Janjeva: Në pingpong vazhdon të rritet cilësia

Sporti

Janjeva: Në pingpong vazhdon të rritet cilësia

Nga: Kemajl Goca Më: 26 gusht 2016 Në ora: 11:17
Nehare Janjeva

Pingpongistet e Kosovës me pak fat sportiv do të ishin kthyer me rezultate më të mira nga Kampionati Ballkanike U-21, që u mbajt në Mal të Zi.  Pingpongistet tona treguan paraqitje të mira, por në luftë për vend të tretë pësuan nga kombëtarja e Shqipërisë me rezultat 3:1. Pingpongistja prishtinase, Nehare Janjeva, anëtare e kombëtares së Kosovës, tha se iu mungoi fati sportiv, sepse rezultatet do të ishin edhe më të favorshme. Sipas saj, ky kampionat ka qenë ndër më të mirët dhe një përvojë e hatashme. “Këtë kampionat, sigurisht mundemi me e vlerësuar si ndër më të mirët për shkak që u përballem me kundërshtar moshatar dhe ishte mundësi më e mirë me marrë përvojë dhe cilësi nga lojërat e zhvilluara”, thotë Janjeva për gazetën kombëtaren “Bota sot”. 21-vjeçarja tregon se si pësuan humbje nga Shqipëria. “Lirisht mundem të them që nuk patëm fat dhe nuk e përdorëm taktikën të cilën ata e shfrytëzuan, duke i renditur lojtaret e tyre me ndryshe se si pretendonim ne”, tha ajo.  Kosova U-21 shënoi edhe një fitore me rezultat 3:2 kundër Malit të Zi U-21, e cila u vlerësua lart. Kjo fitore u karakterizua edhe si befasi duke e marr për bazë se malazezet si gjithmonë ishin një hap para vashave tona. Por shihet se pingpongu i Kosovës gradualisht po shënon rritje të nivelit dhe janë vazhdimisht të papërshtatshme për çdo kundërshtare. “Fitorja kundër Malit të Zi? Ishte befasi përderisa gjithmonë ato kanë qenë një hap me përpara se ne, mirëpo lojërat që zhvilluam ndaj tyre, mund të them që me plot meritë arritëm të fitojmë”, ka thënë pingpongistja prishtinase. “Mendoj që përvoja të cilën e kemi marrë gjatë këtyre viteve, na mundësoj që niveli sadopak i vogël të jetë gjithsesi. Mendoj që veç është rrit dhe vazhdon të rritet”, thotë Janjeva. Ajo flet edhe për synimet që ka me ekipin e Prishtinës. “Si ekip kemi marrë shumë medalje të arta, dhe sigurisht synimi ynë vazhdon të jetë që të arrijmë edhe më shumë jashtë rajonit të Kosovës”, thotë ajo. Pingpongistja e talentuar përgatitet për garat e mëdha sidomos në muajin tetor do të garojnë në Kampionatin Evropian. “Në shtator fillon sezoni dimëror, kështu që garat të cilat do të mbahen janë mundësi që fituesit të kualifikohen në Kampionatin Evropian,  i cili mbahet në muajin tetor në Budapest të Hungarisë”, thotë Janjeva.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat