Çiklizmi në rrezik pas skandalit “Armstrong”

Sporti

Çiklizmi në rrezik pas skandalit “Armstrong”

Më: 16 janar 2013 Në ora: 16:18

Skandali “Armstrong” mund të shkaktojë një reaksion zinxhir për çiklizmin deri në përjashtimin nga lojrat olimpike nëse vërtetohet se në të janë përfshirë edhe institucionet më të larta drejtuese të këtij sporti. Sinjalin e jep anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Dick Pound në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters. Sipas tij, komiteti mund të mos ketë rrugëdalje tjetër përveç vendimit drastik për ta përjashtuar çiklizmin, nëse vërtetohet se Armstrong ia ka imponuar sjelljen e tij të gabuar edhe Unionit Çiklistik Ndërkombëtar.

“Drejtuesve të këtij sporti mund t’u themi: Shikoni, ju nuk jeni gati për të zgjidhur problemin dhe ne po ju japim 4 ose 8 vite kohë. Kur të mendoni se jeni gati kthehuni dhe ne do të studiomë mundësinë nëse duhet të riktheheni në programin tonë”.

Pound, i cili ka drejtuar edhe Agjentcinë Ndërkombëtare Anti-doping thekson se CIO duhet ta analizojë këtë situatë që kulmoi me skandalin “Armstrong”.

“E vetmja mënyrë që çiklizmi të vetëpastrohet është që njerëzit të cilët bëjnë pjesë në të, të thonë: Hej, nuk jemi më në olimpiadë dhe duam që të rikthehemi prandaj duhet të punojmë për t’u rikthyer vetvetja. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka të gjitha të drejtat që të veprojë sepse Unioni Çiklistik Ndërkombëtar nuk dallohet për veprime të vendosura anti-doping”.

Në vijim të intervistës, avokati kanadez u përqëndrua edhe tek rasti Armstrong.

“Duhet të presim deri në çfarë pikë ai e ka pranuar përdorimin e substancave të ndaluara dhe sa i gatshëm është ai për ta ndihmuar sportin”.

Por nëse çiklizmi rrezikon pjesëmarrjen në lojrat olimpike, nuk mund të qëndronte pa folur as një prej ikonave moderne të këtij sporti, britaniku Bradley Wiggins, fituesi më i freskët i Tour de France dhe mbajtës i disa medaljeve olimpike. Për çiklistin e skuadrës “SKY”, lajmi i rrëfimit të Armstrong është sa i bukur aq edhe i trishtë.

“Kur dëgjon që fituesi i 7 herë Tour de France e pranon se ka përdorur doping, është diçka e pabesueshme sepse ai përbënte një kapitull të madh për historinë e këtij sporti, por e vërteta është se gjithçka e ndërtoi mbi bazën e gënjeshtrave. Gjithsesi, ajo për të cilën unë mendoj nuk është e ardhmja e Armstrong por e ardhmja e këtij sporti”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat