Kosova përfaqësohet në Lojëra Olimpike me 8 sportistë, ja kush janë ata

Sporti

Kosova përfaqësohet në Lojëra Olimpike me 8 sportistë, ja kush janë ata

Më: 19 korrik 2016 Në ora: 16:40
Komiteti Olimpik i Kosovës

Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë të ditur se cilët do të jenë tetë sportistët, që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike 2016.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani tha se kjo ngjarje është historike, pasi Kosova për herë të parë po merr pjesë në Lojërat Olimpike.

Sipas tij, e rëndësishme është pjesëmarrja dhe paraqitja e dinjitetshme e shtetit të Kosovës.

Hasani: Dihen 8 sportistët që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike 2016

 “Tashmë dihen 8 sportistët të cilët do të marrin pjesën në lojërat olimpike Rio 2016. Kjo është historike sepse për herë të parë Kosova në historinë e saj të re merr pjesë në lojërat olimpike, prandaj është ndjenjë jashtëzakonisht e mirë, është ndjenjë që mund të përshkruajnë vetëm qytetarët që trajtohen të barabartë me të gjitha qytetarët e vendeve të tjera dhe kjo ndjenje, ky emocion është vetëm tek sportistët dhe trajnerët e tyre të cilët kanë mundësi të realizojnë ëndrrat e tyre, por edhe te ne  drejtuesve të sportit, por e besojë edhe të çdo qytetari i Kosovës kudo që gjendet. Mbrëmë në orën 23 e 59 është mbyllur regjistrimi zyrtar për pjesëmarrësit në lojërat olimpike dhe tashmë dihet për të gjithë pjesëmarrësit nga bota, cilët do të jenë në lojërat Olimpike Rio 2016 dhe normalisht di hen edhe 8 sportistët e Kosovës. 8 sportistë, është një numër solid numër i cili mbase tejkalon diku 50 për qind të shteteve sepse e veçantë e numrit të sportistëve është që ne i kemi dy norma olimpike, mbi 50 të shteteve nuk arrijnë normë olimpike”, tha Hasani.

Më tej, ai ka bërë të ditur emrat e sportistëve, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën, ku e para është Majlinda Kelmendi në sportin e xhudos.

Hasani: E para që merr pjesë është Majlinda Kelmendi, në sportin e xhudos

“Në vijim do i shpalos edhe emrat e sportistëve që do të marrin pjesë. E para është Majlinda Kelmendi, e cila merr pjesë në sportin e xhudos në kategorinë 52 kilogram dhe paraqitja e saj pritet të jetë më datën 7 gusht. Sportistja e dytë me normë olimpike është Nora Gjakova, në sportin e xhudos, në kategorinë 57 kilogramë, e cila do të paraqitet me 8 gusht", tha Hasani. 

Hasani bëri të ditur se përveç Kelmendit e Gjakovës, do të marrin pjesë edhe të tjerë sportistë. Musa Hajdari do të merr pjesë në atletikë në vrapimin 800 metra, ndërsa Viona Kryeziu, po ashtu në atletikë, në disiplinën 400 metra. Në sportin e notit, Lum Zhaveli do të marrë pjesë në disiplinën 50 metra, stil i lirë, ndërsa Drita Zeqiri, merr pjesë në disiplinën 100 metra në shpinë.

Në Lojëra Olimpike do të marrë pjesë edhe Urata Rama, në sportin e shenjtërisë, ndërsa çiklisti Qëndrim Guri, do të paraqitet më 7 gusht.

Ekipit në Lojëra Olimpike do t’i prijë Eugen Saraçini, i cili është shef i misionit.

Ai ka bërë të ditur se tashmë janë përcaktuar ekipet, oraret, ndërsa udhëtimet do të fillojnë nga 28 korriku.

Saraçini: Sportistët do të kenë të gjitha kushtet

“Po e keni të qartë se tanimë është përcaktuar ekipi, oraret janë të njohura për të gjithë ne, ndërkaq udhëtimi do të fillojë diku prej datës 28 do të shkojë varësisht nga pjesëmarrja në gara, atëherë do të vendosen në fshatin olimpik ku do të kenë kushte për stërvitje por edhe të qëndrimit. Arenat nuk do të jenë larg, çka do të thotë se edhe transporti prej fshatit është rregulluar në atë mënyrë që sa më shpejtë të arrijnë në arena pa mundime të mëdha. Pastaj çdo delegacion do të ketë mundësinë që të parashtrojë edhe kërkesa tjera, mirëpo duhet pasur parasysh që është një masë e madhe e atletëve që do të garojnë. Kështu që ne si udhëheqës do të kemi në menaxhim të gjitha këto lëvizje dhe shpresojmë se nuk do të ketë probleme”, tha Saraçini.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë të ditur se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një prezantim të suksesshëm në Lojëra Olimpike Rio 2016, të cilat do të fillojnë më 5 gusht, ndërsa do të përfundojnë më 21 gusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat