Elbasan/ Mali i Vashës dhe legjenda e Romeos e Zhulietës shqiptare - Bota Sot
Elbasan/ Mali i Vashës dhe legjenda e Romeos e Zhulietës shqiptare

Speciale

E hënë, 18 dhjetor 2017

Elbasan/ Mali i Vashës dhe legjenda e Romeos e Zhulietës shqiptare

Më: 24 tetor 2017 Në ora: 21:29
“Mali i Vashës”

“Mali i Vashës” është një majë mali në verilindje të rrethit të Elbasanit, për të cilin ekziston një legjendë për dashurinë. Sot është e vështire të ndahet kufiri i legjendës me të vërtetën por si gjithmonë rastet ekstreme kthehen në legjenda kur kalojnë shekuj.

Kështu “Mali i Vashës”, mbetet simbol i një dashurie të zjarrtë. Fshatarët e Polisit e tregojnë historinë sikur të ketë ndodhur dje. Legjenda për këtë dashuri është përjetësuar edhe në këngën “Mali i Vashës”, të Isuf Myzyrit.

Të vjetrit e krahinës e tregojnë me bindja sikur kjo ka ndodhur në kohën e baballarëve të tyre por kështu ajo ka rrjedhur brez pas brezi.

“Të dy ishin të rinj të dashuruar me shikim të parë, por nuk mund ta kurorëzonin këtë dashuri, se njëri ishte i vobektë dhe tjetra ishte e bija e një të pasuri. Të dy vuanin në heshtje pasojat e dashurisë dhe nuk shihnin asnjë rrugë bashkimi veç vetëvrasjes. Por ja, pleqësia e fshatit mori një vendim për t’u ardhur në ndihmë të rinjve, por që rëndonin mbi djalin, që sapo kishte hyrë në moshën e burrërisë. Në atë kohë një burri që i nënshtrohej tekave të gruas, edhe kafenë ia jepnin në gjunjë.

Kurse në këtë rast ishte vendosur që sipas kërkesës së babait të vajzës, djaloshi duhej ta mbante në krahë të dashurën që nga këmbët e malit e deri në majë pa ndalesë, e cila edhe pa peshë, mezi ngjitet. Këtë kusht e pranoi menjëherë i riu, që ishte i gatshëm për çdo sakrificë. Ndërsa pleqësia e fshatit Polis u mblodh për të ndjekur nga afër zbatimin e premtimit, pas së cilit do të caktohej edhe dita e dasmës së të rinjve.
Në metrat e parë të asaj ngjitjeje djali fluturonte, por nuk vazhdoi gjatë. Pleqtë shihnin me shqetësim se si hap pas hapi djalin po e linin forcat dhe e nxisnin që nga poshtë : edhe pak, edhe pak, pothuajse arrite.

Dhe djali arriti, por në momentin e fundit nga lodhja e madhe, zemra i pushoi së rrahuri. Për t’i qëndruar besnike kësaj dashurie me sakrificë supreme, vajza nuk pranoi tjetër fat, veç vdekjes së lumtur dhe një dashurie të përjetshme. Kështu vasha u hodh nga maja e thepisur e malit, rreth 700 metra të lartë në greminë”.

Kështu përfundoi kjo dashuri e pakurorëzuar, por e mbetur deri në përjetësi si një ndjenjë e pavdekshme. Edhe brezat që vijnë nuk do ta harrojnë kurrë Malin e Vashës dhe historinë që personifikon.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test