Në ç’lloj rendi botëror jetojmë sot?

Speciale

Në ç’lloj rendi botëror jetojmë sot?

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 07:53
ilustrim

“Rendi botëror liberal po shembet?” Me këtë pyetje hapet, në revistën “National Interest”, një analizë e Michael Lind. “Në përgjigje të valës së nacionalizmit dhe populizmit që prodhoi Brexit dhe zgjedhjen e Donald J. Trump në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, po bëhet gjithnjë e më e modës ideja sipas të cilës, “rendi botëror liberal” do të përmbyset prej një spiraleje katastrofike proteksionizmi, autoritarizmi në rritje dhe konflikti mes fuqive të mëdha, që të risjell në kujtesë vitet Tridhjetë të Nëntëqindës. Shpesh herë, ky argumentim shkon krah për krah me supozimin që, nga viti 1945 deri në valën populiste të viteve të fundit, ka ekzistuar një konsensus i përgjithshëm në favor të “rendit botëror liberal”. Edhe nëse bëhet fjalë për një propagandë efikase populiste mes elitave, është gjithësesi një pozicion anti-historik. E vërteta është se, që nga viti 1945 nuk ka patur asnjë rend të vetëm, të pandryshuar, botëror liberal, por një numër versionesh të tij në evoluim të vazhdueshëm, ku secili nuk ka zgjatur më shumë se disa dekada, përpara se t’i linte vendin diçkaje të ndryshme, por që gjithësesi mund të quhej “liberal”.

Rendi botëror liberal 1.0 u krijua prej fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore. Kushtetuta e tij ishte Karta e Kombeve të Bashkuara e vitit 1945. Në një pjesë të madhe të planetit, realizimi i idealeve në bazë të të drejtave njerëzore, simbolizuar prej Deklaratës së të Drejtave Njerëzore të OKB, miratuar në 1948, vazhdon të jetë thjesht aspiratë.

Me vazhdimin e Luftës së Ftohtë në fundin e viteve Dyzetë, rendi otëror liberal 1.0 i la vendin atij 2.0. Administrata Truman adoptoi politikën e përmbajtjes së bllokut sovjetik, që në forma të ndryshme zgjati deri në fundin e Luftës së Ftohtë. Rivaliteti sovjetiko-amerikan, ndërkohë, paralizonte këshillin e sigurimit të Kombeve të Bashkuara Versioni i tretë i rendit botëror liberal të pas 1945 doli në dritë në vitet Shtatëdhjetë, prapa impulsit të fuqisë dominuese në sistem, Shteteve të Bashkuara. Niksoni adoptoi një strategji gjeopolitike më nacionaliste, e ngritur mbi hapjen ndaj Kinës së Maos, dhe delegimit të përgjegjësive ushtarake tek aleatët dhe shtetet-klientë.

Edhe Reagani ndoqi një linjë të ashpër në diplomacinë tregtare me aleatët amerikanë, duke vendosur tarifa mbi mallrat e konsumit elektronike dhe motoçikletat japoneze, si dhe kuota mbi importet japoneze si automobilë dhe makineri të ndryshme. Ai që shumëkush sot e mbron si rendi botëror liberal, nuk është asgjë më shumë se sa rendi i katërt botëror liberal, që e ka fillesën që në fillimet e epokës së pas Luftës së Ftohtë. Eshtë e mundur që rendi botëror liberal 5.0, më shumë se sa rendit botëror të viteve Tridhjetë të Nëntëqindës, i ngjan rendit botëror liberal 3.0. Trumpi dhe nacionalistët e tjerë mund të dështojnë në qëllimin e tyre. Por nëse do të kenë sukses, të vetëm apo falë lëshimeve strategjike që u marrin politikanëve të establishmentit si Theresa May, rendi i ardhshëm botëror do të jetë gjithësesi liberal, edhe pse imigrimi në një farë mënyre do të kufizohet dhe politika industriale pjesërisht do të ringjallet”. / Bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat