Blatterr: Vendimi për miqësore nxitje për zhvillimin e futbollit në Kosovë

Sporti

Blatterr: Vendimi për miqësore nxitje për zhvillimin e futbollit në Kosovë

Më: 13 janar 2014 Në ora: 18:57

FIFA e ka konfirmuar nëpërmjet një kumtese të publikuar në faqen e saj zyrtare vendimin e Komitetit për Çështje Urgjente që Kosovës t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Në këtë kumtesë janë bërë të ditura edhe modalitetet që janë caktuar për zhvillimin e këtyre miqësoreve nga Përfaqësueset e Kosovës dhe nga klubet.
POSTUAR 18:31 / 13.01.2014
“Në bazë të artikullit 83 të statutit të FIFA-s, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-së ka të drejtë të autorizojë anëtarët e FIFA-s të luajnë miqësore kundër ndonjë Përfaqësuese që nuk është anëtare, siç është rasti i Federatës së Futbollit të Kosovës. Propozimi u paraqit në Komitetin e Çështjeve Urgjente pas një takimi ndërmjet presidentit të Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karadzic dhe presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, më 10 janar, që u drejtua nga presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter”, thuhet në kumtesën e FIFA-s, ku më pas janë radhitur modalitetet e këtij vendimi. Ndërkohë, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, sa i përket këtij vendimi është shprehur: “Vendimi i marrë nga Komiteti për Çështje Urgjente i FIFA-s përfaqëson një përkrahje të madhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe edhe njëherë konfirmon fuqinë e jashtëzakonshme të sportit që i bashkon njerëzit”, ka deklaruar numri një i FIFA-s.

Modalitetet
1.Federatat anëtare të FIFA-s mund të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare me klubet dhe ekipet Përfaqësuese nga FFK-ja.
2.Klubet dhe ekipet Përfaqësuese të FFK-së nuk duhet të shfaqin simbole kombëtare (flamuj, emblema, e të tjera) dhe të kenë himn kombëtar. Mirëpo, ata mund të mbajnë ose shfaqin fanellë me emrin ‘Kosova’ si dhe simbolin e një ylli ‘fusnotë’ me madhësinë e shkronjës ‘o’ tek emri ‘Kosova’.
3.Klubet dhe ekipet Përfaqësuese të FFK-së nuk mund të luajnë ndeshje zyrtare ose kualifikuese përderisa FFK të mos jetë anëtare e FIFA-s.
4.Klubet dhe ekipet Përfaqësuese të FFK-s nuk mund të luajnë ndeshje kundër klubeve dhe ekipeve Përfaqësuese nga ndonjë shtet nga ish-Jugosllavia, në një afat të pacaktuar.
5. Ndeshjet miqësore ndërkombëtare përfshirë klubet dhe ekipet Përfaqësuese nga FFK mund të zhvillohen në territorin e Kosovës me kusht që FIFA të jetë e informuar me shkrim së paku 21 ditë para secilit takim. FIFA më pas do ta informojë Federatën e Futbollit të Serbisë.
6. Çdo lloj shkelje e këtij vendimi do t’i referohet FIFA-s dhe marrëveshja automatikisht do të përfundojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat