Al Sabah: Çdo sportist duhet të ketë të drejtë të garojë në arenën ndërkombëtare

Sporti

Al Sabah: Çdo sportist duhet të ketë të drejtë të garojë në arenën ndërkombëtare

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 17:29
Presidenti i ANOC-ut Sheikh Al Sabah

Presidenti i ANOC-ut Sheikh Al Sabah, tha se do të përpiqen që çdo sportist nga Kosova të ketë të drejtën të garojë në të gjitha vendet ku ka lojëra, duke u vendosur edhe flamuri përkatës në ato ngjarje.

Këto deklarata Al Sabah i bëri pas takimit që pati me ministrin e Kulturës Kujtim Gashi, me ç’rast u shpreh se ndjehet i nderuar që patën rastin të bisedojnë për  bashkëpunimin  dhe të ardhmen e Kosovës dhe sportit kosovar.

Përderisa shtoi se do të vazhdojnë të mbështesin ngushtë KOK-un, federatat e sportit në Kosovë dhe lëvizjen sportive në përgjithësi.

I pyetur rreth pengesës së lëvizjes së lirë të sportistëve në arenën ndërkombëtare, përkatësisht atyre nga Kosova, Al Sabah tha se i takon secilit vend të respektojë pjesëmarrjen e të gjitha shteteve anëtare. E megjithatë ai pranoi se në këso raste ka vështirësi.

Sipas tij, edhe ato vende që e kanë të vështirë ta pranojnë Kosovën do ta bëjnë këtë gradualisht.

Al Sabah: Kosovën si realitet do ta njohin gradualisht të gjitha vendet

"Unë mendoj se nuk do të jetë rrugë e shtruar butë. Sportistët duhet të kuptojnë se kjo ka të bëjë me ligjin sportiv, me rregullat e lojës, me garimin sportiv. Po shpresoj se do të kuptojnë se në mënyrë simbolike, siç ka qenë rruga për lirinë e Kosovës, kanë edhe ata rrugën e tyre e cila nuk shtrohet lehtë sepse kjo vije me historinë që ka shteti i tyre. Ne do të luftojmë, do t’i bëjmë përpjekjet tona që çdo sportist të ketë të drejtën të garojë, të mos ketë pengesa dhe flamuri i vet të jetë i vendosur në ato ngjarje. Por e dimë se herë pas here aty do të ketë vështirësi... Por gradualisht edhe ata do ta pranojnë Kosovën si realitet", tha ai.

Ministri Gashi tha se për sportin kosovar dhe gjithë Republikën e Kosovës është nder i veçantë, vizita e presidentit të ANOC-ut, i cili ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur sportin kosovar edhe në të ardhmen.

Ai tha se ka njoftuar presidentin Al Sabah për arritjet e sportistëve të Kosovës për të gjitha kategoritë sportive, si dhe për medaljet e shumta që ata i kanë sjellë vendit viteve të fundit. Ndërsa shtoi se ka marrë konfirmimin nga ky i fundit, se ANOC do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e sportit kosovar.

Gashi: Morëm konfirmimin se ANOC do të vazhdojë të mbështesë sportin kosovar

“Z. President do të vazhdojë të jetë një mik i madh i Kosovës dhe po ashtu sapo morëm konfirmimin se do të jetë në mbështetje të vazhdueshme edhe të KOK-ut, por edhe të sportistëve tanë në përgjithësi. Për mua si ministër dhe për gjithë sportistët, është një ndër i veçantë që të kemi sot mysafir.  të mbështesë komitetin tonë. Sigurisht se i kërkova që të vazhdojmë edhe më tutje bashkëpunimin dhe mbështetjen për sportin kosovar", u shpreh Gashi.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, tha se për KOK-un është festë trevjetori i pranimit në  komitetin ndërkombëtar, pasi që  në këtë mënyrë është hapur rruga për pjesëmarrje në kampionate botërore.

Hasani: Anëtarësimi i KOK-ut në ANOC na hapi rrugën drejt Lojërave Olimpike

“Komiteti Olimpik i Kosovës në trevjetorin e pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar ka një festë të veçantë, që besoj që është festë jo vetëm për komitetin e sportit, por për mbarë Kosovën, sepse kur u pranuam në Komunitetin Ndërkombëtar të Sportit, dhe të gjitha institucionet e tjera, edhe në ANOC, u hap rruga të marrim pjesë jo vetëm në kampionate botërore, por edhe në lojëra olimpike”, tha ai.

Presidenti i ANOC-ut, gjatë ditës së sotme ka pasur takime edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe ka vizituar Prekazin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat