Espinos në Kosovë, ka dy fjalë...

Sporti

Espinos në Kosovë, ka dy fjalë...

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 16:40
Pamje nga pritja e Antonio Espinos

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, z.Besim Hasani, organizoi pritje për presidentin e Federatës Botërore të Karatesë (FBK), z.Antonio Espinos, i cili po e viziton për herë të parë vendin tonë. Pikërisht stacionin e parë në Kosovë, Espinos e kishte në Komitetin Olimpik të Kosovës.

I pari i karatesë botërore do të jetë i pranishëm në Kampionatin Evropian të Karatesë për Regjione, që mbahet për herë të parë në Prishtinë.Z.Espinos shoqërohej nga sekretari gjeneral i FBK-së, z.Stjepan Celan, dhe kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, z.Ismet Krasniqi. Z.Hasani, që shoqërohej nga anëtarja e Bordit dhe trajnerja e karatesë, Shqipe Zogiani, shprehu kënaqësinë me rastin e vizitës së z.Espinos. Ai njoftoi mysafirin për proceset nëpër të cilat po kalon Komiteti Olimpik i Kosovës, e deri tek Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.Hasani i tregoi për rëndësinë që ka kareteja në Kosovë, duke thënë se ky sport është njëri prej sporteve më të popullarizuara në vend. Kryetari i FBK-së, z.Antonio Espinos, tha se realizoi një premtim që ia kishte bërë z.Hasanit, se do ta vizitojë Kosovën. Të dy kishin pasur takime të shumta në vitet paraprake.Presidenti i karatesë botërore zbuloi bisedën me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, z.Thomas Bach, dhe Pere Miro, të cilët pas vizitës që i kishin bërë Kosovës, e kishin njoftuar mirë z.Espinos për entuziazmin dhe pasionin që kanë kosovarët por edhe z.Hasani për karatenë.

Ai foli edhe për Lojërat Evropiane “Baku 2016”, ku ndjeu keqardhje që Kosova për pak nuk fitoi medalje me karateistin, Alvin Karaqi. Z.Espinos më pas iu drejtua edhe Shqipe Zogianit, duke i thënë se është në dijeni se ka qenë ambasadore e sportit në Kosovë, pas sukseseve të arritura si karateiste. Më pas, ata biseduan për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” dhe përfshirjen e karatesë në Programin Olimpik për LO “Tokyo 2020”. Karateja do të merrë pjesë me tri kategori e jo me pesë siç organizohen Kampionatet Evropiane dhe Botërore. Ai kërkoi nga z.Hasani, të përdorë autoritetin e tij në KON që karateja të jetë pjesë e përhershme e Programit Olimpik.Në fund, kreu i KOK-ut ndau disa dhurata për z.Espinos, para se t’i drejtoheshin mediave të pranishme, ku u përqendruan më shumë në Kampionatin Evropian për Regjione, që mbahet më 3 dhe 4 qershor në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat