Zvicra feston në Tiranë kualifikimin në Botëror

Sporti

Zvicra feston në Tiranë kualifikimin në Botëror

Më: 11 tetor 2013 Në ora: 12:19

Kombëtarja shqiptare ka pësuar humbjen e tretë radhazi në kuadër të Grupit E në kualifikimet për Botërorin 2014. Kuqezinjtë, janë mposhtur nga Zvicra, të premten në mbrëmje, në “Qemal Stafa”, me rezultat 2:1.

Pas kësaj fitoreje zviceranët e kanë siguruar kualifikimin në Botërorin e verës së ardhshme, derisa Shqipëria mbetet në pozitën e pestë dhe i mbetet vetëm edhe sfida kundër Qipros, të martën për të përmbyllur këtë fushatë kualifikuese, e cila në fillim dukej tejet shpresëdhënëse, por që në fund doli të jetë zhgënjyese. Në pjesën e parë të përzgjedhurit e Xhani De Biasit patën një paraqitje tejet të dobët, derisa zviceranët zhvilluan lojë të qetë dhe të sigurt. Ndërkohë, pjesa e dytë ishte më dinamike. Për epërsinë e helvetikëve u përkujdes Xherdan Shaqiri, i cili shënoi gol në minutën e 48-të, derisa epërsinë e dyfishoi Lang, në minutën e 76-të, kur shfrytëzoi hutinë e mbrojtjes shqiptare. Paraprakisht Roshi goditi shtyllën, kurse topin e dëbuar Salihi nuk arriti ta çojë në portën e zbraztë. Ndërkohë, golin e ngushëllimit për kuqezinjtë e shënoi Hamdi Salihi, nga penalltia, në minutën e 88-të, pasi më herët Benalio e faulloi Roshin në zonë. Duhet theksuar se gjatë ndeshjes tifozët shqiptarë nuk u treguan aspak korrekt ndaj futbollistëve shqiptar që luajnë në radhët e Zvicrës, duke dërguar fyerje të shumta në adresë të tyre.

SHQIPERI-ZVICER 1-2

Golat: Salihi 89′ (pen) / Shaqiri 48′, Lang 78′

SHQIPERIA: Berisha – Cana, Mavraj, Lila, Agolli – Gashi (Roshi 55′), Bulku, Rama (Mehmeti 85′), Kace, Abrashi (Hyka 64′) – Salihi. Trajner: De Biazi

ZVICRA: Benaglio – Lang, Schär, Von Bergen, Rodriguez – Inler, Behrami; Shaqiri (Mehmedi 53′), Xhaka, Stocker (Fernandes 68′) – Seferovic (Xhemaili 89′). Trajner: Otmar Hitzfeld

Gjyqtarë: Pedro Proenca, Bertino Miranda, Hoze Trigo (Portugali)
Kartonë të verdhë: Gashi 20′, Cana 48′ / Benaglio 88′, Bergen 57′, Shar 81′

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat