Transferta me Mladost i kursen Kukësit 80 mijë Euro

Sporti

Transferta me Mladost i kursen Kukësit 80 mijë Euro

Më: 12 korrik 2015 Në ora: 23:51

Duket ironike por goli i realizuar nga Vukovic në minutën e 90 jo vetëm i dha kualifikimin Mladost përballë Neftcit, por gjithashtu pasuroi arkën e klubit të Kukësit me rreth 80 mijë Euro. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për ndonjë bast apo dhuratë që mund ti bëjë skuadra nga Mali i ZI nënkampionëve tanë, por kualifikimi i tyre dhe përballja me verilindorët bën që shpenzimet e trasfertës së sfidës së kthimit për raundin e dytë të Europa League të jenë më të ulta. Për të qënë më të qartë rreth përfitimit financiar të Kukësit mjafton të kujtojmë se në rast se Neftci do të kualifikohej, skuadra e Marcelo Troisit do të duhej të udhëtonte drejt Azerbaixhanit, dhe kostoja e këtij udhëtimi parashikohej të ishte diku tek 80-90 mijë Euro.

Ndërkohë që udhëtimi drejt kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricë ka një kosto të papërfillshme, nisur nga distanca e shkurtër midis dy kryeqyteteve të vendeve tona. Edhe në rastin më të keq, Kukësi mund të udhëtojë drejt Podgoricës me autobuz, në një udhëtim që zgjat diku tek rreth 3 orë. Nëse dy sezone më parë Kukësi bëri historinë me kalimin e tre tureve në Europa League, këtë edicion nënkampionët e vendit kanë mundësinë që jo vetëm të lënë sërish gjurmë në arenën europiane duke bërë një tjetër përfaqësim dinjitoz të futbollit shqiptar në kontinent, por të arrijë të mbushë financiarisht edhe arkat e klubit qoftë edhe me faktin se përballë kanë një skuadër që luan rreth 160 Km larg stadiumit Qemal Stafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat