Tërhiqet Sahit Prizreni

Sporti

Tërhiqet Sahit Prizreni

Më: 21 gusht 2016 Në ora: 23:17
Sahit Prizreni

Lamtumira e një kampioni të madh. Një ndër mundësat më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, Sahit Prizreni ka lajmëruar se mbyll karrierën aktive si sportist. 33-vjecari që në Lojërat Olimpike të Rio-s garonte për Australinë ka bërë të ditur gjithcka nëpërmjet profilit të tij në Facebook, pas disfatës që pësoi këtë të dielë përballë kinezit Katai Yeerlanbieke në kualifikueset e Kategorisë 65 kg në stilin e lirë ku shkruan:

“Së pari një falenderim për të gjithë ata shokë e miq që me të vërtetë besuan dhe me uruan gjatë gjithë këtyre ditëve të Lojërave.
Me të vërtetë me keni bërë të ndihem krenar për vendin tim për qytetin tim edhe pse unë sot garova për një shtet tjetër.
Sot nuk arrita të jap atë cka unë shpresoja dhe ndoshta mund tju kem zhgenjyer!
Besoj që I kam dhënë gjithçka këtij sporti dhe per mua ka ardhur koha ta mbyll karrieren time ktu.
Ju falenderoj të gjithëve nga zemra.”

Fjalë të ndiera të një kampioni të vërtete që i jep lamtumirën mundsjes pas një karriere mbi 20-vjecare, gjatë së cilës është konfirmuar si mundësi më i mirë që ka përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionet ndërkombëtare me medaljen e Bronzit të fituar në Botërorin e vitit 2007, ndërsa në vitin 2011 u shpall nënkampion Europe. Për sa i përket arenës kombëtare, ai i Prizrenit ka qenë një dominim total në mundjen e lirë pasi në peshën e tij, që nga viti 1995 kur ka filluar karrierën si profesionist ka triumfuar në thuajse të gjitha aktivitetet Kombëtare ku ka marrë pjesë.  Prizreni në Pekin 2008  ishte dhe flamurmbajtësi për Shqipërinë ne Lojërat Olimpike . Sportisti elitar u detyrua të largohet nga Shqipëria pas krizës institucionale që pësoi sporti i mundjes me përcarjen në dy Federata dhe një konflikti të vazhdueshëm mes tyre që penalizoi sportistët duke zgjedhur që të përfaqësojë Australinë në Lojërat e Rios. I dalluar si një sportist me teknikë të jashtëzakonshme, gjakftohtësi dhe karakter të fortë mbetet padyshim si një ndër sportistët më të mirë shqiptarë të këtyre dy dekadave të fundit. Ajo e tija, është me të vërtetë lamtumira e një kampioni të madh!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat