Sporti, menaxhimi dhe lufta e vjehrrës & resë!

Sporti

Sporti, menaxhimi dhe lufta e vjehrrës & resë!

Nga: Teuta Haxhimusa Më: 23 janar 2018 Në ora: 11:09
Teuta Haxhimusa

Dikush do të thoshte ç’ lidhje kanë këto të trija! Po i dëgjoja me vëmendje vështirësitë e disa miqve sportistë, me të cilat përballen çdo ditë për ta avancuar sportin, por edhe për ta ngritë vetëdijen e prindërve të fëmijëve, vetëdijen institucionale për ta vendosur sportin në agjendën e prioriteteve në një shtet ku sporti ende mbetet si temë luksoze. Ndonëse fushat e ndryshme profesionale, e kuptoj se ne si shoqëri vuajmë nga simptomat e njëjta të keqmenaxhimit. Ata flasin e unë e tërheq një trekëndësh SPORTI- MENAXHIMI – VJEHRRA & REJA - kanë një emërues të përbashkët, luftën e gjeneratave, mungesën e vetëdijesimit, stagnimin dhe demotivimin.
Në kulturën tonë menaxheriale nuk është e panjohur, qeverisja, udhëheqja e tipit “për inat të resë më vdektë djali” që domosdo sjell stagnim, rrënim dhe mjerim për vendin, institucionin, departamentin, njësinë, fushën profesionale, familjen, individin, etj.
Në sport, po e njëjta mendësi, fëmijët e talentuar janë viktimat e pasivitetit dhe mendësisë menaxheriale të ngathët. Ata janë të penguar për të trasuar pista të reja të sukseseve sportive. Pastaj mund të ndodhë për inati të… filanit… e pësoftë i tërë klubi, e tërë federata, të gjithë talentët e sportit përkatës. Kjo mendësi sjell stagnim, rrënim dhe mjerim. 
Në shtëpitë kosovare, por edhe gjetiu janë të pakta rastet ku vjehrra dhe nusja jetojnë në paqe. Zakonisht lufta është e heshtur, por ka raste kur edhe bëhet haptas. Rezultati është i njëjtë, prishje e harmonisë në familje. 
Shtrohet pyetja e vështirë, si ta vemë vjehrrën dhe renë në paqe? Si ta ngrisim lidershipin kosovar (te të gjitha nivelet, sektorët), nga ai i mendësisë primitive inateske në një lidership të pjekur e modern me fokus e vizion zhvillimin gjithëpërfshirës, e jo rrënimin e stagnimin?
3 hapa thelbësorë:
1. I domosdoshëm është vetëdijesimi, ngritja e vetëdijes së palëve. Kapacitetin absorbues për ndryshim e ka më të madh gjenerata e re, rrjedhimisht pritshmëritë për vetëdijesim e ndryshim pozitiv bien tek gjenerata e re. Shikimi i problemeve nga zoom out (nga të gjitha anët, nga largësia), na mundëson të shohim edhe perspektivat, këndvështrimet, pozicionet e të tjerëve, përveç vetes sonë. Kur shohim pikturën e plotë të situatës, problemit, mund edhe të vetëdijësohemi më shumë dhe të sjellim konkludime, vendime, veprime më të matura, më të pjekura, konstruktive, e jo stagnuese, rrënuese e anti-njerëzore.
2. Empatia, dashuria njerëzore për njerëzoren, vendin, familjen, pasardhësit, gjurmët e asaj që ndërtojmë.
3. Eliminimi i fajtorit kujdestar nga mendja. Puna, puna, dhe vetëm puna pa drejtuar gishtin tek tjetri, për mirëqenien e vetes, familjes, shoqërisë, klubit, insititucionit. Mirëqenia nuk pikë nga qielli, ajo fillon në qëndrim, mendime, shprehi, punë e veprime konkrete. Mirëqenia është sport, maratonë e gjatë e jetës që kërkon disciplinë, mu sikur secili sport për të arritë trofeun. Truri është një muskul që kërkon trajnim. Po qe se e trajnojmë për të urryer botën, atë do e bëjë. Po qe se e trajnojmë për të bashkëjetuar me njerëzit, kushdo qofshin ata, për të punuar, mirëqeverisur, për të qenë pozitiv dhe i lumtur- atë do e sjell, padyshim!

Autorja është profesioniste e menaxhimit të burimeve njerëzore. Ka mbaruar MBA në menaxhim të përgjithshëm nga Universiteti i Sheffieldit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat