Bjorn Petter Ingebretsen: Në Tiranë për të fituar

Sporti

Bjorn Petter Ingebretsen: Në Tiranë për të fituar

Më: 9 korrik 2015 Në ora: 08:03

Informacionet se në Shqipëri Partizani ka një tifozëri të zjarrtë dhe që do të jetë arma më e fortë e të kuqve në “Qemal Stafa” mund të kenë frikësuar stafin teknik të Stromsgodset, por jo tifozët e kësaj skuadre, që ndonëse në numër të kufizuar, e pushtuan për pak minuta impiantin e kryeqytetit gjatë seancës stërvitore të ekipit norvegjez. Për t’u freskuar kishin zgjedhur të konsumonin birrë, ndërsa futbollistët, sipas trajnerit Bjorn Petter Ingebretsen, për të shmangur dehidratimin dhe për t’u përshtatur me të nxehtin përvëlues të korrikut, do të konsumojnë sa më shumë ujë.

“Temperaturat e larta do të jenë një sfidë e madhe për ne. Mendoj se lojtarët e mi janë përgatitur mirë edhe për këtë problem. Kemi konsumuar shumë ujë dhe besoj se nuk do ta përballojmë të nxehtin që bën këtu. Djemtë janë në formë të mirë fizike dhe fatmirësisht nuk kemi asnjë dëmtim nga ndeshja e parë që kemi zhvilluar me Partizanin”.

Sipas trajnerit norvegjez, Stromsgodset duhet të ketë shumë kujdes gjatë 20 minutavetë para, kohë që do t’i duhet për të kuptuar strategjinë e Partizanit.

“Ne do të luajmë për ta fituar ndeshjen, por varet se si do të luajë Partizani. Duhet të kemi kujdes gjatë 20 minuta vetë para e më pas do të kemi një strategji më të qartë për ta fituam këtë takim”.

Përsa u përket shanseve për kualifikim, Bjorn Petter Ingebretsen kujtoi se Stromsgodset vjen pas një fitoreje 3-1 në takimin e parë, që do të thotë se Partizani do ta ketë shumë më të vështirë për të vijuar në raundin tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat