Fundi i globalizimit. Një rikthim në epokën para Kolombit? - Bota Sot
Fundi i globalizimit. Një rikthim në epokën para Kolombit?

Speciale

E diel, 17 dhjetor 2017

Fundi i globalizimit. Një rikthim në epokën para Kolombit?

Nga: Stephen D. King Më: 25 shtator 2017 Në ora: 22:54
Ilustrim

Bota mund të jetë në prag të një epoke tjetër. Jetët tona janë formuar nga një botë “post-Kolombit”, e dominuar nga Evropa dhe nga “degët” e saj transatlantike. Jetët e fëmijëve tanë mund të dominohen nga një kthim në një botë “para Kolombit”, në të cilën Rrugët e Mëndafshit të lashtësisë, bëhen përsëri arteriet kryesore të tregtisë, financës dhe pushtetit. Shtetet e Bashkuara mund të ndjehen rehat, që të hyjnë në një periudhë tjetër izolacionizmi. Megjithatë, Europa nuk është më e sigurt, nëse e ardhmja e saj shërbehet më mirë nga lidhjet politike me Shtetet e Bashkuara tashmë më pak entuziaste, apo me shanset ekonomike që rrjedhin nga një lindje e para Kolombit, por më autoritare

Shumë kohë përpara se Britania e Madhe të votonte për t’u larguar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështesnin një president me slogan “Amerika e para”, marrëdhënia e dashurisë e perëndimit me globalizimin po fillonte të prishej.

Ndoshta, 1989 ishte viti në të cilin kjo lidhje dashurie arriti kulmin e saj. Muri i Berlinit u shemb. Politologu Francis Fukuyama shpalli “fundin e historisë”. Demokracitë liberale perëndimore dhe kapitalizmi i tregut të lirë kishin triumfuar. Pas kësaj, kufijtë ekonomikë u tkurrën më tej. Bota u pasurua. Siç duket, globalizimi ishte i dëshirueshëm dhe i pashmangshëm.

Megjithatë, jo për herë të parë, palëkundshmëria në dukje e integrimit ndërkombëtar rezuloi jo më shumë se një fantazi. Mendoni për Perandorinë Romake, Rrugën e Mëndafshit dhe Perandorinë Britanike. Në secilin rast, lidhjet ndërkombëtare të krijuara të zgjasnin për epoka të tëra, ishin në fakt shumë të brishta.

Në vitin 1897, Joseph Chamberlain deklaroi se “Nëse Britania e Madhe mbetet e bashkuar, asnjë perandori në botë nuk do të mund ta kalojë atë në hapësirë, në popullsi, në pasuri, ose në shumëllojshmërinë e burimeve të saj”. Chamberlain thjesht nuk ishte në gjendje të shihte se si fuqia dominuese e shekullit të 19-të do të binte, ndërsa bota nxitonte drejt izolacionizmit, proteksionizmit dhe luftës.

Dhe mund të ndodhë që optimistët e vitit 1989 të përgënjeshtrohen po njësoj.

Kriza aziatike e viteve 1997-98 sugjeroi që tregjet ndërkombëtare të kapitalit mund të jenë një burim paqëndrueshmërie serioze. Rilindja mahnitëse ekonomike e Kinës tregoi se suksesi ekonomik dhe demokracia liberale nuk kishin nevojë të shkonin krah për krah. Kriza globale financiare la shumë në perëndim me pikëpyetjen, nëse vetë kapitalizmi ishte ende i përshtatshëm për qëllimin e tij. Globalizimi ishte në bangën e të akuzuarve.

Ndërsa globalizimi u zhvillua, pabarazia në perëndim u rrit – edhe pse globalizimi nuk ishte aspak i vetmi shkak. Në Shtetet e Bashkuara, disa u bënë jashtëzakonisht të pasur, ndërkohë që shumë njerëz panë pagat e tyre të bien në terma realë. Qytetarët e Evropës Veriore lulëzuan, edhe pse shumëkush Evropën Jugore u dënua me vite të tërë shtrëngime.

Globalizimi u asociua edhe me një ndryshim në fuqinë ekonomike. Përpara rënies së Murit të Berlinit, të ashtuquajturat “ekonomi të përparuara” të botës zinin më shumë se 60% të të ardhurave kombëtare botërore.

Deri në vitin 2015 kjo përqindje ka rënë në vetëm 40%. Shtetet e Bashkuara nuk mund të pretendonin më të ishin superfuqia e vetme në botë. Nuk munden më institucionet ekonomike dhe financiare që u ngritën nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, të pretendojnë se përfaqësojnë interesat e të gjitha vendeve, në mënyrë të njëllojtë. Dhe nuk ishin më gjerësisht të pranuara vlerat “universale” amerikane.

Këto ndryshime shkaktuan burime të reja shqetësimi në perëndim. Edhe para zgjedhjeve të fundit presidenciale, Shtetet e Bashkuara po bëheshin më të tërhequra. Kur Amerika u tërhoq nga Partneriteti Trans-Paqësor, Kina pati një mundësi të jashtëzakonshme për të riformatuar Azinë, në interesin e vet ekonomik. Shumë evropianë filluan të ndiheshin gjithnjë e më të shqetësuar prej imigrimit. Për perëndimin, shenjtëria e shtetit-komb papritur po dukej një perspektivë bindëse.

Bota mund të jetë në prag të një epoke tjetër. Jetët tona janë formuar nga një botë “post-Kolombit”, e dominuar nga Evropa dhe nga “degët” e saj transatlantike. Jetët e fëmijëve tanë mund të dominohen nga një kthim në një botë “para Kolombit”, në të cilën Rrugët e Mëndafshit të lashtësisë, bëhen përsëri arteriet kryesore të tregtisë, financës dhe pushtetit. Shtetet e Bashkuara mund të ndjehen rehat, që të hyjnë në një periudhë tjetër izolacionizmi. Megjithatë, Europa nuk është më e sigurt, nëse e ardhmja e saj shërbehet më mirë nga lidhjet politike me Shtetet e Bashkuara tashmë më pak entuziaste, apo me shanset ekonomike që rrjedhin nga një lindje e para Kolombit, por më autoritare.

Stephen D King është ekonomist. Libri i tij më i fundit është: “Fundi i globalizimit, rikthimi i historisë”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test