“Pesë shqiptarët më të mirë – janë zviceranë”

Sporti

“Pesë shqiptarët më të mirë – janë zviceranë”

Më: 11 shtator 2012 Në ora: 19:03

Zviceranët duket se po bëjnë të pamundurën për të tensionuar sa më shumë sfidën mes Zvicrës dhe Shqipërisë, duke kërkuar me çdo kusht të ngjallin ndjenjën e nacionalizmit dhe për më tepër duke tentuar në të gjitha mënyrat për të ulur imazhin e lojtarëve të përfaqësueses shqiptare të futbollit.
Pas shprehjes “pjatalarës” të përdorur nga Blick kundër mesfushorit të përfaqësues shqiptare, Burim Kukeli, provokimi i radhës vjen nga portali i internetit 20min.ch, i cili rreshton pesë arsyet pse Zvicra duhet të fitojë kundër Shqipërisë.

Një nga këto arsye është se sa herë që zviceranët luanin kundër shqiptarëve, ata arrinin të kualifikoheshin në fazën finale të një turneu, siç ka ndodhur në Botërorin 1966 dhe Euro 2004.

Provokimi ka qenë pikërisht në arsyen e fundit, që titullohej “Pesë shqiptarët më të mirë janë zviceranë”.

“Pesë yje të kombëtares kanë rrënjë shqiptare. Ata janë: Xherdan Shaqiri (Bayern Munich), Valon Behrami e Blerim Xhemajli (Napoli), Granit Xhaka (Borussia Moenchengladbach) dhe Admir Mehmeti (Dinamo Kiev). Edhe kundërshtari ka ‘legjionarë’, por të një niveli krejtësisht inferior. Këta shqiptarë luajnë për Luganon (Sadiku), Paderborn (Meha), Pas Janina (Lila e Vila) apo Sepahan (Bulku). Kjo nuk është saktësisht bota e futbollit të madh”, shkruhet në këtë artikull, i cili është shoqëruar me komente nacionaliste të tifozëve zviceranë që presin një goleadë ndaj “amatorëve” shqiptarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat