Sportistët që do të përfaqësojnë Kosovën në EYOF “Gyor 2017”, udhëtuan për në kampin përgatitor

Sporti

Sportistët që do të përfaqësojnë Kosovën në EYOF “Gyor 2017”, udhëtuan për në kampin përgatitor

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 11:35
Sportistët e Kosovës

Nëntë sportistë dhe tre trajnerë, janë nisur për në Belek të Turqisë, ku për një javë do të përgatiten në qendrën stërvitore, “Gloria Sport Center”, mundësuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Sportistët do të përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, që mbahet në Hungari prej 23-29 korrik 2017.

Në aeroport ata u përcollën edhe nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti z.Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, z.Shasivar Haxhijaj, të cilët uruan sportistët që të përgatiten sa më mirë dhe të tregojnë disiplinë para pjesëmarrjes në “Gyor 2017”. Pjesë e grupit nuk ishte ekipi prej katër xhudistëve (Laura Fazliu, Arbër Kullashi, Selim Berisha dhe Shpati Zekaj), të cilët kampin përgatitor e kanë kryer javë më parë në Poreq të Kroacisë.
Trajnerët u shprehën të lumtur që iu është dhënë mundësia të përgatiten në një kamp të tillë, derisa qendra stërvitore “Gloria Sport Center”, nuk ishte një ambient i panjohur për ta.
“Përgatitjet janë të mirëseardhura, është shumë mirë që do të përgatitemi para këtyre lojërave, edhe pse është kohë pak e shkurtë, por kemi atletë mjaftë të mirë, të cilët me përgatitje të mira presim të hyjnë në zonën e medaljeve”, u shpreh Xhavit Tahiri, trajner i atletikës. Mbretëresha e sporteve përfaqëson Kosovën në “Gyor 2017”, me atletët: Gentiana Peci, Valentina Kelmendi, Alaudin Suma dhe Arian Smajli.
“Do të përgatitemi maksimalisht, pasi synojmë që Kosovës t’i sjellim medalje nga Hungaria”, u tregua optimiste, Gentiana Peci.
Dy tenistëve, Diell Mehmedi dhe Blearta Ukëhaxhaj, u printe trajneri Argjend Lecaj. “Jemi shumë të lumtur dhe në Antalya presim vetëm t’i përforcojmë këto përgatitje, në mënyrë që fëmijëve tanë të mos ju mungojë përgatitja dhe të jenë të barabartë me shokët tjerë të vendeve tjera”, deklaroi Lecaj.
Trajneri i notit, Ardian Hamiti, theksoi se këto përgatitje do t’ju shërbejnë për të thyer rekordin e Kosovës në “GYOR 2017”. Notin e përfaqësojnë, Ardit Hysejni, Dren Ukimeraj, Muhamed Rushiti dhe Dion Kadriu. Ky i fundit nuk udhëtoi për në përgatitje, për arsye shëndetësore.
Ekspedita do të kthehet në Kosovë më 20 korrik, kurse një ditë më pas bëhet nisja për në Hungari, ku Kosova udhëton me synimin për të fituar medalje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat