Dhjetëra klube sportive morën pjesë në Panairin e Sportit 2017

Sporti

Dhjetëra klube sportive morën pjesë në Panairin e Sportit 2017

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 18:42
Dhjetëra klube sportive morën pjesë në Panairin e Sportit 2017 të mbajtur në Fushë Kosovë

Nën një organizim masiv nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Fushë Kosovës dhe me pjesëmarrje të dhjetëra klubeve të ndryshme sportive, u organizua Panairi i Sportit 2017 në Komunën e Fushë Kosovës.
Panairi u mbajt në fushën e improvizuar të Shkollës Fillore “Mihal Grameno”, ku morën pjesë qindra fëmijë të shkollave fillore, të cilët patën rastin të shohin ofertën e klubeve sportive të Fushë Kosovës.
Panairi, i cili ka për qëllim masovizimin e sportit nëpër të gjitha Komunat, u hap nga presidenti i KOK-ut, z.Besim Hasani dhe znj.Nurie Avdiu, drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e Fushë-Kosovës.
I pari i KOK-ut falënderoi drejtuesit e kësaj Komune për organizimin masiv dhe ju uroi suksese sportistëve në garat vendore dhe ndërkombëtare. Ai ftoi fëmijët që të merren me sport dhe të ndjekin rrugën e Majlinda Kelmendit.
Znj.Avdiu tha se në Fushë Kosovë janë 22 klube aktive, por që me përkrahjen e kësaj Komune do t’i shtojnë edhe 25 klube tjera.
Javën e kaluar, Panairi i Sportit u organizua edhe në Komunat e Gjilanit dhe Gjakovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat