Kosova vlerëson vendimin e FIFA-s

Sporti

Kosova vlerëson vendimin e FIFA-s

Më: 14 janar 2014 Në ora: 15:29

Kosova bëri një hap përpara drejt anëtarësimit me të drejta të plota në FIFA pas ndezjes së dritës jeshile për zhvillimin e ndeshjeve miqësore dhe ky lajm duket i mirëpritur në vend. Personazhet kryesorë dhe drejtuesit e futbollit kosovar e cilësojnë vendimin e institucionit më të lartë të futbollit botëror si një lajm mjaft të mirë për lojën e topkëmbës në këtë vend. Trajneri i klubit të Prishtinës, Afrim Tovërlani është njëri prej tyre.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Komitetit të Emergjencës dhe bisedimeve të zhvilluara nga FIFA me drejtuesit e federatës së Kosovës e Serbisë. Gjithsesi, të drejtat do të jenë të limituara pasi Kosova nuk është shtet anëtar i OKB-së dhe në këtë mënyrë nuk mund të zhvillojë ndeshje zyrtare. Ministri i Sportit, Memli Krasniqi e lexon qartësisht këtë vendim, por shton se puna për anëtarësimin me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA nuk do të ndalet.

“Ne i kuptojmë dhe i respektojmë modalitetet e vendosura nga FIFA për kombëtaren e Kosovës dhe klubet dhe kjo nuk është një situatë ideale. Ka disa kufizime por ne do t’i respektojmë derisa Federata e Futbollit të Kosovës të bëhet anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA”.

Në rast se Kosova do të realizojë ëndrrën e anëtarësimit, atëherë mund të formojë një kombëtare prestigjoze pasi shumë prej lojtarëve të kombëtares së Zvicrës si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami apo Granit Xhaka do të kenë të drejtën për të përfaqësuar vendin e origjinës së tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat