Bëhu edhe ti pjesë e fushatës “Çiklizmit rreth Kosovës për Fëmijët 2017”

Sporti

Bëhu edhe ti pjesë e fushatës “Çiklizmit rreth Kosovës për Fëmijët 2017”

Më: 24 maj 2017 Në ora: 10:49
Ilustrim

Çiklistë lokal organizojnë ngjarjen “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” për të katërtin vit me radhë në ndihmë të “Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.” Sfida edhe për këtë vit do të jetë çiklizmi rreth e rreth Kosovës për tre ditë duke u nisur nga Prishtina për në Gjilan, Ferizaj, Prevallë, Prizren, Gjakovë, Valbonë, Junik, Pejë, e deri në kthimin në Prishtinë në një rrugëtim prej mbi 500 kilometrash me mbi 5000 metra ngjitje.

“Këtë sfidë po e bëjmë për të mbledhur fonde për Aksionin për Nëna dhe Fëmijë me qëllim të blerjes së një pajisje të analizës së gjakut për foshnjet në klinikën e neonatologjisë në Pejë,” u shpreh Albion Hadri, njëri nga organizatorët e ngjarjes. “Kjo pajisje është e domosdoshme për të bërë analizat e gjakut tek foshnjet direkt në inkubator dhe jo jashtë klinikës, e që rrjedhimisht shpëton jetë fëmijësh,” vazhdoi Hadri.

“Këtë vit ne ftojmë qytetarët të bëhen pjesë e fushatës duke na ndihmuar në një nga mënyrat si: shpërndani fushatën online me shoqërinë tuaj në rrjete sociale, jepni edhe ju mbështetjen financiare për të ndihmuar foshnjat, ftoni palë të interesit që të dhurojnë mbështetje financiare dhe të marrin pjesë në ngjarjen përmbyllëse. Fushata është aktive në platformën më të re në Kosovë të quajtur KosovaIdeas, përmes vegëzës http://kosovaideas.net/campaign/detail/305” bënë thirrje Agim Bilalli, organizator dhe çiklist. 

Çiklistët do të nisin rrugëtimin e tyre të premten, me 2 qershor nga Lulu’s Coffee and Wine dhe kthehen të dielën me 4 qershor. Një ngjarje përmbyllëse do të mbahet në De Rada duke filluar nga ora 19:00, në të dielen mbrëma të 4 qershorit, që përfshin argëtim, muzikë, ushqim dhe aktiviteteve të ndryshme për familjarë.

--------

 “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” është një aktivitet për mbledhjen e fondeve, që ka filluar në vitin 2014, në bashkëpunim me Aksionin për Nëna dhe Fëmijë - ANF. Që atëherë, një grup prej 40 - 50 çiklistëve kanë marrë pjesë në turneun vjetor të çiklizmit rreth Kosovës, duke kaluar nëpër qytete më të mëdha në vend, duke përfshirë 500 km çiklizëm dhe 6.000 metra ngjitje. Turneu vazhdoi në vitin 2015 dhe 2016, me të njëjtin qëllim, përkatësisht ngritjen e fondeve për repartin e maternitetit në spitalin e universitetit të Prishtinës. Çdo vit, aktiviteti ishte në gjendje që të mbledh në mes të 10 dhe 14 mijë eurove, nëpërmjet sponsorizimit të korporatave, donacioneve individuale, dhe ngjarjeve në fund të aktiviteve të organizuara në Prishtinë. Paratë janë përdorur për blerjen e një analizatori hematologjik, llamba UV për inkubatorët e fëmijës, si dhe monitorët kardiopulmonar, të cilat u janë dhuruar njësisë së maternitetit në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat