Makolli e Zeqiri, më të mirët

Sporti

Makolli e Zeqiri, më të mirët

Më: 26 mars 2017 Në ora: 12:34
Pamje e fituesve të garës

Në Sallën e SHM Profesionale “Jonuz Zejnullahu”, u mbajt turneu i pingpongut për seniorë, në kuadër  të manifestimit Flakadani i Karadakut.  Morën pjesë 80 pingpongistë dhe pingpongiste nga Kosova dhe nga Klubet e pingpongut Durrësi dhe Beratit nga Shqipëria.

Hapjen solemne të garës e bënë Kryetari i Komunës së Vitisë z. Sokol Haliti, dhe Nehat Çitaku, kryetar i FPPK-së.

Garat u zhvilluan në dy faza, në fazën e grupeve dhe  në shortin kryesor. 

Në një ambient shumë të këndshëm sportiv, ku nuk munguan as shikuesit, organizatori, KP Vitia, në bashkëpunim me Komunën e Vitisë dhe FPPK-në  kanë bërë një organizim për lakmi. E gjithë kjo pati efekt pozitiv edhe në kualitetin e lojërave të zhvilluara. 

Te meshkujt, pati ndeshje interesante dhe cilësore. Ndeshje interesante u zhvilluan ndërmjet të riut Kreshnik Mahmuti dhe lojtarit më të mirë të Shqipërisë Ilir Shabanajt nga KP Berati. Kreshniku me angazhim maksimal ia doli që të befasojë lojtarin me përvojë nga Shqipëria dhe u plasua në xhiron e radhës. Më interesant ishte edhe dueli ndërmjet  Yll Dragidellës dhe Kreshnik Mahmutit. Pas shumë pikëve atraktive dhe një rivaliteti të fortë, këtë herë Ylli ishte më i përqendruar dhe meritë u plasua më tej. Befasinë më të madhe e bëri Blendon Luta, i cili e mundi Baton Çitakun e favorizuar me rezultatin 3:1 në sete. Blendoni i bëri rezistencë edhe Rrahman Ademajt, por nuk qe e mjaftueshme për ta bërë edhe befasinë e dytë brenda një dite.  Duel shumë interesant u zhvillua ndërmjet Mentor Shabanit dhe Berkan Bajmakut, ku u desh të luheshin 5 sete për tu vendosur gjysmëfinalisti i parë. Mentori, u tregua më i vendosur dhe me meritë u rendit në gjysmëfinale me Ylli Dragidellën, ndaj të cilit fitoi me 3:0. Gjysmëfinalja e dytë ishte ballafaqim ndërmjet dy lojtarëve të KP Elting Rrahman Ademit dhe Milot Makollit. Që nga fillimi, Miloti u angazhua maksimalisht dhe tregoi vendosmëri për të arritur në finale. Rrahmani fitoi një set, por Miloti i fitoi tre të tjerët dhe iu revanshua Rrahmanit për humbjen nga Java e kaluar. 

Finalja kaloi në lojë të mirë dhe atraktive nga të dy lojtarët që kanë dy stile të ndryshme të lojës, Miloti me mbrojtje të mirë të kombinuar edhe me sulm, kurse Mentori një sulmues i pastër. Mentori dukej sikur ishte shpenzuar mjaft andaj gjatë gjithë ndeshjes nuk ia doli që të përqendrohej në lojë dhe u desh të kënaqet me vendin e dytë. Fitues i këtij turneu, që mëton të bëhet tradicional, është Milot Makolli, që e mbizotëroi kundërshtarin në çdo aspekt të lojës. 

Te femrat, pati më shumë lojtare se zakonisht, falë pjesëmarrjes së lojtareve  të KP Teuta e Durrësit që kishin ardhur me 5 lojtare. Ndeshje shumë të mira u zhvilluan ndërmjet Linda Zeqirit të KP Drita dhe Liridona Rexhajt të KP Teuta. Liridona në lojë hyri si favorite e lehtë, pasi loja e saj e theksuar defensive kohëve të fundit i ka sjellë asaj suksese në duele me lojtaret kosovare. Megjithatë, sot Linda Zeqiri, luajti mirë faktikisht, por ishte më stabile edhe mentalisht, kështu që pas një lufte të madhe me 3:2 në seta e mposhti Rexhajn. Gjysmëfinalja e dytë u zhvillua ndërmjet dy lojtareve të KP Prishtina, Nehare Janjeva dhe Iliriana Haliti. Edhe në këtë ndeshje, pati shumë poenë atraktivë dhe lojë cilësore që i kënaqën të pranishmit në sallë. Në fund, Neharja edhe njëherë e dëshmoi se është në formë më të mirë dhe me 3:2 në seta u plasua në finale. 

Në meçin final, Linda filloi furishëm duke i fituar dy setat e parë dhe paralajmëroi se sot ishte e vendosur për të triumfuar. Seti i tretë ishte shumë i barabartë dhe i ngushtë sa i përket rezultatit. Neharja provoi që të kthehet në lojë dhe rezistoi mjaft, por humbja e dy setave të parë la gjurmë në lojën e saj andaj, fitorja me meritë i takoi Linda Zeqirit me 3:0 në sete.

Organizatori, kishte përgatitur shpërblime dinjitoze për fituesit, Mirënjohje Medalje dhe Kupa. Shpërblimet i ndanë Drejtoresha për KR dhe Sport e Komunës së Vitisë, Kaltrina Sylejmani, Nehat Çitaku, kryetar i FPPK dhe më i merituari për këtë organizim, Daniel Ramaj, KP Vitia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat