Briken Calja pa medalje, i katërti në Botërorin e peshëngritjes

Sporti

Briken Calja pa medalje, i katërti në Botërorin e peshëngritjes

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 09:21
Briken Calja

Briken Calja nuk ka mundur të hyjë në zonën e medaljeve në Botërorin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Anaheim të Amerikës, duke mos realizuar dot objektivin e tij edhe pse vendi i 4-t në botë mbetet rezultat i mirë.

Shtangisti kuqezi realizoi vetëm 2 nga 6 provat që kishte në dispozicion, nga një për secilin stil, duke u klasifikuar në vendin e katërt në shkëputje dhe të pestin në shtytje. Ndërsa në dygarësh ai e mbylli garën në vendin e 4-t, me 317kg, jashtë zonës së medaljeve.

Paraqitja e Cales nuk ishte ajo që pritej, duke e nisur mirë konkurrimin në të dyja kategoritë, por nuk kishte vijueshmëri në rezultate. Ai ishte shtangisti i dytë kuqezi që garoi në këtë Botëror pas Evangjeli Velit (e 8-ta në peshën 58kg).

Në stilin e shkëputjes, Calja e nis mirë garën, duke ngritur në provën e parë 142kg dhe garon për medalje. Por në provën e dytë ai nuk arrin të ngrejë lart 145kg, ndërsa në provën e tretë tenton 146kg, duke dështuar sërish dhe e mbyll garën e këtij stili në vendin e katërt, duke mos hyrë në zonën e medaljeve.

Edhe në shtytje Calja ka të njëjtën paraqitje, duke realizuar me sukses vetëm provën e parë, kur ngre 175kg. Më pas, ai tenton dy herë të ngrejë 180kg, por pa sukses, duke e mbyllur garën në këtë stil në vendin e pestë, ndërsa në dygarësh renditet në vendin e 4-t me 317kg, një kg larg podiumit (vendi i tretë në dygarësh ngriti 318kg). Sot garojnë për Shqipërinë edhe Romela Begaj, Erkand Qerimaj e Krenar Shoraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat