Lamtumirë miku im! - Bota Sot
Lamtumirë miku im!

Sporti

E shtunë, 24 shkurt 2018

Lamtumirë miku im!

Nga: Fazli Berisha Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 17:21
Agim Binaku

Në vend të përkujtimit

Ende pa u mbushur një muaj ditë që kur për herë të fundit u pamë në evenimentin e Shpalljes së laureatëve të Federatës së Futbollit të Kosovës, kur për herë të fundit u pamë dhe u përshëndetem, ike pa na dhënë lamtumirën e fundit. Por, në atë takim vetë shikimi yt sikur me tha diçka në vetvete. U njohëm shumë vonë dhe kaluam vetëm dy dekada bashkë, por kjo ishte mjaftueshëm që të lije gjurmë në jetën dhe punën time. Njëherë duke folur për Ty, një mik me tha se thonë se kundërshtitë e mëdha mishërohen në njerëz të mëdhenj. I tillë ishe Ti miku im. Duke qenë afër teje mësova shumë, jo vetëm nga gazetaria sportive, por edhe nga jeta, ndaj të falënderojë përjetësisht.

Çka kishe të veçantë dhe që dalloje nga ne? Ishe shumë i drejt për drejt në të mirë dhe të keq. Brenda teje zihej temperamenti krijues dhe gufonte me një dinamikë të brendshme plotë veçanti  dhe energji që vetëm te Ti shquheshin. Ishe i plotë në profesion. Dhe vetëm pasi të dëgjojmë e lexojmë, në gazeta shkrime dhe zëra tjerë në televizione dhe radio mund ta kuptojmë se sa ke lënë zbrazëtirë dhe sa humbje e madhe është ikja e jote në amshim. Unë kam humbur një mik të jashtëzakonshëm e gazetaria sportive ka humbur një krijues të pazakontë, që aq shumë e donte dhe ndjente sportin e Kosovës. I mbijetove shumë furtuna gjatë jetës tënde, por nuk arrite ta mposhtësh vdekjen, gjë që se ka bërë askush para teje.

Gjatë sëmundjes së shkurtër, askush nuk ta dëgjoi gjëmën sikur na kurseve nga shqetësimet që do të kishim. Doje të ikje në heshtje dhe i qetë. Pusho i qetë miku im, sepse vetëm fizikisht nuk do të jesh me ne, por do të kujtojmë si një vigan të gazetarisë sportive  dhe emisionet tuaja të punuara me aq shumë përkushtim dhe magji do të jetojnë gjatë si udhërrëfyes i brezave që do të vijnë. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës dhe kujtimi për Ty do të jetë i përjetshëm miku im.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test