Metaloplastika e Shabacit në Kosovë! Presidenti i KOK-ut, Hasani, a është në dijeni për garat ilegale serbe

Sporti

Metaloplastika e Shabacit në Kosovë! Presidenti i KOK-ut, Hasani, a është në dijeni për garat ilegale serbe

Nga: Kemajl Goca Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 11:58
Besim Hasani

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, nuk e besoj se frikësohet t’i reagon serbëve për garat sportive ilegale të Serbisë që mbahen në territorin e Republikës së Kosovës! 

Nuk dua të besoj se ai frikësohet, kur e dimë se ka qenë në krye të sportit tonë kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia shoveniste, pra në periudhën e vitit 1991-99! Ende nuk jam duke e kuptuar presidentin Hasani pse asnjëherë nuk e ngriti zërin apo përmes një letre publike të kërkojë njëherë e përgjithmonë të ndalen garat ilegale serbe në shtetin tonë! Sigurisht se nuk është në dijeni, se ndoshta jeton në një planet tjetër ose jeton në një kontinent aziatik, kështu të paktën krijohet përshtypja ose nuk ka informata.

Fakti më i habitshëm është, pse presidenti Hasani nuk kërkon të paktën përmes një letre që të ndalohen këto gara. Presidenti i KOK-ut, e dimë të gjithë, se nuk frikësohet, sepse sakrifikoi dhe jetën në kohën kur dikujt nuk ia ka mbajt t’i del përballë bandave çetnike serbe, por ai u doli! I nderuari president Hasani pse nuk reagon apo pse hesht ose pret që federatat përkatëse të ngritin zërin! Presidenti Hasani, sa për dijeninë tuaj, në futboll Mokra Gora e Zubin Potokut garon në Ligën e Tretë të Perëndimit, në kuadër të Serbisë. Zubin Potoku është i Republikës së Kosovës dhe jo i Serbisë! E dyta, e ashtuquajtura Trepçë garon në Ligën e Moravës së Serbisë në futboll! E treta, në basketboll, kemi po ashtu një ekip me emrin Trepça dhe garon në Ligën e Dytë të Perëndimit, të Serbisë. Në hendboll është Mokra Gora nga Zubin Potoku që garon në Superligën e Serbisë!

Sa për dijeni, me 6 dhjetor, pra në Zubin Potok do të takohen Mokra Gora – Jugoviq (në Zubin Potok, në orën 19.00), pastaj me 16-17 dhjetor do të vijë Metaloplastika e Shabacit, një nga klubet e mirënjohura dhe luan në Zubin Potok!  Ju si president dhe FHK-ja duhet të reagoni, të paktën ta dërgoni një notë proteste në mekanizmat ndërkombëtar. Edhe në volejboll është Partizani nga Lypjani e disa klube tjera. Të gjitha federatat heshtin, por edhe ju si KOK edhe Ministria e Sportit, të paktën nuk reagoni! Sepse Mokra Gora, e klubet tjera serbe në të gjitha sportet, kush i ndalon të garojnë në Flamurin e Shtetit të Kosovës?

Askush dhe mund të garojnë si tjera klubet sportive tona dhe të regjistrohen në federata përkatëse. A është normale që klubet nga Serbia të vijnë e të luajnë si në bahçe të babës në shtetin tonë! I nderuar president Hasani (president i KOK-ut nga viti 1996), sigurisht të kujtohet, në restorant “Show” (në dhjetor, 1993, në kohën e okupimit), kur ishit në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve të Republikës së Kosovës, kur u fut milicia shoveniste e Serbisë, iu sulmoi juve dhe shumë veprimtarëve të çështjes kombëtare e sportive të asaj kohe.

Sepse Serbia mundohej ta varroste çdo gjë në shtetin tonë, por fal ju dhe shumë të tjerëve sot sportin e kemi gjallë! Mu në shtetin tënd nuk të lejoi të garosh e ta shpallesh sportistin më të mirë, kurse sot ata vijnë e luajnë në tokën tonë! Pse heshtim burrë!  Bile në restorant “Show”, pra te zona industriale në Prishtinë, ka pasur prej drejtuesve sportiv që kishin me vete edhe mijëra marka dhe nga frika se mund t’ia konfiskojnë banditë serbë, i kanë fshehur ndër tepih. Disa u rrahën, disa u arrestuan e disa u burgosën. A është ashtu a jo president, që të çmojë shumë për burrërinë që ke treguar në kohë më të vështira, shpresoj edhe sot ta dëshmosh atë. Mblidhi federatat, kush nuk do të reagojë, bile ta dimë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat