Barazia gjinore dhe diversiteti

Sporti

Barazia gjinore dhe diversiteti

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 13:50
Pamje nga seminari Barazia gjinore dhe diversiteti

Në një organizim madhështor dhe me pjesëmarrje masive, është mbajtur të mërkurën konferenca “Barazia gjinore dhe diversiteti”, e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Komisioni i përhershëm i KOK, “Femra dhe Sporti”.
Pjesëmarrës ishin përfaqësues të klubeve, federatave, Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, ish sportiste e deputetë dhe përfaqësues nga arti dhe kultura!
Konferenca u zhvillua me ndihmën e panelistëve, rreth 15, por pyetjet, komentet dhe sugjerimet nga pjesëmarresit ndihmuan që konferenca të jetë shumë interaktive dhe u konsiderua si vlerë e shtuar!
Konferenca kishte për qëllim të identifikojë barazinë gjinore ndërmjet burrave e djemve dhe grave e vajzave, të përfshira në sport nëpërmjet klubeve, federatave, KOK-ut dhe institucioneve tjera sportive dhe edukativo-arsimore.
Hapjen e bëri kryetarja e Komisionit “Femra dhe Sporti”, Shqipe Zogiani, njëherit anëtare e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, e cila më pas paraqiti edhe statistika të pjesëmarrjes së gjinisë femërore në BE të KOK-ut, në ndarjen e bursave olimpike nga KOK-u, medaljet e fituara nga femrat etj. Konferenca drejtohej nga anëtarja tjetër e këtij komisioni, Vjollca Krasniqi.
Të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti, por edhe nga paneli, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani, i cili foli për rëndësinë që ka barazia gjinore si në KOK ashtu edhe në institucionet tjera.
Në panel ishin edhe deputetja, Lirie Kajtazi, politikania e njohur, Kaqusha Jashari, ish-hendbolliste, aktorja e mirënjohur, Leze Qena, e cila dikur ishte marrë me gjimnastikë, boksierja Donjeta Sadiku, nënkampione e botës dhe kampione e Evropës, profesoresha Shqipe Bajçinca – Brestovci, Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, e cila paraqiti përvojën e saj në “Global Sports Mentoring Program” të kryer në SHBA, Daulina Osmani, ish kampione e notit, Arjeta Gashi nga Syndrom Doën, Lindita Cena, ish-futbolliste, Nazmi Gashi, sekretar i Federatës së Karatesë së Kosovës, Mariola Sallauka, trajnere e boksit dhe Diellza Shaqiri Kelmendi nga Universiteti AAB.
Panelistët paraqitën sfidat e ndryshme që ka gjinia femërore për t’u marrë me sport, derisa në fund u dhanë 15 rekomandime, të cilat mbështesin fuqishëm rolin e pjesëmarrjes së femrës në sport dhe në fusha të ndryshme të sportit.
Të pranishmit vlerësuan lartë konferencën, duke kërkuar që konferenca me tema të tilla të mbahen edhe në të ardhmen. Konferenca u mbajt në Hotel Sirius në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat