Nuk është më e mundur të bësh luftë. E fundit ishte ajo e Krimesë

Speciale

Nuk është më e mundur të bësh luftë. E fundit ishte ajo e Krimesë

Më: 24 korrik 2017 Në ora: 18:54
ilustrim

Dekadat e fundit kanë qenë epoka më paqësore në historinë e njerëzimit. Për herë të parë në histori, më pak njerëz vdesin sot nga dhuna njerëzore, sesa nga aksidentet e trafikut, obeziteti apo edhe vetëvrasjet. Ndërsa në shoqëritë e hershme bujqësore dhuna njerëzore shkaktonte deri në 15% të të gjitha vdekjeve, dhe në shekullin e njëzetë ajo shkaktoi 5%, sot ajo është përgjegjëse për vetëm rreth 1% të vdekjeve. Megjithatë klima ndërkombëtare po përkeqësohet me shpejtësi; luftënxitja është kthyer në modë, dhe shpenzimet ushtarake janë duke u shtuar. Si njerëzit e zakonshëm, ashtu edhe ekspertët tremben se, ashtu sikurse në vitin 1914 vrasja e një duke austriak ndezi Luftën e Parë Botërore, në vitin 2017, një incident në shkretëtirën siriane ose një lëvizje e pamatur në Gadishullin Korean, mund të ndezë një konflikt global.

Megjithatë, ekzistojnë disa dallime kyçe ndërmjet viteve 2017 dhe 1914. Në atë kohë, lufta ishte shumë joshëse për elitat në mbarë botën, sepse ata kishin shembuj konkretë, se sa shumë sukseset e luftës kontribuojnë në suksesin ekonomik dhe fuqinë politike. Tani, luftërat e suksesshme duket të jenë një specie e rrezikuar.

Që nga kohët e Asirisë dhe Romës, perandoritë e mëdha ndërtoheshin zakonisht nga luftërat dhe elitat në vitin 1914 kishin shumë shembuj, për përfitimet e mëdha që mund të sjellë një luftë e suksesshme. Në vitet 1846-48, Shtetet e Bashkuara pushtuan Meksikën dhe përkundrejt çmimit të 13,000 ushtarëve amerikanë të vdekur, mori Kaliforninë, Nevadën, Utahun, Arizonën, Nju Meksikon dhe pjesë të Kolorados, Kansasin, Uajomingun dhe Oklahomën. Ishte ujdia e mijëvjeçarit. Në po të njëjtën mënyrë, Japonia perandorake shijoi fitoret e veta mbi Kinën dhe Rusinë. Gjermania glorifikoi triumfin e saj mbi Francën. Pothuajse çdo fuqi e madhe kishte një varg të shkëlqyer luftërash të vogla koloniale nën emrin e vet. Kur Franca, Britania apo Italia mendonin të vendosnin trupat në terren në Vietnam, Nigeri apo Libi, frika e tyre kryesore ishte se dikush tjetër mund të shkonte atje më parë.

Në vitin 2017, elitat globale as nuk e dinë se si ngjan një luftë e suksesshme. Mund të kenë lexuar për to në librat e historisë, dhe mund të kenë parë rikrijime magjepsëse në kinema, por kanë arsye të fortë të dyshojnë se kjo lloj lufte është zhdukur. Ndonëse disa diktatorë të botës së tretë dhe aktorë joshtetërorë vazhdojnë të lulëzojnë përmes luftërave, duket se fuqitë e mëdha nuk po dijnë më se si ta bëjnë këtë.

Fitorja më e madhe në historinë e atyre që janë gjallë – ajo e SHBA kundër Bashkimit Sovjetik – u arrit pa një konfrontim të madh ushtarak. SHBA mori një shije të fitores ushtarake si në kohët e vjetra, gjatë Luftës së Parë të Gjirit – që vetëm sa e tundoi të harxhojë triliona dollarë në fiasko poshtëruese ushtarake, në Irak e Afganistan. Kina, fuqia në ngjitje e fillimshekullit 21, ka shmangur të gjithë konfliktet ushtarake që nga aventura në Vietnam në vitin 1979, dhe ngjitja e saj ka ardhur për faktorë që janë vetëm ekonomikë. Në këtë drejtim, ka ndjekur shembullin jo të perandorive japoneze dhe gjermane të epokës para vitit 1914, por mrekullitë ekonomike jo të dhunshme të Japonisë dhe Gjermanisë, në epokën pas vitit 1945.

Edhe në Lindjen e Mesme, fuqitë rajonale nuk dinë si të bëjnë luftëra të suksesshme. Irani nuk fitoi asgjë nga gjakderdhja e gjatë e Luftës Iran-Irak dhe më pas i shmangu të gjitha konfrontimet e drejtpërdrejta ushtarake. Ai u bë hegjemoni rajonale, pasi dy armiqtë kryesorë – SHBA dhe Iraku – u përfshinë në një luftë që shkatërroi, edhe Irakun, edhe oreksin amerikan për ngatërresa në Lindjen e Mesme.

E njëjta gjë mund të thuhet për Izraelin, i cili e zhvilloi luftën e fundit të suksesshme, pesëdhjetë vjet më parë. Që nga viti 1967, Izraeli ka përparuar PAVARESISHT shumë luftërave që ka bërë, dhe jo PREJ atyre. Territoret e pushtuara janë një barrë e rëndë ekonomike dhe një përgjegjësi e madhe politike. Ashtu si Irani, kohët e fundit Izraeli ka përmirësuar pozicionin e vet gjeopolitik jo duke kryer luftëra të suksesshme, por duke shmangur zhytjen në luftërat që shkatërruan Irakun, Sirinë dhe Libinë.

E vetmja luftë e suksesshme e zhvilluar nga një fuqi e madhe ka qenë pushtimi rus i Krimesë. Megjithatë, ajo u bë e mundur nga një seri e jashtëzakonshme rrethanash: Ushtria ukrainase nuk shfaqi rezistencë; fuqitë e tjera nuk ndërhynë; dhe popullata e Krimesë ose i mbështeti pushtuesit, ose e pranoi pushtimin si një fakt të kryer. Këto rrethana do të jenë të vështira për t’u rikrijuar. Nëse parakushti për një luftë të suksesshme është mungesa e armiqve të gatshëm për të bërë rezistencë, ajo i kufizon të gjitha mundësitë në dispozicion.

Në të vërtetë, kur Rusia u përpoq të riprodhonte suksesin e saj në Krime, në pjesë të tjera të Ukrainës, ajo ndeshi në kundërvënie më të ashpër dhe lufta në Ukrainën lindore u shndërrua në një bllokazh aspak produktiv. Pushtimi i fabrikave të shkatërruara të kohës sovjetike në Luhansk dhe Donetsk, vështirë se paguan për luftën, dhe sigurisht nuk i kompenson kostot e sanksioneve ndërkombëtare.

Pavarësisht nga pushtimi i Krimesë, duket se në shekullin XXI strategjia më e suksesshme është të ruash paqen tënde, dhe t’i lësh të tjerët që të bëjnë luftën për ty. Pse është bërë kaq e vështirë për fuqitë e mëdha, që të bëjnë luftëra të suksesshme?

Një arsye është ndryshimi në natyrën e ekonomisë. Në të kaluarën, nëse e mundje armikun tënd në fushën e betejës, mund të fitoja para me plaçkitjen e qyteteve të armikut, duke shitur civilë armikë në tregjet e skllevërve dhe duke përvetësuar fushat pjellore dhe minierat e arit. Megjithatë, në shekullin e njëzet e një, vetëm pak fitime mund të nxirreshin në këtë mënyrë. Sot, asetet kryesore ekonomike përbëhen nga njohuritë teknike dhe institucionale – dhe nuk mund të fitosh njohuri përmes luftës. Një organizatë si ISIS mund të lulëzojë duke grabitur qytete dhe puse të naftës në Lindjen e Mesme – në vitin 2014, ISIS fitoi më shumë se 500 milionë dollarë nga bankat irakiane dhe në vitin 2015 fitoi 500 milionë dollarë të tjera nga shitja e naftës. Por Kina dhe SHBA nuk kanë gjasa të fillojnë një luftë për një miliardë dollarë. Sa i përket shpenzimit të miliarda dollarëve në një luftë kundër Shteteve të Bashkuara, si mund t’i rifitonte Kina këto shpenzime dhe të kompensonte të gjitha, dëmet e luftës dhe humbjen e mundësive në tregti? A do mundte Ushtria Çlirimtare Popullore, të plaçkiste pasuritë e Silicon Valleyt? E vërtetë, korporatat si Apple, Facebook dhe Google kanë vlerë qindra-miliarda dollarë, por nuk mund t’i marrësh këto pasuri me forcë. Nuk ka miniera silikoni në Silicon Valley.

Një luftë e suksesshme mundet që, teorikisht, të sjellë fitime të mëdha duke i mundësuar fitimtarit të korrigjojë sistemin e tregtisë globale në favor të tij, siç bëri SHBA pas fitores ndaj Hitlerit. Sidoqoftë, teknologjia ushtarake e sotme do ta bënte jashtëzakonisht të vështirë për të përsëritur këtë sukses. Për definicion, fitimet shumë të mëdha që do të bënin t’ia vlente një luftë globale për fitimtarët, do ta bënin gjithashtu të vlefshme për humbësin, që të përdorte armët e shkatërrimit në masë. Bomba atomike e ka shndërruar “fitoren” në një Luftë Botërore, në vetëvrasje kolektive. Nuk është rastësi që, nga koha e Hiroshimës, superfuqitë nuk kanë luftuar drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën dhe janë angazhuar vetëm në konflikte me palë të treta, në të cilët askush nuk është tunduar të përdorë armë bërthamore, për të shmangur humbjen. Në të vërtetë, edhe sulmi ndaj një fuqie bërthamore të nivelit të dytë, si Irani apo Koreja e Veriut, është një propozim jashtëzakonisht jo tërheqës.

Lufta kibernetike i përkeqëson gjërat për imperialistët e mundshëm. Deri edhe në kohën e Bushit, SHBA mund të bënte kërdinë larg në në Falluxha, ndërsa irakianët nuk kishin mjete për t’u hakmarrë kundër San Franciskos. Por nëse Shtetet e Bashkuara tani sulmojnë një vend që zotëron madje edhe aftësi të moderuara të luftës kibernetike, viruset dhe bomba logjike mund të ndalojnë trafikun ajror në Dallas, të shkaktojnë përplasje trenash në Filadelfia dhe të nxjerrin jashtë loje rrjetin elektrik në Miçigan.

Në epokën e madhe të pushtuesve, lufta ishte një biznes me pak dëme dhe shumë fitime. Në betejën e Hastings në vitin 1066, Uilliam Pushtuesi fitoi të gjithë Anglinë në një ditë të vetme, me koston e disa mijëra të vdekurve. Armët bërthamore dhe lufta kibernetike, nga ana tjetër, janë teknologji me kosto të ulët që bëjnë shumë dëm. Ju mund të përdorni mjete të tilla për të shkatërruar shtete të tëra, por jo për të ndërtuar perandori fitimprurëse. Prandaj, në një botë të mbushur me kanosje, ndoshta garancia jonë më e mirë për paqen, është se fuqitë e mëdha nuk kanë ndonjë shembull të kohëve të fundit, të një lufte të suksesshme. Ndërsa Genghis Khani ose Jul Çezari do të pushtonin një vend të huaj me një të rënë të kapelës, oficerët e ditëve të sotme flasin me zë të lartë, por janë shumë të kujdesshëm në fakt, kur flitet për fillimin e luftërave. Natyrisht, nëse dikush gjen një formulë për të fituar luftra të suksesshme në kushtet e shekullit njëzetë, portat e ferrit mund të hapen me shpejtësi. Kjo është ajo, që e bën suksesin rus në Krime një shenjë veçanërisht të frikshme. Le të shpresojmë se do të mbetet një shembull i izoluar. Megjithëse, edhe në qoftë se është e pamundur të bësh luftëra të suksesshme në shekullin e 21, kjo nuk na jep një garanci absolute për paqen. Kurrë nuk duhet ta nënvlerësojmë marrëzinë njerëzore.

* Harari është autor i “Sapiens: A Brief History of Humankind” dhe “Homo Deus: A Brief History of Tomorrow” / Përgatiti: Bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat