Seedorf tërhiqet nga futbolli, merr drejtimin e Milanit

Sporti

Seedorf tërhiqet nga futbolli, merr drejtimin e Milanit

Më: 14 janar 2014 Në ora: 19:58

Clarence Seedorf është trajneri i ri i Milanit. Perdja e fundit mbi të ardhmen e stolit kuqezi ra në sallën e shtypit të stadiumit Olimpik “Joao Havelange” të Rio de Janeiros ku futbollisti holandez bëri zyrtarizoi gjithshka personalisht.

“ Kjo eksperiencë prej një viti e gjysmë te Botafogo më bëri të rritem shumë dhe do të më ndihmojë në hapin tim të ardhshëm që do të jetë ai për të drejtuar Milanin si trajner. Kur më telefonoi presidenti Silvio Berlusconi nuk munda ti them jo. Jam i lumtur që rikthehem te Milani. Për mua është një ëndërr dhe shpresoj që të jem sërish në një botëror klubesh në drejtimin e kësaj skuadre. Kam një raport special me Milanin pasi kam luajtur për 10 vjet me fanellën kuqezi”.

Përkrah holandezit bashkë me presidentin e Botafogos, Mauricio Assumpcao ishte dhe përfaqësuesja e tij Deborah Martin e cila konfirmoi se kohëzgjatja e kontratës së klientit të saj me Milanin është dy vjet e gjysmë deri në 2016-ën. Konferenca ishte njëkohësisht ajo e lamtumirës së Seedorf ndaj futbollit të luajtur.

“ E lë pas 22 vitesh, ishte një vendim i vështirë por jam i kënaqur për atë që kam bërë gjatë karrierrës sime”.

Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe për të vetmin futbollist që ka ka dalë të fitojë Champione League me tre skuadra të ndryshme, Ajaksin, Realin e Madridit dhe Milanin. Në fund drejtuesit e Botafogos u dorëzuan duke humbur yllin e tyre mbi të cilin kishin varur shpresat për të bërë sa më shumë rrugë në Kupën Libertadores, edhe pse Seedorf premtoi të ritakohet sërish me ta.

“Nuk është një lamtumirë, do të rishihemi. Nëse do të kisha mundur të luaja futboll edhe pesë vjet të tjerë do të kisha qëndruar. Por karriera e një futbollisti nuk është e përjetshme dhe duhet të jem në gjendje psikologjikisht për të shikuar gjithmonë ndaj mundësive që prezantohen. Në futboll kam fituar gjithshka dhe futbolli më ka dhënë shumë, por tani ka ardhur momenti ta lë”.

Ishte kjo përshëndetja e Seedorf që do të arrijë sa më shpejt që të mundet në Itali.

“Më pëlqejnë sfidat, të drejtoj Milanin është një tjetër sfidë në karrierën time. Kur ju thashë fëmijëve të mi se do të shkoj të drejtoj skuadrën kuqezi qëndruan në heshtje, por nuk ishin kundër këtij vendimi”.

Holandezi preferoi ti kufizojë sa më shumë përgjigjet mbi detyrën e tij të ardhshme.

“ Nuk mund të them tani se si do të luajë Milani. Pas pak ditësh do ti përgjigjem edhe kësaj pyetjeje. Do të më ndihmojë fakti se te Milani do të gjej 7 shokë me të cilët kam luajtur”.

Nëse do tia dalë me kohën Seedorf pritet të jetë në tribunë këtë të mërkurë për të ndjekur në San Siro ndeshjen e Kupës së Italisë me Spezian. Në stol trajner për një ditë do të jetë Mauro Tasotti, zëvendësi i përjetshëm i dekadës së fundit Milaniste.

“Kam pasur mundësinë për tu bërë trajner diku tjetër, ka qenë zgjidhja ime për të qëndruar si zëvendës këtu dhe nuk kam asnjë peng. Kam një kontratë me Milanin deri në qershor, deri atëherë do të qëndroj këtu, pastaj do të bëj një bisedë me shoqërinë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat