Wilshire kundër Januzajt: Anglia vetëm për anglezët

Sporti

Wilshire kundër Januzajt: Anglia vetëm për anglezët

Më: 9 tetor 2013 Në ora: 11:43

Një tjetër zë në korin e atyre që janë kundër idesë për të parë Adnan Januzajn me fanellën e Tre Luanëve. Këtë herë vjen nga brenda gjirit të kombëtares angleze me Jack Wilshire, që bëri të ditur publikisht opinionin e tij se ylli i Manchester United i lindur nga prindër shqiptarë të Kosovës nuk duhet të lejohet që të luajë me Anglinë. Është e qartë se mesfushorit të Arsenalit nuk i pëlqen aspak ideja që ta shohë 18 vjecarin e lindur në Belgjikë të luajë përkrah tij në Wembley.

“ Jo, për mua nëse je anglez, je anglez dhe atëherë luan për Anglinë. Të vetmit njerëz që duhet të luajnë për Anglinë janë anglezët. Për mua nëse ke jetuar për pesë vjet në Angli kjo nuk të bën Anglez dhe nuk mund të luash me përfaqësuesen. Kjo nuk do të thotë se mund të luash për këtë vend. Nëse unë do të shkoja në Spanjë dhe do të jetoja atje për pesë vjet, unë nuk do të shkoja të luaja për Spanjën. Për mua një anglez duhet të luajë me Anglinë”.

Deklaratë e prerë dhe kategorike ajo e mesfushorit të lindur në Stevenage, njëkohësisht një ndihmë indirekte ndaj opsionit Shqipëri për Januzajn që pasi ka refuzuar Belgjikën me komentet e fundit të Wilshire duhet ta ketë të qartë se cfarë klime do të gjente në dhomat e zhveshjes së kombëtares angleze ku sipas të gjitha gjasave shumë nga futbollistët do të ishin kundër tij. Gjithsesi në deklaratën e tij Wilshire vazhdoi më tej duke u shprehur se edhe trajnerët e Anglisë duhet të jenë anglezë por këtë herë me tone disi më të moderuara, duke mos harruar të vlerësojë impaktin që Fabio Kapello pati në karrierrën e tij me përfaqësuesen.

“Mendoj se është më mirë kur një anglez është në komandën e kombëtares, por mos më keqkuptoni, Fabio Capello bëri shumë për karrierrën time me përfaqësuesen. Ai më solli këtu , më dha debutimin dhe më besoi në një moshë shumë të re, ndaj mendoj se ishte një trajner i mirë”

Deklaratat e Wilshire erdhën nga grumbullimi i kombëtares angleze për dy ndeshjet vendimtare për ta në eleminatoret e Brazil 2014. Tre luanët do të përballen në Wembley me Malin e Zi në një sfidë vendimtare të premten, ndërsa më pas do të presin sërish në shtëpinë e tyre Poloninë. Fituesit e Kupës së Botës në vitin 1966, vijnë në këto takime si kryesues të grupit H, por vetëm me një pikë diferencë ndaj ndjekësve të Ukrainës dhe Malit të Zi. E thënë më thjeshtë, dy fitore do ta çonin Anglinë drejt kualifikimit për një vend në Brazil 2014, katër pikë do të ishin mjaftueshëm nëse Ukraina nuk fiton ndaj Polonisë në Kiev të premten, por me cdo kombinim tjetër me më pak pikë Anglia do të shikonte veten në play-off apo akoma më keq, të eleminuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat