Projekti, “Qemal Stafa” prishet brenda dy muajve

Sporti

Projekti, “Qemal Stafa” prishet brenda dy muajve

Më: 2 tetor 2012 Në ora: 12:41

Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” duket se është në fund të ekzistencës së tij. Impianti më i madh i vendit apo i quajtur ndryshe tempulli i futbollit shqiptar, pritet që brenda tetorit ose nëntorit, të prishet. Një gjë e tillë është pohuar për “Gazetën Shqiptare” nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Eduard Prodani, por sipas tij, shumë gjëra do të varen edhe nga momenti i marrjes së vendimit përfundimtar. “Plani është që “Qemal Stafa” të prishet brenda muajit tetor ose nëntor, mendojmë se do t’ia arrijmë, por të shohim, - u shpreh sekretari i FSHF-së. – Ka ende dy vendime që nuk janë marrë, sa u përket masave të prishjes së impiantit aktual dhe kostove të atij të riut, por ne po vazhdojmë përpjekjet tona që punimet për stadiumin e ri të nisin sa më shpejt”, shtoi ai. Ndërkohë, në raportimin e bërë dje para Komisionit të Medias, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi ka bërë të ditur se fillimi i ndërtimeve për stadiumin e ri ka edhe dy vendime përfundimtare. “Është rënë parimisht dakort me Ministrinë e Mbrojtjes për të kryer prishjen e stadiumit, - ka thënë ai. – Nga ana jonë është marrë i gjithë dokumentacioni teknik i projektit të vjetër të stadiumit në Arkivën Qëndrore të Ndërtimit dhe i është vënë në dispozicion Institutit të Projektimit të Veprave Mbrojtëse të Ministrisë së Mbrojtjes. Ky institut është në fazën e mbylljes së preventivit dhe planit të prishjes së stadiumit mënjëherë sapo të merret ky vendim”, ka shtuar ministri Bumçi.
Stadiumi i ri
Prishja e “Qemal Stafës”, kjo i hap rrugën ndërtimit të stadiumit të ri, por ende nuk janë përcaktuar kostot apo edhe mënyra e financimit të tij. Në interpelancën e bërë dje, ministri Bumçi ka lënë të kuptohet se roli i shtetit në aspektin financiar do të jetë i vogël, duke i kërkuar Federatës që ta ndërtojë ajo. Gjithsesi, ky problem nuk duket aq i madh, duke qenë se drejtuesit e FSHF-së janë shprehur të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë, duke marrë edhe një kredi, por me kusht që shteti t’i falë shoqërisë së re të krijuar “Kuq e Zi”, truallin. Ministri ka thënë se deri më tani, roli i kësaj shoqërie ka qenë në krijimin e kushteve sa më të përshtatshme në “Qemal Stafa”, “me qëllim përmbushjen e kritereve të vendosura nga FIFA për ndeshjet ndërkombëtare deri në datën 16 tetor 2012”. Një pohim i tillë nënkupton se ndeshja e fundit ndërkombëtare që do të luhet në stadiumin aktual, do të jetë ajo me Slloveninë. “Por, nëse stadiumi do të vazhdojë të jetë në këmbë, do të shërbejë edhe për ndeshjet e kampionatit, - sqaron sekretari i Federatës Prodani. – Ne synojmë të nisim punë këto dy muaj, por përsa kohë “Qemal Stafa” është funksional, në të do të luhen ndeshje”, shton ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat