Hasani lufton me Pacrs për titull bote në taiboks

Sporti

Hasani lufton me Pacrs për titull bote në taiboks

Nga: Kastriot Shehdadi Më: 19 tetor 2012 Në ora: 19:01

Të shtunën në Uster të Cyrihut në Zvicër, Muharrem Hasani do të ketë punë me sllovakun Pacrs, në garën për titullin e botës në taiboks në versionin VKS.

Muharrem Hasani këtë të shtunë, me datë 20 tetor do të ketë sfidën dhe mundësinë e parë për titull kampion të botës në kategorinë e rëndë në taiboks, versioni VKS. Sllovaku Pacrs do të jetë rivali i tij dhe po doli ngadhënjyes Muharrem Hasani, shqiptari nga Gjakova atëherë do të ishte edhe një triumf i radhës si profesionist, pasi në versione tjera veç ka tituj të arrirë dhe të admirueshëm .Dueli që përcakton kampionin e ri në këtë version do të zhvillohet në Uster të Cyrihut, në rrugën Theaterstrasse numër 1.Siç kemi për gazetën informata të konfirmuara nga organizatorët, dyert e palestres do të jenë të hapura që në ora 17,30 minuta ndërsa dueli që fituesin do të mbajë të ngritur si “superfuqi” bote do të fillojë në ora 18,30 minuta. Nga kampi i shqiptaro-zviceranit Muharrem Hasani shprehen të jenë optimist për këtë meç dhe burime pranë këtij sportisti të shquar tregojnë se Hasani është duke u përgatitur maksimalisht për këtë meç dhe para saj ka vendosur të punojë dhe të jetë maksimalisht i përkushtuar në meç të mos jetë i “shpërndarë” në deklarata mediatike. Hasani, krahas vetëbesimit në forcat e tija padyshim që pret edhe ndihmën e publikut nga i cili mendohet të jetë i lartë në numër, e posaçërisht nga bashkëkombësit e tij por natyrisht edhe nga shtetasit helvetik në të cilën është i natyralizuar. Muharrem Hasani nga viti 2005 është sportist profesionist të taiboks. Në këtë vit u shpall kampion i Evropës në kategorinë 95 kilogramë, në versionin WPKC. Një vit më pas, në vitin 2006 u shpall kampion i Europës në të njëjtën kategori pos asaj here në versionin WFC. Një sukses tjetër në versionin WPKC Muharrem Hasani e ka arritur në vitin 2007 ku u shpall kampion ndërkontinental në kategorinë deri 95 kilogramë. Ka dhe suksese tjera në turne të ndryshëm prestigjioze dhe një fitore e së shtunës do t’ia plotësonte cv-në prej njërit ndër sportistët më të shquar shqiptarë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat