Zvicra lejon që shqiptarët të luajnë për Kosovën

Sporti

Zvicra lejon që shqiptarët të luajnë për Kosovën

Më: 18 janar 2014 Në ora: 13:15

Federata e Futbollit e Zvicrës duket se është treguar më zemërgjerë se sa është pritur. Ajo dje përmes shefit për medie, Marco von Ah, ka bërë të ditur se Federata zviceriane nuk do t’ ia ndalojë askujt të marrë pjesë në një ndeshje me karakter simbolik. “SFV nuk do t'ia ndalonte askujt të marrë pjesë në një ndeshje futbolli me karakter simbolik.

Por për një ndeshje të tillë është i nevojshëm pëlqimi nga federatat e vendeve ku zhvillojnë garat klubet e lojtarëve të caktuar. Kjo, në rastin e Shaqirit konkretisht do të thotë Federata e Kosovës duhet të bëjë kërkesën te FC Bayern dhe të marrë po ashtu edhe një pëlqim nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB)”, tha Marco von Ah.

Të rikujtojmë se ditë më parë përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki ka bërë të ditur se nuk do t’i ftojë futbollistët e përfaqësueses së Zvicrës në ndeshjen e parë, kjo për arsye që mos t’i vërë në presion, kur dihet se ata do të marrin pjesë edhe në kampionatin botëror, transmeton zëri.

Mirëpo, ndesh me këtë deklaratë ka rënë ajo e numrit një të FFK-së, Fadil Vokrri, i cili ka thënë se institucioni që ai drejton do t’iu bëjë ftesë të gjithë lojtarëve kosovarë, duke përfshirë këtu edhe këta që luajnë me Zvicrën.

“Ne u besojmë deklarimeve të kryetarit të Federatës kosovare, i cili me rastin e një vizite që u pati bërë lojtarëve në hotelin e ekipit tonë nacional vitin e kaluar. Ai me atë rast pati premtuar se nuk do t'i thërriste lojtarët si Shaqiri ose Xhaka të luajnë për Kosovën. Mirëpo ne natyrisht jemi duke i ndjekur zhvillimet, edhe ato politike dhe bëjmë çfarë është e mundur që lojtarët e përmendur të marrin nga ne përgjigje korrekte dhe të drejta për të gjitha pyetjet që i shtrojnë”, përfundon Marco von Ah.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat