Spartaku: Fundi i skllavit rebel, midis legjendës dhe realitetit

Speciale

Spartaku: Fundi i skllavit rebel, midis legjendës dhe realitetit

Më: 27 korrik 2018 Në ora: 16:23
Ilustrim

Nga Annalisa Lo Monaco

Spartaku (109- 71 P.E.S), gladiatori i famshëm që arriti të mposhte shumë herë ushtritë e frikshme romake me një ushtri skllevërish, është një figurë historike që u shndërrua në një legjendë:një hero që lufton për liri kundër forcave shumë më të mëdha në numër, edhe pse nuk kishte si nxitje ndonjë ideal.

Karl Marksi, madje e quajti atë “një nga protagonistët më të mirë të historisë së lashtë (…) një përfaqësues i vërtetë të proletariatit të lashtë”. Gjatë shekujve, aksionet e tij janë rrëfyer dhe romantizuar shumë herë, por burimet historike nuk janë aq të mbushura me informacione mbi jetën dhe as për vdekjen e tij. Pothuajse me siguri ai u vra në betejë, në prillin e vitit 71 P.E.S, dhe jo i kryqëzuar përgjatë Rrugës Apia, siç tregohet për shembull, në filmin me protagonist aktorin e njohur amerikan Kirk Dagllas.

Por kush ishte në të vërtetë Spartaku?

Ai sigurisht nuk ishte një “proletar”, por ndoshta i përkiste një familje fisnike që jetonte në Trakë, një rajon historik midis Greqisë, Bullgarisë dhe Turqisë. Për disa kohë ai ishte pjesë e ushtrisë romake, por pastaj e braktisi atë, ndoshta sepse nuk ishte në gjendje t’i nënshtrohej disiplinës strikte ushtarake.

Pasi u kap dhe u skllavërua, ai përfundoi si një gladiator në Amfiteatrin e Kapuas, ku u ngrit shkolla e parë e gladiatorëve. Nëse Spartaku nuk kishte arritur të mësohej me disiplinën ushtarake, ai nuk mund të toleronte as gjendjen e skllavërisë:në vitin 73 P.E.S, arriti të arratiset, duke marrë me vete 70 gladiatorëve të tjerë (por sipas Ciceroni ishin më pak se 50) të cilët marshuan drejt Vezuvit, të armatosur vetëm me thika të marra nga kuzhina e shkollës.

Rrugës, radhët e ushtrisë së Spartakut, që komandonte rebelët së bashku me dy Galët, Enomao dhe Kriksus, ishin gjithmonë në rritje:skllevërit nëpër fshatra, por edhe njerëz të lirë, fshatarë dhe barinjtë e varfër u bashkuan me gladiatorët, sidomos pasi ata mposhtën me lehtësi legjionet e Gaio Klaudio Glabros I, dhe të Publius Variniusit më vonë.

Në fakt, romakët e nënvlerësuan atë grup skllevërish të armatosur keq, të cilët në pamje të parë nuk dukej se përbënin një kërcënim të madh:dy komandantët romakë nuk kishin me vete një ushtri të vërtetë, por ushtarë të rekrutuar nga zonat aty pranë, tërësisht të papërvojë, dhe aspak të stërvitur.

Spartaku vazhdoi t’i lirojë skllevërit nëpër fshatra, duke sulmuar dhe shkatërruar shumë fshatra në Italinë Jugore, ndërsa Roma filloi të shqetësohej:Ushtria e Spartakut, tanimë numëronte 40.000 persona. Pastaj, siç ndodh shpesh në mesin e atyre që luftojnë në të njëjtën anë, dhe me të njëjtat qëllime, rebelët u përçanë.

Spartaku, që nuk ishte dakord me dhunën ekstreme të ish-skllevërit galë dhe gjermanikë, u nis drejt veriut, ndërsa Kriksus i udhëhoqi ndjekësit e tij besnik në Apulia (Puljan e sotme), ku u mund nga konsulli Lusius Gelius Publikola, i cili më pas u vu në ndekje të Spartakut, ndërsa konsulli tjetër, Klodiano Lentulus, vinte nga veriu.

Luftëtarët e Spartakut i shpartalluan legjionet e të dyve, dhe më pas edhe ato të guvernatorit të Galisë Alpine. Në atë pikë, Spartaku kishte rrugën e hapur drejt Alpeve, domethënë lirisë, në territoret ende relativisht të lira nga kontrolli romak. Në vend të kësaj, për arsye që historia nuk i di, gladiatorët u rikthyen në jug. Rebelët arritën në Kalabri, duke planifikuar të kalonin në ishullin e Siçilisë, për t’u bashkuar me një revolte skllevërish, që kishte shpërthyer asokohe në Trinakria.

Por ata nuk kishin llogaritur udhëheqësin e ri të romakëve, të pasurin dhe arrogantin Mark Krasi, që për të motivuar ushtarët e tij në luftë, zbatoi praktikën e dhjetimit:nga legjionet që tërhiqeshin përpara armikut, ai do të zgjidhte me short një numër të caktuar ushtarësh (thuhet se u ekzekutuan 4.000, pas një humbjeje përballë Spartakut), të cilët u vranë duke u goditur me shkopinj.

Për të shpëtuar nga legionarët, rebelët u kthyen në veri, duke u drejtuar për në Pulja, me Krasin që i ndiqte nga pas, por që u mposht në betejën e Petilias. Ajo ishte fitorja e fundit e ushtrisë së Spartakut:rebelët u tërhoqën në Lukania, ku Spartaku takoi një pirat, Tigranin, me të cilin donte të organizonte një udhëtim detar nga Brindisi, por ardhja e një garnizoni romak në portin puljez, ndryshoi planet e gladiatorit.

Ndërkohë, grindjet e brendshme vazhduan të dobësonin ushtrinë rebele:komandantët Kriksus, Enomao, Ganiko dhe Kasto, u ndanë veçmas grupe të ndryshme dhe Spartaku mbeti me një numër të vogël ndjekësish. Sërish, ndarjet midis armiqve ishin në favor të romakëve:më në fund ata u mposhtën që të gjithë.

Gjashtë mijë ushtarë të Spartakut, u kryqëzuan përgjatë Via Apia. Spartaku, në vend se të përpiqej të arratisej, u përball me Krasin në Kalabri, ose ndoshta në Lukania, duke luftuar si një luan, deri në fund, derisa ai u masakrua me goditje shkopinjsh.

Sipas Salustio në fund të betejës, trupi i Spartakut nuk u gjet, ndoshta për shkak se ishte i shpërfytyruar, dhe nuk identifikohej nga ndonjë armaturë e veçantë. Megjithatë, sipas një versioni më romantik, skllavi heroik arriti t’i shpëtojë armiqve të tij, dhe i udhëhoqi disa rebelë

të mbijetuar drejt një vendi, ku ishte ende e mundur të jetohej pa vuajtur zgjedhën e romakëve. Megjithëse versioni kinematografik i vitit 1960, duhet të konsiderohet si një version fiktiv i ngjarjeve larg realitetit historik, rindërtimi i skenarëve dhe betejave, është ende gjithsesi me interes për të apasionuarit pas historisë. / VanillMag – Bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat