Ceferin: UEFA do ta ndihmojë Kosovën

Sporti

Ceferin: UEFA do ta ndihmojë Kosovën

Më: 17 gusht 2017 Në ora: 17:11
Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin me kreun e FFK-së, Fadil Vokrri

Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, ka thënë se institucioni më i lartë i futbollit evropian do ta ndihmojë dhe do ta financojë FFK-në, por duhet të arsyetohet përdorimi i atyre mjeteve.

Ai këto komente i bëri në një konferencë  të përbashkët për media me kreun e FFK-së, Fadil Vokrri.

Ceferin tha se UEFA do të ndihmojë financiarisht FFK-në, por kjo e fundit duhet që të vërtetojë se ku i shpenzon këto mjete.

Ceferin: FFK të vërtetojë se ku i shpenzon paratë

“Ne kemi një program të quajtur ‘hat-trick’ ku çdo federatë merr shumën e njëjtë të parave, kjo shumë për Kosovën është e madhe, për Slloveninë gjithashtu, por ndoshta jo për Gjermaninë. Ne po ndihmojmë në këtë mënyrë dhe sigurisht Federata duhet të vërtetojë se ku po i shpenzon ato para”, ka thënë Ceferin.

Sa i përket infrastrukturës së futbollit në Kosovë, Ceferin tha se për momentin nuk është mjaftueshëm e zhvilluar, por sipas tij ky është fillimi i rrugës së Kosovës si federatë e pranuar në UEFA dhe FIFA, dhe se këto gjëra janë normale.

Ceferin: Do t’ju ndihmojmë rreth infrastrukturës

“Veçanërisht ne duhet t’iu ndihmojmë me infrastrukturën, sepse infrastruktura në Kosovë nuk është mjaftueshëm e mirë në këtë moment, por është shumë normale. E mbaj mend edhe Slloveninë në vitin 1991 dhe as ne nuk kishim infrastrukturë”, ka thënë Ceferin.

I pyetur rreth mundësisë së krijimit të një lige regjionale, presidenti i UEFA-s, theksoi se për shkak të situatës politike kjo gjë aktualisht është e pamundur, por nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të ndodhë në të ardhmen.

Ceferin: Për momentin nuk do të ketë ligë rajonale

“Sa i përket ligës regjionale, në këtë moment siguria apo situata politike nuk është shumë e përshtatshme për të organizuar liga të tilla, ju nuk e dini asnjëherë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, ndoshta do të ketë ndonjë ligë regjionale përreth Evropës, por në këtë moment mendojmë se është shumë e rrezikshme ta bëjmë atë”, ka thënë ai.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka falënderuar presidentin e UEFA-s për kontributin e madh që ka dhënë për Kosovën, jo vetëm si president i UEFA-s, por edhe gjatë kohës sa ishte kryetar i Federatës Sllovene të Futbollit, duke e ndihmuar Kosovën në anëtarësimin në UEFA dhe FIFA.

Vokrri: Nuk duhet harruar mbështetjen e Ceferin për Kosovën

“Unë i falënderohem nga zemra jo vetëm pas zgjedhjes së tij si president i UEFA-s dhe mbështetjes së tij, mirëpo nuk duhet harruar edhe mbështetjen e tij sa ishte president i Federatës Sllovene, e cila ishte një ndër të parat që na pranoi edhe në vizitë edhe me mbështetjen që na ka dhënë dhe i dëshiroj mirëseardhje në Kosovë dhe e falënderoj nga zemra që ka gjatë kohë për një vizitë të tillë për t’i bërë një vizitë të tillë Federatës së Kosovës dhe Kosovës”, ka thënë Vokrri. Ndryshe, gjatë ditës kreu i UEFA-s është takuar edhe me kryeministrin në detyrë të Kosovës Isa Mustafa, si dhe ka vizituar punimet që po bëhen për renovimin e stadiumit të Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat