Messi fiton ‘Topin e Artë’, i pesti në karrierën e tij

Sporti

Messi fiton ‘Topin e Artë’, i pesti në karrierën e tij

Nga: Kemajl Goca Më: 11 janar 2016 Në ora: 19:53

Futbollisti argjentinas, Lionel Messi, anëtar i Barcelonës, e kush tjetër fiton ‘Topin e Artë 2015’, çmim që jepet për çdo vit nga asociacioni më i lart i futbollit botëror, FIFA dhe ‘France Football’. Ceremonia është mbajtur në një atmosferë të jashtëzakonshme në Zurich. Messi mposhti në finale dy rivalët, Cristiano Ronaldon e Real Madridit dhe bashkëlojtarin e tij, Neymar. Messi deri më tash pesë herë ka fituar ‘Topin e Artë’.

I ashtuquajturi jashtëtokësor, Messi me Barcelonën në vitin 2015 ka fituar Champions Leaguen, titullin në Spanjë, Kupën e Mbretit, kupën e botës për klube dhe Superkupën e Europës. Futbollistja amerikane, Carli Lloyd, është më e mira e vitit 2015. Lloyd ka treguar formë të jashtëzakonshme dhe ngadhënjeu në konkurrencën e gjinisë më të bukur. Ajo i mposhti konkurrentet, japonezen Aya Muyama dhe gjermanen Celia Sasiç.

Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique është shpallur trajneri më i mirë i vitit nga FIFA, pas sukseseve me skuadrën e tij në Spanjë dhe Evropë. Enrique ka udhëhequr skuadrën e tij drejtë pesë titujve, duke dominuar kështu futbollin evropian. Ai për këtë çmim ka mposhtur trajnerin e Bayern Munihut, Pep Guardiolën dhe atë të Kilit, Jorge Sampooli. Trajnerja e vitit në konkurrencën e femrave është zgjedhur Jill Ellis. Ajo zgjidhet më e mira pas sukseseve që i arriti me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ellis në konkurrencë mposhti Mark Sampson, përzgjedhës i Uellsit dhe Norio Sasakin e Japonisë. Ndërkaq, FIFA e ka zgjedhur formacionin e vitit “FIFPro World XI Award”. Formacioni i vitit: Manuel Neuer, Thiago Silva, Marcelo, Sergio Ramos, Dani Alves, Andres Iniesta, Luka Modriç, Paul Pogba, Lionel Messi, Neymar, Cristiano Ronaldo. FIFA e ka ndarë edhe çmimin “Fair-Play”, i cili këtë radhë ka shkuar për organizatat e futbollit që i kanë ndihmuar refugjatët vitin e kaluar. Futbollisti brazilian, Wendell Lira, është fitues i çmimit ‘Puskas’. Goli i shënuar nga Wendell Lira, është zgjedhur goli më i mirë i vitit 2015 nga FIFA. Ai mposhti Lionel Messin dhe Alessandro Florenzi e Romës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat