjur”, votuesit mbështesin “të jashtmit”, siç janë Trump dhe laburisti Jeremy Corbyn. Është e vështirë të imagjinohet një parti e re, si “Republika në Marshim” e Macron, të lindë në Shtetet e Bashkuara ose në Britani.

Krenaria: Të dyja Britania – ose më mirë, Anglia – dhe Shtetet e Bashkuara mbeten të bindura për jashtëzakonshmërinë e tyre. Një pjesë e rëndësishme e klasave politike të secilit vend – ndjekësit e “America first”, disa nga ndjekësit e Brexit – ende beson se mund të “ecë përpara vetëm” dhe të jetojnë të lumtur, pa aleatë. Votuesit francezë dhe gjermanë kanë përvojë të kundërt historike. Shumica ende duan të jenë pjesë e aleancave ekonomike dhe ushtarake. Brezat e vjetër në veçanti frikësohen nga ekstremizmi dhe janë më të kujdesshëm, sesa ekuivalentët e tyre anglo-saksonë.

Fati: Nëse disa votimet do të kishin shkuar ndryshe gjatë dy viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Britania mund të qeveriseshin kollaj, respektivisht, nga Hillary Clinton dhe David Cameron. Dhe kështu nuk do të ishim duke folur për asnjë nga këto gjëra. / The Washington Post – Bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat